Shteti paguan dënime me miliona për paraburgimin e gjatë (Pjesa e tretë)
Nëse deri më parë Ministria e Drejtësisë nuk iu përgjigjej kërkesave për zgjidhje jashtëgjyqësore, tani edhe vullnetarisht pranon që ta shpëtojë buxhetin nga harxhimet plotësuese.
Më shumë se dhjetë milionë denarë iu ka paguar shteti qytetarëve që e kanë paditur për paraburgim të pabazë. Fjala është për periudhën prej vitit 1997 deri në vitin 2008, për kur i morëm të dhënat e fundit nga Ministria e Drejtësisë. Gjatë vitit 2008 ishin dorëzuar 32 kërkesa për kompensimin e dëmit dhe ky është bindshëm numri më i madh në krahasim me vitet tjera. Në vitin 1997 ishte paguar kërkesa për kompensimin e dëmit në shumë prej 815.233 denarë. Në vitin 2001 janë paguar pothuajse pesë milionë denarë për dy kërkesa. Në vitin 2003, shteti ka qenë i detyruar që të paguajë 1,66 milionë denarë për dy raste, ndërsa në vitin 2005 pak më shumë se një milion denarë për katër kërkesa. Në vitin 2006 për dy kërkesa të dorëzuara janë paguar 559.204 denarë, ndërsa në vitin vijues për një rast 178.683 denarë.
Në situatat kur personi i paraburgosur merr vendim të plotfuqishëm lirues, ka të drejtë që ta padit shtetin. Sipas procedurës, më së pari kërkohet zgjidhje jashtëgjyqësore me Ministrinë e Drejtësisë, e cila është e obliguar që në afat prej tre muajsh të dorëzojë përgjigjen. Rëndom kërkohen nga 20 euro për çdo ditë të kaluar në paraburgim, e pastaj kërkohet dëmshpërblim për nderin dhe autoritetin. Lartësia varet nga statusi i personit të akuzuar, sa fiton, në cilën fazë të jetës është, sa fitim ka humbur e të ngjashme...
“Nëse deri para disa vitesh nga Ministria e Drejtësisë aspak nuk iu përgjigjeshin kërkesave për zgjidhje jashtëgjyqësore, tani situata ka ndryshuar, krejt me qëllim që të shpëtohen të hollat e shtetit”, tregon avokat Violeta Petkova nga konzorciumi i avokatëve “Vuksanoviq-Petkova”.
Qytetarët e dëmtuar kanë në dispozicion disa organizata dhe institucione që iu rrinë në dispozicion në raste të këtilla, por ata më shpesh vendosin që të kërkojnë ndihmë nga avokatët.
“Parashtresë të tillë për paraburgim të pabazë, edhe pse do të ishte në kompetencat tona, ende nuk kemi marrë”, pohon zëvendësi i Avokatit të Popullit, Tripun Tanusheski. Nga Zyra e ombudsmanit thonë se më shumë punë kanë në procedurat gjyqësore me zgjatje të paarsyeshme të procesit, ose me kryerje të papërgjegjshme të punëve nga shërbimet gjyqësore.
Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në katër vitet e fundit ka vepruar vetëm sipas një kërkese në lidhje me ndihmën juridike për paraburgim të shqiptuar joligjor. Është fjala për rastin e njohur të “tambëlxhisë” Dushko. Manastirasi Dushko Ilievski, vëllai dhe babai i tij janë ndjekur për “prodhim të paautorizuar dhe lëshim në qarkullim të drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prekursorëve”, përkatësisht për kultivimin e mbi 200 fidanëve marihuanë. Gjatë kohës së procesit gjyqësor u konstatua se fjala është për kanabis samonik, përkatësisht për konop i cili pa përpunim shtesë nuk i ka vetitë e drogës narkotike. Anëtarët e familjes Ilievski ishin lëshuar të lirë.
“Komiteti i Helsinkit përgatiti kërkesën për dëmshpërblim, e cila sipas procedurës së përcaktuar ligjore më parë i dërgohet Ministrisë së Drejtësisë. Ministria ka afat prej 3 muajsh t’i përgjigjet Dushkos, e po qe se kjo nuk ndodh ose Ministria nuk ofron dëmshpërblim adekuat, do të fillojmë procedurë gjyqësore kundër shtetit. Afati për përgjigje nga Ministria e Drejtësisë kalon këtë muaj”, thonë nga Komiteti i Helsinkit. Aty theksojnë se janë pajtuar që t’i sigurojnë ndihmë juridike falas Ilievskit, pasi që disa avokatë të cilët manastirasi i kishte kontaktuar për ta paraqitur në procedurën për kompensimin e dëmit për shkak të heqjes së paarsyeshme nga liria – e kishin refuzuar.
Ministria e Drejtësisë e ka të drejtën e diskrecionit që ta pranojë kërkesën për pajtim jashtëgjyqësor, ose, nga ana tjetër, llogarit që krahas vendimit lirues, paraburgimi ka qenë një nga mjetet e domosdoshme në procedurë. Avokatët thonë se ndodh që Ministria gjatë kompensimit të dëmit një pjesë të paraburgimit ta pranojë, e një pjesë jo.
“Një tjetër problem është se shpesh ndodh që gjyqet të jenë të sinkronizuar, kështu që vendimet të jenë aq sa duhet, që të mos vijë në situatë për paraburgim të pabazë. Ja një shembull: gjashtëmbëdhjetë veta ishin akuzuar për vjedhje të rëndë, kundër tre vetave prej tyre tërhiqet një pjesë e akuzës. Ata tre marrin vendime me kusht, ndërsa kanë kaluar tetë muaj në paraburgim. Më vonë, në Gjykatën e Apelit, e pas kërkesës së Prokurorisë, tre djemve u ishte shqiptuar dënimi me burg prej tetë muajsh, aq sa saktësisht ata kishin kaluar në paraburgim”, thotë avokati Oliver Vuksanoviq.
Rasti më i njohur për opinionin, i cili shkaku i paraburgimit të pabazë rezultoi me penale buxhetore, është ai me titull “Syri i gjarprit”. Tridhjetë e tetë vetë e paditën shtetin në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, i cili vlerësoi se është shkelur neni 5 paragrafi 3 – e drejta e lirisë dhe e sigurisë nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Paditësit, të cilët nga pushtetet maqedonase ishin akuzuar se në pikat pagesore të rrugës kanë fshehur pesë milionë euro nga të hyrat, pohonin se kanë qenë të burgosur padrejtësisht, pa motiv të mjaftueshëm dhe konkret, dhe se nuk kanë pasur mundësi efektive që të ankohen.
Të gjithë shtatë gjykatësit e Gjykatës Evropiane nga Strasburgu dolën me një vendim unanim se vazhdimi i paraburgimit ka qenë i padrejtë dhe i paarsyeshëm, për shkak se vetëm dyshimet nuk janë të mjaftueshme. Secilit prej tyre, sipas vendimit, shteti ynë duhej t’u paguante nga 2.000 euro dëmshpërblim.
Ky rast është vetëm njëri prej shembujve që tregojnë se gjykatësit duhet dy herë të maten para se të marrin vendimin, për shkak se gabimet e tyre gjithnjë bien mbi shpinën e shtetit.
Ky tekst është punuar në kuadër të projektit “Forcimi i bashkëpunimit midis organizatave civile dhe mediave për promovimin e të drejtave të njeriut dhe të lirisë së shprehjes”, të cilin e realizoi Media Instituti Maqedoni – MIM, financuar nga Bashkimi Evropian përmes programit EIDHR. Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi vetëm e medias dhe në asnjë mënyrë nuk i reflekton pikëpamjet e Bashkimi Evropian ose të MIM-it.