Autor: Sonja Kolevska - Delevska
Hulumtim i Vest
Nuk guxon të zgjedhësh a je mashkull apo femër
Transseksualët në Maqedoni nuk ekzistojnë për shtetin. Definicioni i vetëm për njerëzit me një seks, ndërsa me identitet gjinor të ndryshëm, për Fondin e Sigurimit Shëndetësor është hermafrodit.
"Transgjinorët nuk ekziston si term. Te hermafroditët, me indikacione medicinale kryhet përcaktimi i seksit dhe ndërhyrja medicinale qysh atëherë kur janë ende bebe, dhe e marrin gjininë përfundimtare. Për transseksualët operacioni llogaritet si estetik dhe nuk mbulohet nga ana e FSSh, as terapia hormonale, as implante për gjinj, as plastikë uro apo vaginale”, qëndron në përgjigjen zyrtare që morëm nga Fondi.
Para dy javësh Klinika për Gjinekologji dhe Akusheri në Shkup njoftoi se këtë vit kanë lindur katër bebe pa gjenitale qartë të definuara. Sipas të dhënave, edhe viteve të kaluara janë lindur, mesatarisht, nga dy deri tre fëmijë me karakteristika gjinore jo mjaft të qarta, por ka edhe bebe të tilla që i kanë të dy sekset (hermafroditët). Bebet me mallformacione në regjistër shënohen as si mashkull as si femër, por si të posalindur. Ndërkohë, tinejxherët, adoleshentët dhe transseksualët e rritur në Maqedoni mbeten grupi më i lëndueshëm i njerëzve, që njihen në rrugë, janë më të sulmuarit, më të rrahurit, viktima të dhunës në familje, të dhunës nga rrethina dhe nga partnerët e tyre. Shteti nuk iu ndihmon në tranzicion. Ata që kanë para marrin terapi hormonale të paguar nga xhepi i tyre dhe aq. Nuk kanë përkrahje të bashkangjitur nga psikiatri, që është bazë për procesin e rëndë të transformimit, nuk ka participim financiar për hormonet e shtrenjta, ndërsa për intervenim kirurgjik për ndryshim të gjinisë as që bëhet fjalë. As ka kirurgë të stërvitur në Maqedoni për një gjë të tillë, e as që njeh dhe e paguan shteti pjesën e harxhimeve për intervenim jashtë vendit, edhe pse transseksualiteti në thelb është gjendje medicinare që ka diagnozën e vet Ф64.0.
Që do të thotë në Maqedoni ata që nuk kanë para për hormone, zhyten psikikisht. Jetojnë, praktikisht, në ferr, në frikë, në stigmë, thellë janë të tërhequr në vetvete, larg nga bota e jashtme. Pengesë plotësuese për ta është ajo që nuk shkojnë në punë, mundësia për punësim nuk është me qasje njëlloj si dhe për qytetarë tjerë, për shkak se pothuajse asnjë shef nuk i pranon. Ndryshimet tek ata janë të dukshme, ato nuk mund të fshihen. Gjinia dhe ndjenjat i ka si të gruas, ndërsa gjininë e ka mashkullor, dhe e kundërta, përkatësinë gjinore e ka mashkullor ndërsa është lindur me seks femëror. Nga këto shkaqe, transseksualët, të cilët nuk kanë mundësi ta bëjnë transformimin në seksin në të cilin e ndjejnë veten, janë njerëzit më të nëpërkëmbur në shoqëri dhe zakonisht janë financiarisht të varur nga të tjerët. Në Maqedoni ata persona nuk janë të punësuar, por më shpesh mbahen prej të tjerëve deri në fund të jetës.
Transgrupi në Maqedoni numëron 30 njerëz. Ata janë nga e gjithë Maqedonia, më shumë nga Shkupi, më pastaj nga Ohri, Strumica, Tetova dhe Koçana. Kush mundet, migron në Shkup, ku ndjehen më të sigurt, për shkak se janë në grup. Kush nuk mundet, mbetet t’i durojë traumat në fshatin e tyre të lindje, në qytet, thonë në Qendrën LGBTI në Shkup.
Kur bëhet fjalë për mosrespektimin e të drejtave shëndetësore të njerëzve LGBTI në Maqedoni, shembull më karakteristik janë transseksualët, përkatësisht njerëzit transgjinorë, thotë Igor Raiden, koordinator i grupit për përkrahje të transnjerëzve në Maqedoni. Ai jep shumë shembuj për mosekzistimin e të drejtave shëndetësore të këtij grupi të margjinalizuar. Në mesin e tyre janë situatat e njerëzve transgjinorë me emra gjysmë të ndryshuar në dokumentet personale, me çka paraqitet papajtueshmëri mes pamjes dhe të dhënave në dokument. Nga ky shkak, thekson Raiden, shpesh nuk mund të bëhen testet hormonale. Për shembull, pacientët me gjini të ndërruar jashtë vendit, që tani është person mashkull, që të bëjë teste hormonale, duhet të marrë udhëzim nga gjinekologu, për shkak se në dokumentet personale është femër. Ky person me gjini mashkullore disi ka marrë udhëzim nga gjinekologu i tij amë. Por, kur ka shkuar në Klinikën për Endrokrinologji i kanë thënë se gjinekologu nuk ka pasur të drejtë t’i japë udhëzim. Personi tërë ditën ka vërtetuar se është grua, ka qenë i detyruar të shkojë në kundërshtim me identitetin e tij gjinor. E tmerrshme është ajo që e ka bërë kundër vetvetes, vetëm që të marrë udhëzimin, tregon Raiden. Në një rast tjetër, thotë, transgruaja ka shkuar privatisht në Endokrinologji, ku endokrinologu i ka shkruar hormone, e ajo ka shkuar në barnatore dhe i ka blerë vetë hormonet.
Në Klinikën për Endokrinologji për momentin terapi hormonale për ndërrim të gjinisë marrin pesë persona, meshkuj dhe femra. Ata janë mes 20 dhe 25-vjeçar. Qëllimi përfundimtar, thonë mjekët nga Klinika për Endokrinologji, është që këta pacientë ta ndryshojnë gjininë. Ndërhyrjen kirurgjike, sipas asaj që ata thonë, do ta bëjnë në Beograd. Pas operacionit plastik të bërë jashtë vendit, të gjithë pacientët të cilët më parë kanë marrë hormone në Endokrinologji, kthehen përsëri në terapi, të përjetshme, për shkak se hormonet, siç shpjegon drejtori dr. Çedomir Dimitrovski, duhet të mirëmbahen, që të mos kthehen karakteristikat e mëhershme nga gjinia e më hershme e personit. Nëse personi mashkull është transformuar në grua, duhet vazhdimisht të pranojë hormonin estrogen, për shkak se mjekra dhe mustaqet, për shembull, do të fillojnë të rriten sërish, ejakulacioni do të kthehet.
Ekziston diskriminim i madh nga Fondi i Shëndetësisë kur bëhet fjalë për të drejtën e shërimit jashtë vendit, thot Raiden. Sipas rregullores për shërim jashtë vendit, personi i siguruar, me dokumentacion përkatës, merr mendim konsiliar dhe pas procesimit të rastit nga Komisioni i Fondit, merret miratimi për mjekim jasht vendit, me çka pacienti merr pjesë me 20 për qind nga shpenzimet. Megjithatë, Fondi i Shëndetësisë në një rast deklaroi se “ndërrimi i gjinisë nuk trajtohet si sëmundje, dhe sipas kësaj, nuk hyn në shërbimet shëndetësore bazë”. “Nuk ka arsyetim për zgjidhje të problemit psikofizik nëpërmjet rrugës kirurgjike. Ndërrimi i gjinisë nuk është në pakon e shërbimeve shëndetësore primare”, janë përgjigjet më të shpeshta nga Fondi i Shëndetësisë, cek Raiden.
Sipas atij, diagnoza për transseksualitetin si sëmundje ekziston në Shifrorin e diagnozave në ueb-faqen e Fondit të Shëndetësisë dhe gjithandej. “Dihet se si është tretmani, por në Maqedoni nuk ju mundësohet këtyre personave, vetëm për atë se nuk u pëlqen kjo pushtetarëve. Dua të theksoj, te të gjitha qeverisjet, jo vetëm te kjo”, potencon Raiden.
Natasha Boshkova, avokat në Koalicionin për të Drejta Seksuale dhe Shëndetësore të Bashkësive të Margjinalizuara, e cila punon vetëm në dhënien e ndihmës ligjore të grupeve të margjinalizuara, në të cilën bëjnë pjesë edhe transseksualët, thotë se pas përgjigjeve të këtilla të shtetit, përkatësisht të Fondit, nuk ka bazë për padi, për shkak se tretmani dhe procesi i transformimit të këtyre njerëzve nuk janë të rregulluara në mënyrë ligjore.“Njëlloj e rëndësishme me diskriminimin në të drejtën për mjekim jashtë vendit është se në Maqedoni nuk ka asnjë psikolog të specializuar i cili mund të punojë me personat transgjinorë, edhe pse këtu ka psikolog tepër të mirë. Për shembull, një djalë gej jo moti shkon në psikiatër, e ky i ka dhënë një grumbull hapash, i ka shkruar testosteron, pa e dërguar në teste hormonale, edhe i ka thënë pas një jave të shihet me gruan. Dua të them, në Maqedoni ka psikiatër të cilët mjekojnë nga homoseksualiteti. E lëre më atë që psikiatri nuk guxon të mbajë hormone në ordinancë”, cek shembuj Igor Raiden.
Sipas procedurës zyrtare për personat transgjinorë, përkatësisht standardet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), personi së pari shkon në psikiatër. Psikiatri e vlerëson gjendjen e përgjithshme dhe ai sheh dhe vendos se a identifikohet transpersoni me gjininë. Ai duhet të shoh se a e çon diçka të mendojë se është trans, apo jo. Pastaj vijon dërgimi tek endokrinologu, me çka fillon terapia hormonale. Te ne ka specializim të përgjithshëm. Nuk ka specializim për ndjekje të zhvillimit. Personat transgjinorë shkojnë në Beograd, atje ka ekip profesional i cili punon 20 vite sipas standardeve të OBSH, të cilat vlejnë për transpersonat. Në Beograd fillon terapia, ndryshimet te personi, dhe ai është i përgatitur për operacion plastik.
Në Serbi një çmim për terapi hormonale dhe ndërhyrje kirurgjike për ndërrim të gjinisë ka për të siguruarit, e tjetër, shumë më të lartë për pacientët nga Beogradi. Më shtrenjtë në Qendrën Klinike në Beograd për operacion për ndërrim të gjinisë paguajnë pacientët nga vendet e Evropës Perëndimore, të cilët, sidoqoftë, në Beograd e kanë më lirë se sa ndërhyrjen ta bëjnë në shtetet e tyre. Ças Bono, fëmija i vetëm i yllit botëror të njohur Sher, e cila u lind si vajzë, në prill të këtij viti, në klinikën gjinikologjike-akushere “Fronti Popullor” në Beograd e ndërroi gjininë në mashkull. Terapia, përkatësisht transformacionin e ka filluar që nga viti 2008, ndërsa në 2010 ka marrë vërtetim nga gjyqi ta ndërrojë gjininë. Operacioni i ka kushtuar vetëm 3.000 euro, për shkak se shteti ka mbuluar dy të tretat e shpenzimeve. Për transdjemtë operacioni kushton nga 8.000 euro e lart.
“Në Maqedoni nuk ka asnjë kirurg të përgatitur për këtë fushë. Këtu hiqen gjinjtë, por te paciente të sëmura nga kanceri. Kur do të dëgjojnë kirurgët se ndonjë transdjalë don që të bëjë ndërhyrje vetëm në pjesën e epërme, t’i heq gjinjtë, kirurgët aspak nuk i futen asaj pune, thotë Igor Raiden.
Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut dhe Qendra LGBTI deri tani tri herë kanë organizuar stërvitje për persona të medicinës në Maqedoni, fillimisht për psikologët, dhe si ligjërues kanë ardhur aktivistë të organizatës evropiane “Trans xheneri”, si dhe përfaqësues të ekipit të mjekëve nga Beogradi. Në stërvitje jepen bazat dhe kriteret për diagnostifikimin e transseksualitetit. Stërvitja financiarisht është e mbuluar nga Ambasada e SHBA dhe e Holandës, të cilët e përkrahin tërësisht Qendrën LGBTI. Planifikohet edhe stërvitje e mëtutjeshme.
“Te ne, në të vërtetë, problem është diagnostifikimi i transeksualitetit. Për shkak se këtu nuk ka kush ta bëjë atë, diagnoza vërtetohet në Beograd, për shkak se është më afër. Atje i shkruajnë hormonet”, shpjegon avokatja Natasha Boshkova. Jo vetëm që në Maqedoni nuk ka ekipë (psikologë, endokrinologë dhe kirurgë për diagnozë, ndjekje, terapi hormonale dhe për operacion për ndërrim të gjinisë), nuk ka as rregullativë ligjore për këtë proces. Gjyqi Evropian për të Drejtat e Njeriut, nëpërmjet nenit 8 nga Konventa Evropiane për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut, ka të zhvilluar një praktikë ligjore se si duhet të rregullohet procesi në ato shtete që nuk e kanë këtë. Nëpërmjet gjykimeve, Gjyqi interpreton se si duhet të sillen vendet të cilat nuk kanë norma për nevojat e këtyre personave”, sqaron Boshkova.
“Shteti duhet të vendos se a është më lirë të stërvit ekipin e këtushëm në Maqedoni, apo të paguajë intervenime jashtë vendit. Në asnjë rast nuk mund t’i lërë këta pacientë të bredhin në shoqëri pa kurrfarë të drejtash shëndetësore”, reagon Boshkova.
Boshkova përfaqëson raste të disa personave transgjinorë të cilët kanë pranuar terapi hormonale, kanë bërë transformacion të pjesshëm apo komplet, dhe tani kërkojnë që shteti t’ua njohë identitetin e dëshiruar, që është edhe qëllimi përfundimtar i procesit të tranzicionit.
“Emrin dhe mbiemrin, sipas ligjeve tona, nuk është problem t’i ndërrosh, nëse nuk keni kufizime ligjore. Problemi është ta ndërroni shenjën m në f (nga mashkull në femër) dhe anasjelltas. Ajo tërheq ndryshim në numrin unik amë”, shpjegon avokatja. Deri tani vetëm një person ka arritur ta bëjë këtë, para dy vitesh, dhe tani jeton me emër të ri, me gjini, identitet të ndërruar dhe me dokumente personale.
Përveç për të drejtat shëndetësore dhe ndërrimi i gjinisë dhe të identitetit, në dokumentet personale, Zyra inicon dhe kryen procedura para qendrave për punë sociale dhe para gjyqeve për dhunë në shtëpi dhe për dhunë mbi personat transseksual nga rrethina. Për momentin ka pesë raste aktive.
Gjermania e para lejoi gjini të papërcaktuar
Gjermania u bë vendi i parë evropian që lejoi që fëmijët e lindur me karakteristikat e të dy gjinive të regjistrohen as si mashkull, as si femër. Prindërve, me nxjerrjen e ligjit të ri u është lejuar që në certifikatën nga libri amë i të lindurve fushën për gjininë ta lënë të zbrazët, me çka në regjistrin publik, praktikisht, jepet kategoria e gjinisë së papërcaktuar.
“Kjo do të jetë hera e parë që me ligj të pranohet se ekzistojnë krijesa njerëzore që nuk janë as meshkuj as femra, apo janë edhe të dyjat, njerëz që nuk përputhen në kategoritë ligjore tradicionale”, deklaroi së fundmi Konstanca Plet, profesor i drejtësisë në Universitetin në Bremen.
Plet thotë se pas kësaj do të duhet të vijojë edhe ndryshim i rregullave për dokumentet personale të tjera. Ndryshimi është bërë që të zvogëlohet presioni që prindërit me nxitim të marrin vendimin për operacionet kontroverse të rregullimit të gjinisë te të posalindurit. Edhe pse Ligji hyri në fuqi në fillim të nëntorit, nuk janë hequr pyetjet se si do të duket jeta pa gjini të caktuar ligjërisht. Ekspertët vlerësojnë se në çdo 1.500 deri 2.000 fëmijë lindet nga një me gjini të papërcaktuar.
Identiteti gjinor jashtë nga të gjitha ligjet
Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut përgatiti raport për zbatimin e rekomandimit të CM/Rec (2010)5 të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës për masat për luftë kundër diskriminimit mbi bazë të orientimit seksual dhe të identitetit gjinor në Republikën e Maqedonisë, ku konstaton se qeveritë maqedonase nuk kanë ndërmarë kurrfarë hapash për zbatimin e rekomandimit të Këshillit të Evropës. Rekomandimi bile nuk është as i përkthyer në gjuhën maqedonase, ndërsa shpjegimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme është se rekomandimet e KE nuk janë detyruese për vendet anëtare, thekson Komiteti i Helsinkit. Këto janë pjesë nga përfundimet që i përmban raporti nën hije:
- Orientimi seksual ishte i përjashtuar nga Ligji për pengim dhe mbrojtje nga diskriminimi si bazë e veçantë, ndërsa nga ana tjetër, identiteti gjinor as që u mor parasysh gjatë përpilimit të Ligjit.
- Nuk ekzistojnë veprime saktësisht të vendosura dhe të qarta për ndryshim të numrit amë, gjë që është e domosdoshme për njohje ligjore të ndërrimit të gjinisë në rast të personit transgjinor, për çka shkaktohet huti në veprim, si te zyrtarët shtetëror ashtu edhe te vetë personat transgjinorë.
- Edhe përkrah asaj që shteti ofron tretmane endokrinologe dhe psikologe, të cilën e kanë të nevojshme personat transgjinorë, ata nuk janë as efektive e as të përshtatshme, nga shkaku që nuk ekziston praktikisht asnjë stërvitje për punëtorët shëndetësorë profesional për raste të personave transgjinorë. Shteti nuk ofron intervenime kirurgjike për ndërrim të seksit dhe nuk ka dëshmi për refondim të mjeteve nga Fondi i Sigurisë Shëndetësore, bile as në raste kur personat e kanë kryer operacionin jashtë vendit, me mjetet e vetat.
- Në sferën e sportit, organet shtetërore nuk dhanë mund shtesë që ta kapërcejnë diskriminimin mbi bazë të orientimit seksual dhe të identitetit gjinor, si dhe gjuhës së urrejtjes.
- Në shëndetësi, përveç programit preventiv dhe studimeve biheviorale në kuadër të Fondit Global pë Luftë kundër HIV/SIDA, malaries dhe tuberkulozës, nuk ekzistojnë programe dhe shërbime të tjera te të cilat personat LGBTI kanë qasje.
(Ky tekst është i përgatitur në kuadër të projektit “Përforcim i bashkëpunimit mes organizatave civile dhe mediave për promovimin e të drejtave dhe lirive të njeriut dhe të lirive të shprehjes”, të cilën e realizon Media Instituti Maqedoni (MIM), ndërsa është financuar nga Bashkimi Evropian, nëpërmjet programit EIDHR. Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi ekskluzive e medias dhe në asnjë mënyrë nuk e paraqet pikëpamjen e Bashkimit Evropian apo të MIM-it.)