Paraburgimi i gjatë – penal “i trashë” për shtetin

    Indeks artikujsh

     

    Autor: Goran Adamovski
    Hulumtim i Utrinski vesnik-ut

    (Pjesa e parë)

    goran.a1-1

    Stigmatizim shoqëror ndaj personave që kanë qenë në paraburgim, ndërkohë që pastaj nga gjyqi janë liruar si të pafajshëm

    “Qëndrimi im gjashtëmujor në burgun e Shutkës ishte përvoja më e keqe që ndonjëherë e kam pasur në jetë. Asnjëherë nuk ankohesha për veten, por për familjen. Pyetesha se çka do të bëjnë pa mua. Bashkëshortja ime nuk punonte, ndërsa fëmijët i kisha të vegjël. Përnjëherë, në një çast më humbi liria, m’i morën automobilat, të hollat, familja më mbeti pa asnjë denar. Meqë jemi shumë të lidhur, familja nuk u shpërnda... Përkundrazi, mori njëfarë fuqie që ta tejkalojë këtë hall.”

    Kështu e fillon dëshminë shkupjani 37-vjeçar Aleksandar, të cilit para disa vitesh jeta i ndryshoi që në rrënjë. I dyshuar, i paraburgosur dhe i akuzuar për kontrabandë me cigare, u ballafaqua me një të ardhme të paqartë dhe të rëndë. Pohimet e tij se është i pafajshëm nuk i ndihmonin në fillim. I mbyllur në një birucë të vogël dhe pa ajër në burgun hetues të Shkupit, e kishte patjetër të kërkonte fuqi për veten, por para së gjithash për bashkëshorten dhe dy fëmijët e mitur.

    “Ishte shumë rëndë. Siç thashë, mbetëm pa të holla, e ato ishin të nevojshme për avokatët, por edhe për të mbijetuar. Bashkëshortja ishte vetëm dhe në hall, tarifat e avokatëve lëviznin prej 5.000 euro e lart dhe për çdo dalje të tyre në gjyq nga 300 euro. Për fat, kisha shumë mbështetje prej saj, kështu që në vend të grindjeve ose shkurorëzimit, bile u afruam edhe më shumë”, flet shkupjani në një frymë.

    Në atë periudhë fëmijët e tij ishin pesë dhe gjashtë vjeç. I mashtronin se babain e kanë në rrugë, e ata me padurim prisnin që ai të kthehet.

    “Më iku gëzimi i djalit tim kur u bë nxënës i klasës së parë. Vdiq babai i bashkëshortes sime, gjë që edhe më shumë e shqetësoi familjen. Fëmijët e kishim patjetër që t’i mashtronim; mendonim se kështu është më mirë. Megjithatë, për shkak të fjalëve andej-këndej, djali më i madh mori vesh se jam në paraburgim. Normalisht, e kishte rëndë, më shumë për shkak se nisi të shkonte në shkollë dhe nuk mundte të përshtatej në fillim. Ishte i tërhequr dhe heshtte, e dinte edhe të rrihej kur shokët do t’i thoshin se babain e ka në burg”, kujtohet Aleksandri.

    Kushtet në birucë ishin të tmerrshme. Ka qenë verë, nuk ka pasur ujë me orë të tëra, ndërsa ka pasur nga 15 minuta në ditë për të dalë në ajër.

    “Kur hymë në birucë nuk kishte krevat të lirë; ma dhanë një dyshek, edhe atë pa çarçaf dhe pa jastëk. Ishte ora një pas mesnate; në dhomë kishte dy krevate, brenda kishte tre të paraburgosur, ndërsa unë isha i katërti me dyshekun në krah. Dhoma ishte e vogël, pa ajër, më vinte që ta rrëzoj murin. Ditën tjetër më zhvendosën në një dhomë tjetër. Katër krevate, pesë njerëz. Tri javë nuk isha larë për shkak se nuk kishte ujë. Nevojën e bënim në të njëjtën dhomë, gropa ishte aty ndanë, nuk kishte ulec, nuk kishte derë... Ushqimi ishte i tmerrshëm, kështu që në çdo dy ditë më sillnin nga shtëpia”, tregon bashkëbiseduesi ynë.

    Në gjykim arriti të dëshmojë atë që e thoshte prej fillimit – se është i pafajshëm. Mori vendimin me të cilin lirohej dhe me lot në sy ka shkuar në shtëpi.

    Aleksandri direkt e përjetoi tregimin e shpeshtë të Hollivudit për njerëzit e paraburgosur pa bazë, të cilët kalojnë në ferr derisa të kthejnë në jetën normale. A ia arrijnë të gjithë? Çka ndodh me ata që nuk kanë karakter të fortë, që nuk kanë mbështetje nga familjet e tyre? A vendosin shumë lehtë gjykatësit për masën e paraburgimit? A u jep dëmshpërblim shteti atyre të paraburgosurve pa të drejtë? Sa ata vetë kanë fuqi ose vullnet që ta japin shtetin në gjyq?

    “Është individuale. Ka njerëz të cilët për shkak të satisfaksionit personal dhe që të dëshmohen para rrethit, për shkak të uljes së stigmatizimit në shoqëri duan të shkojnë deri në fund dhe të dëshmojnë se shteti është fajtor për paraburgimin e tyre. Madje, edhe kompensimin në të holla nuk e kanë edhe aq të rëndësishëm”, thotë Oliver Vuksanoviq nga konzorciumi i avokatëve “Vuksanoviq-Petkova”.

    Procedura është e thjeshtë: pasi që i paraburgosuri të marrë vendimin e plotfuqishëm se është i pafajshëm, kërkohet zgjidhje jashtëgjyqësore me shtetin, përkatësisht me Ministrinë e Drejtësisë. Në afat prej tre muajsh, Ministria është e obliguar që të japë përgjigjen, e nëse ajo është negative – shkohet në gjyq.

    “Rëndom kërkohen nga 20 euro për një ditë të kaluar në paraburgim, e pastaj kërkohet dëmshpërblimi për nderin dhe autoritetin. Lartësia varet nga statusi i personit të akuzuar, në kuptimin e eksponimit shoqëror, pastaj sa e ka rrogën, në cilën fazë jetësore është, sa fitim ka humbur, nëse ka firmë – sa kontrata ka humbur e të ngjashme”, shpjegon avokatja Violeta Petkova.

    Ministria e Drejtësisë ka të drejtën e diskrecionit ta pranojë kërkesën për marrëveshje jashtëgjyqësore, ose edhe të llogarit se krahas vendimit për lirimin e tij, paraburgimi ka qenë një prej mjeteve të domosdoshme në procedurë, për shembull për shkak të frikës se i dyshuari mund të ikë. Avokatët thonë se ndodh që Ministria gjatë kompensimit të dëmit të pranojë një pjesë të paraburgimit, ndërsa një pjesë të mos e pranojë.

    Edhe pse dëmshpërblimi mund të arrijë edhe në dhjetëra mijë euro, stigmatizimi nuk mund të kompensohet. Aleksandri thotë se derisa ka qenë në liri, ka qenë njeri i madh, i cili shumëkujt i ka ndihmuar në bazë financiare. Kur më shumë iu desh ndihma atij – njerëzit ia kthyen shpinën.

    “Më paraqisnin si të dënuar për vrasje ose për drogë; aq u tollovitën punët. Gjithnjë thosha se shumë lehtë është të hysh në paraburgim, por shumë rëndë është të dëshmosh se je i pafajshëm. Ende i ndjej pasojat e qëndrimit tim gjysmëvjeçar në paraburgim. Mora të holla hua që të kthehem në këmbë. Edhe më tej jam i papunë, por kam fuqi të madhe se do kem sukses. Më e rëndësishme është se jam bashkë me familjen. Shtetin nuk do ta akuzoj, nuk dua më të zvarritem nëpër gjyqe, vetëm dua që jeta të më kthehet në normalitet. Do t’ju jem falënderues policëve që erdhën të më burgosin, për shkak se i luta që mos t’m’i vënë prangat, që të mos të traumatizohen fëmijët; së paku këtë ma plotësuan”, tregon shkupjani.


    Paraburgimi si dënim (Pjesa e dytë)

    Në tetë prej dhjetë rasteve, gjykatësi vendos të caktojë paraburgim, në vend se të shqiptojë masë tjetër, siç është konfiskimi i pasurisë, paraburgim shtëpiak ose marrja e dokumenteve të udhëtimit.

    goran.a2

    paraburgosurit në “Syri i gjarprit”, “Tambëlxhi Dushko”, të burgosurit në “Vreshtat e Rashtakut”, janë pjesë e rasteve më të mëdha që kanë mbaruar me paraburgim të pabazë të të dyshuarve. Për ta opinioni ishte njoftuar, edhe pse avokatët që punojnë në të drejtën penale do t’ju thonë se në punën e tyre të përditshme ballafaqohen me një varg lëndësh në të cilat ose nuk pranohet kallëzimi penal, ose hidhet poshtë një pjesë e akuzës, ose, ndërkaq, në fund vihet te vendimi lirues për personat e paraburgosur. Përshtypje e përgjithshme e publikut është se gjykatësit shumë lehtë vendosin që të shqiptojnë paraburgimin.

    “Paraburgimi duhet të jetë masë e fundit, ndërsa te ne, për fat të keq, bëhet masë e parë”, thotë gjykatësja Margarita Caca Nikollovska, e cila më parë punonte në Gjykatën për të Drejtat e Njeriut në Strasburg. Ajo shpjegon se kolegët e saj patjetër duhet të kenë kujdes kur e shqiptojnë këtë sanksion.

    “Kur nesër ose pasnesër do të tregohet se paraburgimi ka dalë nga korniza, patjetër duhet të ketë kompensim të dëmit: material dhe jomaterial. Ajo që më tej është pasojë në jetë, nuk mund të kompensohet, për shkak se në popull krijohet një pamje, një perceptim i gabuar, një refleksion te familja, sidomos te fëmijët”, dëfton Nikollovska.

    Gjykatësi Vlladimir Tufegxhiq, zëdhënës i Gjykatës Penale në Shkup, nuk pajtohet se masa paraburgim shfrytëzohet më shumë sesa realisht ka nevojë.

    “Vlerësohen të gjitha rrethanat, duke u nisur nga pesha e dëshmive (verbale dhe materiale), nëse lënda është nga sfera e kriminalitetit të organizuar merret parasysh lidhja e grupit, veprimet e kryera dhe në këtë kuptim lidhja e tyre, që do të thotë se merret parasysh gjithçka para se të dilet me këtë masë. Udhëhiqemi nga kushtet që parasheh ligji, e vlerësojmë rrezikun e ikjes, ndikimin ndaj dëshmitarëve dhe rrezikun nga përsëritja e veprës”, pohon Tufegxhiq.

    Prokurori publik e jep arsyetimin e shkaqeve se përse kërkohet që të caktohet masa e paraburgimit, por gjyqi e ka fjalën e përfundimtare, pasi t’i ketë marrë parasysh të gjitha rrethanat.

    “Sa i përket përvojës së gjertanishme si gjykatës, mbajmë llogari se pas ndërmarrjes së disa veprimeve të caktuara hetimore, a kanë rënë disa prej pikave bazë për shkak të të cilave është caktuar paraburgimi. Po qe se gjatë hetimeve përmbushen kushtet, kemi marrë edhe vendime në rrugë zyrtare për heqjen e paraburgimit ose caktimin e masës më të butë”, thotë gjykatësi Tufegxhiq.

    Drejtori i mëparshëm i Koalicionit joqeveritar “Të gjithë për gjykim të drejtë”, Kiril Efremovski, thotë se në dy vitet e kaluara, në Seksionin për kriminalitet të organizuar në kuadër të Gjykatës Themelore Shkupi I, paraburgimi shqiptohet në 8 ose 9 prej 10 rasteve të kriminalitetit të organizuar.

    “Në këtë kontekst, prijnë aksionet si ‘Detonator’, ‘Kalldërma’, ‘Metastaza’, por edhe ‘Syri i gjarprit’, ku pothuajse të gjithë të ndaluarit ishin paraburgosur. Sipas Ligjit për procedurë penale, masa paraburgim duhet të jetë me qëllim që të pengohet ndikimi ndaj procedurës gjyqësore ndaj hetimit ose dëshmitarëve, përkatësisht ndaj veprës penale. E njëjta si mekanizëm juridik ka më shumë mundësi të sigurimit të të akuzuarve ose të të dyshuarve, me ç’rast paraburgimi i tyre është hapi i fundit, mekanizëm ky që është në dispozicion të gjykatësve. Megjithatë, edhe përkundër kësaj, gjykatësit vendosin së pari për paraburgim në njësitë e paraburgimit ose në burgjet hetuese, në vend se të shqiptojnë konfiskimin e mallit, paraburgimin shtëpiak ose marrjen e dokumenteve të udhëtimit si sigurim për të dyshuarit ose për personat e akuzuar. Me këtë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ndikohet tek opinioni dhe manifestohet frika e përgjithshme nga sistemi i shtetit”, thekson Efremovski.

    Sipas tij, masa paraburgim caktohet me automatizëm, me ç’rast nuk merret seriozisht baza e akuzës, as edhe lloji i veprës penale.

    Gjyqi nuk i merr parasysh as kërkesat e avokatëve të të akuzuarve për pezullimin e paraburgimit ose për zëvendësimin e tij me paraburgim shtëpiak. Ai është fleksibil vetëm në rastet kur të paraburgosurit janë me sëmundje kronike dhe me shëndet tepër të rënduar.

    Avokatët thonë se pasi të caktohet paraburgimi, ata persona de fakto janë të dënuar nga shoqëria dhe të stigmatizuar.

    “Paraburgimi në shoqëri, për fat të keq, konsiderohet si dënim, e jo si masë efektive për udhëheqje më efikase të procedurës gjyqësore”, thotë avokati Oliver Vuksanoviq.

    Ai kujton disa raste që ka udhëhequr. Në njërin prej tyre, klienti është akuzuar për incest me të bijën e mitur. Gjatë procedurës është konstatuar se nuk ka pasur marrëdhënie seksuale, por Prokuroria e ka ngarkuar me veprime të tjera. Njeriu ka marrë vendim lirues. Ka kaluar 173 ditë në paraburgim. Tani kërkon dëmshpërblim nga shteti dhe lënda është në fazën e zgjidhjes jashtëgjyqësore të kontestit me Ministrinë e Drejtësisë.

    “Edhe krahas vendimit lirues, klienti im ishte i lënë prej të gjithëve, i braktisur nga familja dhe miqtë. Rasti ishte ndjekur edhe nga mediat, kështu që njeriu mori etiketën ‘pedofil’. Ishte i detyruar që të shpërngulej në një qytet tjetër, edhe pse nuk kishte bërë kurrfarë vepre të keqe”, thotë Vuksanoviqi.

    Në një rast tjetër, ka mbrojtur një edukatore të akuzuar se ka maltretuar fëmijë. Edhe pse në gjyq ishte dëshmuar se është e pafajshme, megjithatë, edhe krahas vendimit lirues, ishte e detyruar që ta ndërronte vendin e punës.


    Shteti paguan dënime me miliona për paraburgimin e gjatë (Pjesa e tretë)

    Nëse deri më parë Ministria e Drejtësisë nuk iu përgjigjej kërkesave për zgjidhje jashtëgjyqësore, tani edhe vullnetarisht pranon që ta shpëtojë buxhetin nga harxhimet plotësuese.

    Më shumë se dhjetë milionë denarë iu ka paguar shteti qytetarëve që e kanë paditur për paraburgim të pabazë. Fjala është për periudhën prej vitit 1997 deri në vitin 2008, për kur i morëm të dhënat e fundit nga Ministria e Drejtësisë. Gjatë vitit 2008 ishin dorëzuar 32 kërkesa për kompensimin e dëmit dhe ky është bindshëm numri më i madh në krahasim me vitet tjera. Në vitin 1997 ishte paguar kërkesa për kompensimin e dëmit në shumë prej 815.233 denarë. Në vitin 2001 janë paguar pothuajse pesë milionë denarë për dy kërkesa. Në vitin 2003, shteti ka qenë i detyruar që të paguajë 1,66 milionë denarë për dy raste, ndërsa në vitin 2005 pak më shumë se një milion denarë për katër kërkesa. Në vitin 2006 për dy kërkesa të dorëzuara janë paguar 559.204 denarë, ndërsa në vitin vijues për një rast 178.683 denarë.

    goran.a3

    Në situatat kur personi i paraburgosur merr vendim të plotfuqishëm lirues, ka të drejtë që ta padit shtetin. Sipas procedurës, më së pari kërkohet zgjidhje jashtëgjyqësore me Ministrinë e Drejtësisë, e cila është e obliguar që në afat prej tre muajsh të dorëzojë përgjigjen. Rëndom kërkohen nga 20 euro për çdo ditë të kaluar në paraburgim, e pastaj kërkohet dëmshpërblim për nderin dhe autoritetin. Lartësia varet nga statusi i personit të akuzuar, sa fiton, në cilën fazë të jetës është, sa fitim ka humbur e të ngjashme...

    “Nëse deri para disa vitesh nga Ministria e Drejtësisë aspak nuk iu përgjigjeshin kërkesave për zgjidhje jashtëgjyqësore, tani situata ka ndryshuar, krejt me qëllim që të shpëtohen të hollat e shtetit”, tregon avokat Violeta Petkova nga konzorciumi i avokatëve “Vuksanoviq-Petkova”.

    Qytetarët e dëmtuar kanë në dispozicion disa organizata dhe institucione që iu rrinë në dispozicion në raste të këtilla, por ata më shpesh vendosin që të kërkojnë ndihmë nga avokatët.

    “Parashtresë të tillë për paraburgim të pabazë, edhe pse do të ishte në kompetencat tona, ende nuk kemi marrë”, pohon zëvendësi i Avokatit të Popullit, Tripun Tanusheski. Nga Zyra e ombudsmanit thonë se më shumë punë kanë në procedurat gjyqësore me zgjatje të paarsyeshme të procesit, ose me kryerje të papërgjegjshme të punëve nga shërbimet gjyqësore.

    Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në katër vitet e fundit ka vepruar vetëm sipas një kërkese në lidhje me ndihmën juridike për paraburgim të shqiptuar joligjor. Është fjala për rastin e njohur të “tambëlxhisë” Dushko. Manastirasi Dushko Ilievski, vëllai dhe babai i tij janë ndjekur për “prodhim të paautorizuar dhe lëshim në qarkullim të drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prekursorëve”, përkatësisht për kultivimin e mbi 200 fidanëve marihuanë. Gjatë kohës së procesit gjyqësor u konstatua se fjala është për kanabis samonik, përkatësisht për konop i cili pa përpunim shtesë nuk i ka vetitë e drogës narkotike. Anëtarët e familjes Ilievski ishin lëshuar të lirë.

    “Komiteti i Helsinkit përgatiti kërkesën për dëmshpërblim, e cila sipas procedurës së përcaktuar ligjore më parë i dërgohet Ministrisë së Drejtësisë. Ministria ka afat prej 3 muajsh t’i përgjigjet Dushkos, e po qe se kjo nuk ndodh ose Ministria nuk ofron dëmshpërblim adekuat, do të fillojmë procedurë gjyqësore kundër shtetit. Afati për përgjigje nga Ministria e Drejtësisë kalon këtë muaj”, thonë nga Komiteti i Helsinkit. Aty theksojnë se janë pajtuar që t’i sigurojnë ndihmë juridike falas Ilievskit, pasi që disa avokatë të cilët manastirasi i kishte kontaktuar për ta paraqitur në procedurën për kompensimin e dëmit për shkak të heqjes së paarsyeshme nga liria – e kishin refuzuar.

    Ministria e Drejtësisë e ka të drejtën e diskrecionit që ta pranojë kërkesën për pajtim jashtëgjyqësor, ose, nga ana tjetër, llogarit që krahas vendimit lirues, paraburgimi ka qenë një nga mjetet e domosdoshme në procedurë. Avokatët thonë se ndodh që Ministria gjatë kompensimit të dëmit një pjesë të paraburgimit ta pranojë, e një pjesë jo.

    “Një tjetër problem është se shpesh ndodh që gjyqet të jenë të sinkronizuar, kështu që vendimet të jenë aq sa duhet, që të mos vijë në situatë për paraburgim të pabazë. Ja një shembull: gjashtëmbëdhjetë veta ishin akuzuar për vjedhje të rëndë, kundër tre vetave prej tyre tërhiqet një pjesë e akuzës. Ata tre marrin vendime me kusht, ndërsa kanë kaluar tetë muaj në paraburgim. Më vonë, në Gjykatën e Apelit, e pas kërkesës së Prokurorisë, tre djemve u ishte shqiptuar dënimi me burg prej tetë muajsh, aq sa saktësisht ata kishin kaluar në paraburgim”, thotë avokati Oliver Vuksanoviq.

    Rasti më i njohur për opinionin, i cili shkaku i paraburgimit të pabazë rezultoi me penale buxhetore, është ai me titull “Syri i gjarprit”. Tridhjetë e tetë vetë e paditën shtetin në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, i cili vlerësoi se është shkelur neni 5 paragrafi 3 – e drejta e lirisë dhe e sigurisë nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Paditësit, të cilët nga pushtetet maqedonase ishin akuzuar se në pikat pagesore të rrugës kanë fshehur pesë milionë euro nga të hyrat, pohonin se kanë qenë të burgosur padrejtësisht, pa motiv të mjaftueshëm dhe konkret, dhe se nuk kanë pasur mundësi efektive që të ankohen.

    Të gjithë shtatë gjykatësit e Gjykatës Evropiane nga Strasburgu dolën me një vendim unanim se vazhdimi i paraburgimit ka qenë i padrejtë dhe i paarsyeshëm, për shkak se vetëm dyshimet nuk janë të mjaftueshme. Secilit prej tyre, sipas vendimit, shteti ynë duhej t’u paguante nga 2.000 euro dëmshpërblim.

    Ky rast është vetëm njëri prej shembujve që tregojnë se gjykatësit duhet dy herë të maten para se të marrin vendimin, për shkak se gabimet e tyre gjithnjë bien mbi shpinën e shtetit.

    Ky tekst është punuar në kuadër të projektit “Forcimi i bashkëpunimit midis organizatave civile dhe mediave për promovimin e të drejtave të njeriut dhe të lirisë së shprehjes”, të cilin e realizoi Media Instituti Maqedoni – MIM, financuar nga Bashkimi Evropian përmes programit EIDHR. Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi vetëm e medias dhe në asnjë mënyrë nuk i reflekton pikëpamjet e Bashkimi Evropian ose të MIM-it.

    Проектот „Попреченоста е прашање на перцепција“, го спроведуваат Институтот за медиуми и различности од Лондон, Македонскиот институт за медиуми и Националниот совет на инвалидските организации на Македонија.

    Проектот е финансиран од Европската Унија, преку Европскиот инструментот за демократија и човекови права (ЕИДХР).

    euflagEUsoTEBE2

     

     

     

    Оваа веб-страница е изработена со поддршка од Европската Унија. Содржината на оваа веб-страница е одговорност единствено на Институтот за медиуми и различности од Лондон и на никаков начин не ги одразува гледиштата на Европската Унија.

    © 2018 Aktiv.mk. All Rights Reserved.

    Please publish modules in offcanvas position.