Autor: Saska Cvetkovska
Hulumtim i „Novatv“
"I turbullt është, nuk ka rehati kur bie shi" xhaxha Trajani tenton për ta përshkruar ujin, që deri kohëve të fundit rridhte nëpër çezmat e tyre më në Pehçevë, një qytet i vogël në lindje të Maqedonisë.
Ujësjellës ka, por zjarri tre vite më parë që kishte kapluar malin mbi qytet, gjërat i kishte bërë më problematike, sepse një zonë e madhe me dru është zhdukur. Ashtu që, sa herë që ka shi apo dëborë nga çezmat e tyre rrjedh ujë me ngjyrë kafe të çiltër. Ose "në rastin më të mirë është i tillë", siç thotë xhaxha Trajani, për shkak se kishte mundësi që të mos kishte farë ujë. Problemin me ujë e kanë tash e disa vite. Gati 3,500 banorë jetonin me këto telashe. Sipas autoriteteve, edhe pse uji i turbullt, në aspekt bakterial ka qenë në rregull dhe iu është thënë atyre që të kenë durim derisa të gjenden të holla dhe një zgjidhje për këtë problem.
“Çfarë mund të jetë më e rëndësishme se uji, më thoni, që dikush të kërkojë nga ju durim. I tërë Shkupi vlon nga monumentet prej miliona euro, ndërsa unë para ca ditësh kuptova se sa paska kushtuar "ilaçi", thotë ai.
Komuna në bashkëpunim me sektorin joqeveritar ka kërkuar zgjidhje të këtij problemi. Kjo erdhi me të holla të huaja në kuadër të projektit të USAID-idit për strategji komunale për ndryshimin e klimës, ndërsa përveç Pehçevës probleme të tilla dhe të ngjashme janë zgjidhur edhe në komuna të tjera. 15 mijë dollarë kushtuaka ky investim që vjen me një laborator të vogël, ku komuna do të jetë në gjendje të monitorojë, nëse dhe sa është i ndotur uji, nëse eventualisht vjen deri te problemet e tilla.
Tabela e stacionit të spastrimit ku është shënuar donacioni nga qeveria amerikane.
Punë në Pehçevë pak para vënies së filtrit
Jasmina Pashaliski nga organizata lokale joqeveritare "Ambrosia" shpjegon se kohë të gjatë është kërkuar zgjidhje për këtë problem, sepse komuna Pehçevë ndodhet në një nga rajonet më të varfra në vend. Këshilli pranoi dorën e shtrirë nga donatorët e huaj dhe së bashku me joqeveritarët punuan në instalimin e ri të filtrit për stacionin e spastrimit në Pehçevë.
"Zjarri krijoi probleme të mëdha. Çdo shi apo dëborë, do të thotë ujë me baltë ose ndërprerje e ujit, njerëzit kështu vazhdonin disa vite me radhë”, shpjegon Pashaliska.
Xha Trajani tha se ishte i kënaqur. Por, ai shton se është "e pashembullt që kaq kohë duhet që të gjendet zgjidhja për këso problemesh në shekullin e 21-të."
Megjithatë, autoritetet kompetente theksojnë se edhe pse uji është i turbullt, uji qenka në rregull dhe jeta e askujt nuk qenka e kërcënuar.
Te ujësjellësi me mundime edhe në kryeqytet
Në qoftë se disa nuk kanë filtra, të tjerët as që kanë ujësjellës. Rreth 14 për qind e amvisërive në Maqedoni nuk kanë qasje te ujësjellësi publik. Gati 4 për qind, pinë ujë nga puset, 5 për qind nga hidroforët personal, ndërsa pjesa tjetër furnizohen me ujë në mënyra të panjohura, larg nga shtëpia.
Edhe pse fakti se numri i përgjithshëm i familjeve 86.9 për qind furnizohen me ujë nga ujësjellësi publik paraqet një tregues të lartë statistikorë, vet fakti që në mijëvjeçarin e 21-të në zemër të Evropës, ka ende familje që pinë ujin që nuk është kontrolluar as nga ana biologjike e as kimike, është shqetësuese dhe nuk mund të ketë justifikim për shtetin se për çfarë arsye në çdo apartament dhe çdo shtëpi nuk ka ujë të pastër për pije", do të ketë vërë në dukje Enti Shtetëror i Statistikës, në komentet e tij në publikimin për mjedisin jetësor të vitit 2013.
Nikola T porsa ka ndërtuar një shtëpi në lagjen Pintija, që është pjesë e Qytetit të Shkupit ose saktësisht ndodhet 5 kilometra nga kryeqyteti. Shtëpinë e ka ndërtuar para rreth një viti, mirëpo sot nuk do ta bënte të njëjtën zgjidhje.
"E pse të jetojmë në një lagje pa ujësjellës publik, ta dija se do të jetë kështu kurrë nuk do të kisha investuar në këtë lagje", thotë ai.
Para se të fillonte ndërtimin e dinte se kjo lagje ka probleme me furnizimin me ujë. Pintija është lagje kodrinore. Ata që jetojnë në pjesët më të larta kanë ujësjellës, por për shkak të rrjetit shumë të vjetër të ujësjellësit, nuk ka shtypje, kështu që ujë ka vetëm gjatë natës. Ekziston edhe një tjetër pjesë e lagjes, më e re, u bë shumë tërheqëse në vitet e fundit për njerëzit që duan të jetojnë pranë pyjeve dhe të ndërtojnë shtëpitë të bukura, duke pasur parasysh se Shkupi është populluar shumë dendur dhe vështirë gjendet vend i mirë për ndërtimin e shtëpive. Një pjesë e Pintisë së zgjeruar nuk është përfshirë në rrjetin e ujësjellësit.
"Komuna vazhdimisht na premton se do të na përfshijë në ujësjellësin e ri, i cili është vendosur pjesërisht. Mua kjo më është thënë para se të filloj ndërtimin, e tani nuk ka asgjë ", thotë Nikolla
Tani banorët mbledhin të holla që vetë ata të lidhen me sistemin e ujësjellësit. Blejnë tuba, angazhojnë kompani për gërmim. Autoritetet e komunës iu kanë thënë se "ashtu është më shpejtë dhe më zgjuar", pa marrë parasysh se secili qytetar, para se të marrë leje ndërtimi, është i detyruar të paguajë taksa shtetit për ujësjellës dhe kanalizim.
"Ca ditë më parë një rrugë e kanë lidhur me ujësjellësin. Kuptuam se ajo ishte një donacion nga një qeveri e huaj. Ka edhe disa pjesë që komuna i ka lidhur, por ajo është një lotari, nuk dihet kur, si dhe në qoftë se kjo do të ndodhë, "thotë TRAJKO V, fqinj i Nikollës.
Trajkua tregon se po ballafaqohen me probleme sociale, duke u përpjekur që të sigurojnë vet ata qasje deri te ujësjellësi publik.
"Në rrugicën tonë ka dy familje që nuk kanë para për të investuar për vete. Çfarë të bëjmë, patjetër ne të tjerët të mbledhim të holla. Por le të jetë kështu, pse të paguajmë për diçka që na takon dhe e kemi paguar tashmë", thotë ai.
Nga komuna, megjithatë, thonë se po bëjnë çdo gjë që është e mundur që të gjitha familjet të jenë të lidhura me sistemin e ujësjellësit. Nuk duan të ndërhynë, siç thonë ata "në raste individuale".
Nikolla dhe Trajkua na përcollën të hidhëruar duke thënë se “është e vështirë, të jesh vetëm 5 kilometra larg nga bronzi i shtrenjtë i sheshit të qytetit, i cili kushton qindra miliona euro, ndërsa për problemet e tyre nuk mund të ndahen as disa mijëra euro".
Edhe pranë ujit, të etur
Por, të keni qasje në ujësjellës publik nuk do të thotë se ka ujë të përhershëm. Qyteti i Kumanovës, i cili është qyteti i dytë më i madh në Maqedoni mbetet pothuajse çdo verë pa ujë. Arsyet janë se ujësjellësi është shumë i vjetër, në të cilin nuk kanë investuar në mënyrë që të funksionojë. Ose kështu mendohet, duke pasur parasysh se autoritetet kompetente nga ndërmarrja lokale për shërbime të ujit dhe ajo shtetërore, vazhdimisht e fajësojnë njëri-tjetrin, ndërsa qytetarët janë si top ping-pongu.
"Çfarë uji, paguaj faturat edhe kur nuk kam ujë. A e dini se çfarë do të thotë në verë, në 45 gradë të mos keni ujë për dush, për të pirë ", tha Milanka, nënë e dy fëmijëve foshnja nga Kumanova, e cila theksoi se situata është edhe më shqetësuese nëse keni foshnje.
Probleme të ngjashme ka edhe në Shkup në zonat kodrinore. Banorët e Shkupit të lagjes Butel 2 pranë qendrës së Shkupit ankohen se çdo verë ata patjetër duhet të lahen dhe të gatuajnë pas mesnatës, për shkak se presioni i ujit vetëm atëherë normalizohet.
"Unë kam qenë në komunë dhe te ujësjellësi shumë herë. Më thonë ata, ujësjellësi është i vjetër që para 50 viteve. Nuk ka presion assesi, unë nuk mund të bësh një dush gjatë ditës, mezi pikojnë pika, të thonë pritini në mbrëmje, bëhu i kuptueshëm. Pse të bëhem i kuptueshëm kur paguaj faturat rregullisht, çfarë bëjnë ata me paratë tona, pse të mos investojnë”, ankohet Naste Mitkovski i cili në këtë lagje jeton që nga themelimi i saj, që pas tërmetit të Shkupit në vitin 1963.
Ekspertët e të drejtave të njeriut thonë se nuk bëhet fjalë për shkeljen e të drejtave të njeriut.
"Qasja deri te uji është një nga të drejtat themelore të njeriut, është e shkruar në Deklaratën Universale të Kombeve të Bashkuara që nga viti 1948 dhe çdo anëtare ka një detyrim për ta respektuar dhe ta ndjek. Nuk mund të ketë arsyetime se pse qytetarët nuk kanë qasje deri te uji i sigurt në shekullin e 21-të ose pse ballafaqohen me qasje të kufizuar diku, këto janë të drejta themelore dhe nevoja bazë" tha Urania Pirovska - drejtor ekzekutiv i Komitetit të Helsinkit për të drejtat e njeriut.
"Maqedonia ka marrë përsipër detyrime me dokumente ndërkombëtare dhe ka një detyrim për të siguruar ujë për të gjithë qytetarët. Por, shkelje e të drejtave të njeriut dhe qytetarit është edhe qasja e kufizuar deri te uji, nuk mund të ketë, e kështu në verë të mos ketë. Sa i përket rasteve kur qytetarët vet vendosin ujësjellës, për shkak se shteti nuk mund ose nuk do, kjo është e paligjshme dhe antikushtetuese, për shkak se shteti sërish ka një detyrim që çdo qytetari t`i sigurojë qasje në ujë, tha Xhabir Deralla, kryetar i OJQ “Civil”, i cili i monitoron gjendjen e të drejtave të njeriut në Maqedoni.
Qeveria aktualisht krenohet që përmes Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve është duke filluar një projekt që ka për qëllim ka të sigurojë më shumë qasje në rrjetet e ujit në çdo pjesë të vendit. Por, lavd dhe premtime ka patur edhe më parë dhe ka patur shumë. Deri tani, vendi i njohur për pasurinë e saj me ujë mbetet të jetojë me fatin ironik - edhe pranë ujit, të etur.
Ndërmarrja Publike “Ujësjellësi dhe Kanalizime” ka investuar më shumë se 10 milionë euro për të ndërtuar një ndërtesë të re administrative në Kale.
(Ky tekst është përpunuar në kuadër të projektit “Përforcimi i bashkëpunimit ndërmjet organizatave të qytetarëve dhe medieve për promovimin e të drejtave të njeriut dhe lirinë e shprehjes” që e realizon Instituti maqedonas për media (MIM), ndërsa është financuar nga Unioni Evropian nëpërmjet të programit EIDHR. Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi vetëm e medies dhe në asnjë mënyrë nuk i shpreh qëndrimet e Unionit Evropian ose të MIM).