Autor: Aleksandra denkovska
Hulumtim i „Nova Makedonija“
Përshtypja e parë që kam marrë për jetimoren që ndodhet në fillim të një rrugicë me kallderma që të çon deri te varrezat në Butel ishte shqetësuese. Në Këtë institucion jetojnë së bashku të rinj me dosje policore dhe fëmijë me prejardhje nga familjet e varfra.
.
HULUMTIMI: "NOVA MAKEDONIJA" DY MUAJ NË MESIN E FËMIJËVE TË JETIMORES
Persidën për herë të parë e takova para më shumë se një viti, në shtëpinë e saj, nëse mund të quhet kështu vendi ku jetonte ajo. Na priti në dhomën gjysmë të zbrazët me dritare të thyera, pa energji elektrike dhe pa ngrohje. Dhoma ndjente aromë urine, lagështie, qepë të kalbura - çdo gjë së bashku. Herën e dytë kur e pashë ajo ishte në gjendje të konsiderueshme më të mirë, edhe pse me pasojat e mënyrës së dikurshme të jetës. U gjetëm në një ëmbëltore në Taftalixhe, në afërsi të shtëpisë së saj të re. pasi që më tregoi për punën e saj të re dhe për shtëpinë e re, e luta që të më thoshte historinë që e solli në atë dhomëz të vogël ku u takuam për herë të parë.
Më tha se ka qenë në jetimoren për fëmijë pa prindër "11 Tetori". Prej atje e kanë transferuar në institutin për fëmijë me probleme sociale dhe edukativo-arsimore "25 maji", ndërsa një periudhë të shkurtër ka qenë në Entin për kujdes, edukim dhe arsimim të fëmijëve dhe të rinjve "Ranka Milanoviq".
Persida thotë se koha e kaluar në jetimoren "25 maji", ishte një tmerr i vërtetë. Kushtet e banimit ishin të këqija, ndërsa thotë se edukatorët shpesh i rrihnin të strehuarit.
- Më detyronin të kërkoj lëmoshë dhe paratë tua jap atyre, ata më rrihnin, jo vetëm mua, por edhe fëmijët e tjerë. Përjetuam dhunë edhe nga edukatorët edhe nga fëmijët. Ata që janë më të fortë gjithmonë i rrihnin të dobëtit - thotë Persida.
Sipas saj, më e keqja ishte se askush nuk i dëgjonte britmat e tyre për ndihmë.
- Tani, kur do të dëgjoj në lajme se shteti ka bërë diçka për fëmijët që janë vendosur në institucione, më vjen shumë keq. Me atë tregojnë se jeta e të strehuarve nuk ka qenë asnjëherë prioritet i interesit të tyre. Thonë se u japin donacione, duke u dhënë ushqime dhe veshje. Por, edhe kur isha unë në jetimore ushqimi dhe rrobat nuk vinin gjithmonë te ata që iu dedikoheshin. Ka pasur raste kur disa nga edukatorët i merrnin gjërat më të bukura. Nëse dikush na sillte ndonjë gjë, ata zgjidhnin dhe na detyronin t`i marrim gjërat që ata duan dhe tua japim. Kishim ushqime të rregullta, por shujtat ishin të njëjta gjatë gjithë kohës. Margarinë, mjaltë dhe çaj për mëngjes. Ndodhte që të hamë fasule tërë javën, edhe oriz poashtu. Mish kemi ngrënë rrallë. Shpesh paratë që është dashur t`i marrim nga jetimorja përfundonin te edukatoret, në vend se të përfundojnë te ne, duke u justifikuar se ne jemi të dënuar për diçka - tregon Persida.
Ajo thotë se, për shkak të të gjitha problemeve dhe fatkeqësive që i ka përjetuar në jetimore disa herë është arratisur, por e kanë kthyer përsëri.
- Herën e fundit që u arratisa, pastaj më rrahën. Këmbën e kisha të lënduar. Në fillim kam fjetur në bodrume, derisa nuk u shpërngula në vendin ku më gjetën ata të shoqatës për mbrojtjen e kafshëve. Përfitoja duke kërkuar lëmoshë. Nuk ishte hera e parë që e bëja atë, kërkoja lëmoshë edhe derisa isha në jetimore – rrëfente Persida
Stevço Sokolov, i cili më parë ka punuar si edukatorë në jetimore, e tani shtatë vite është drejtor i institucionit, thotë se është e vështirë të punohet me fëmijë, sidomos me fëmijët të cilëve i është shkelur kodi moral. Ai thotë se ndodh shpesh te fëmijët, të cilët dëshirojnë t`i shmangen situatës së padëshiruar thonë se janë nga jetimorja dhe se ata janë rrahur dhe torturuar. Për akuzat e Persidës, Sokolovi thotë se nuk dëshiron ta demantojë, por thotë se edukatorët nuk kanë marrë nga donacionet e dedikuara për fëmijë dhe se institucioni ka regjistër ku i shënon donacionet.
ASKUSH NUK DËSHIRON TË FLASË
Për të arritur deri te informacionet e vërteta në lidhje me jetën e fëmijëve në këtë institucion bisedova edhe me ish punonjësit e këtij institucioni. Për fat të keq, nga ata nuk arritëm të kuptojmë ndonjë gjë. Ata më thanë se kur ata kanë filluar të punojnë në jetimore kanë nënshkruar marrëveshje, e cila i obligon të mos flasin për atë që ndodh në jetimore.
E dini se sa e vështirë është sot për të gjetur punë. Nuk guxojmë të flasim për atë që ndodh në jetimore. Vetëm mund të them se është e frikshme. Si në çdo jetimore, edhe aty ndodhin lloj-lloj gjërash – mu përgjigjën shkurt.
Arrita në përfundimin se asgjë nuk do të më japë një pamje më të mirë të jetës së këtyre fëmijëve, nga ajo që unë mund të shoh personalisht. Për këtë arsye me dy koleget filluam të punojmë si vullnetar në jetimore.
Me fëmijët kaluam gati dy muaj. Përshtypjen e parë që morëm për jetimoren, që ndodhet në fillim të një rrugicë me kallderma që të çon te varrezat në Butel, ishte traumatike. Në Këtë institucion jetojnë së bashku të rinj me dosje policore dhe fëmijë me prejardhje nga familjet e varfra. Të strehuarit nuk janë të ndarë sipas moshës, as sipas gjinisë. Ata jetojnë së bashku dhe ndajnë thuajse të njëjtat shprehi. Sipas informatave jozyrtare të "Nova Makedonija", ky institucion një kohë të gjatë punon pa asnjë program të zhvillimit dhe të risocializimit të të strehuarve. Disa nga njerëzit që punojnë me fëmijët thonë se nuk është çudi që para se ta lëshojnë jetimoren shumica e të strehuarve kanë dosje policore. Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, vetëm në periudhën nga janari deri në tetor të vitit të kaluar SPB - Shkup ka ngritur akuza penale kundër shtatë fëmijëve të mitur nga kjo jetimore për 12 vepra penale.
JETIMORJA SI PARISI NË SHEKULLIN E 18
Për herë të parë hyjmë në oborrin e madh, ku ndriçon vetëm një llambë. Në hyrje na presin fëmijët më të rinj se 13 vjeç. Të veshur me rroba të grisura dhe të shkoqitura, me këpucë që nxjerrin jashtë gishtat e tyre të ngrira. Edhe pse është dimër, është e rrallë që ndonjë fëmijë të ketë pallto. Na përqafojnë dhe na puthin si të na njohin një jetë të tërë. Nuk e dimë se a të gëzohemi apo të vajtojmë nga kjo pamje e fëmijëve, shikimi i të cilëve shëtitet në qeset që i mbajmë në duar. Të lëvizshëm, na kapin për dore që të na çojnë në jetimore, ku na presin edukatorët.
Mendimi me të cilin u nisëm në jetimore ishte që me fëmijët të krijojmë seksionin e dramës, të përgatisim dramatizim që më vonë fëmijët do ta aktrojnë para nesh, edukatorëve dhe miqve të jetimores. Misioni që në fillim është dënuar në mossukses, sepse edukatorët na thanë se disa nga fëmijët nuk dinë të lexojnë dhe nuk do të mësojnë përmendësh asnjë fjali të dramës.
- Më së miri do të ishte që t'i jepni disa vjersha atyre edhe atë të mos i mësojnë të tëra, por një këngë tua ndani disa fëmijëve - thanë edukatorët.
Na thanë që fëmijët mund të mësojnë vetëm një ose dy vargje.
Si është e mundshme që fëmijët dymbëdhjetë dhe trembëdhjetë vjeç të mos dinë të lexojnë. Vallë askush s`punon me ta? Shkojnë ata në shkollë ? Si mund që shteti, i cili promovon projekte të tilla si “kompjuter për çdo fëmijë dhe edukim i arritshëm për të gjithë”, në një institucion që është nën juridiksionin e tij të lejojë fëmijë trembëdhjetë vjeçar të mos dinë të lexojnë dhe të mos mbajnë mend. Por, sa më shumë kohë që kalonim me fëmijët e kuptonim se cila është arsyeja për mosinteresimin dhe dështimin. Shkatërrues ishte fakti se të strehuarit se nuk dinë të lexojnë dhe se ky fakt nuk i ka tronditur edukatorët. Në një situatë të tillë, njëra prej tyre tha se ishte më mirë të mos i thërrasim djemtë, se janë duke luajtur futboll, e derisa luajnë, ata nuk janë të interesuar për asgjë, e të paktën për libra.
Në pesë vitet e fundit, vetëm pesë të strehuar të këtij institucioni janë regjistruar në fakultet.
Drejtori Sokolov, thotë se vet emri i institucionit, Instituti për fëmijë me probleme sociale dhe edukative, nuk lejon që të kenë një përmirësim të madh, për shkak se njerëzit kanë frikë nga emri. Thotë se të strehuarit deri në klasë së tetë, orë mbajnë në jetimore, ndërsa mësimin e mbajnë me mësimdhënies nga shkolla "Zhivko Brajkovski".
Problem edhe vet emri i institucionit
- Nuk paskan klasa të veçanta, por klasa e parë dhe e dytë janë së bashku, e treta dhe e katërta e kështu me radhë. Është më se e qartë se kjo metodë nuk jep rezultate. Ky është një problem i madh, për shkak të emrit të institucionit nuk mund që fëmijët t`i regjistroj në një shkollë për të mësuar me fëmijët e moshës së tyre. Problemi është se prindërit e fëmijëve nga shkollat ankohen dhe nuk duan që fëmijët e tyre të mësojnë me fëmijët nga jetimorja. Disa herë u përpoqa për t`i regjistruar, por nuk arrita. Tani jam duke u përpjekur që ata fëmijë, të cilët tregojnë sukses më të madh t`i përfshij në klasa, një nga një. Shpresoj se do të arrij të kem sukses që të gjithë të marrin një shkollim normal - shpjegoi drejtori Sokolov.
Sokolovi thotë se që në muajin e parë të mandatit të tij si drejtor i këtij institucioni ka kërkuar të ndryshohet emri, për shkak të këtyre problemeve. Shpreson se ndryshimet në ligjin e ri për mbrojtje sociale, më në fund do të zgjidhin këtë problem. Drejtori thotë se fëmijët e jetimores, kanë vetëbesim të ulët, s`janë të qëndrueshëm, janë të refuzuar nga shoqëria dhe kanë frikë për të ardhmen. Këto karakteristika të të strehuarve kontribuojnë në mënyrë të plotë në dështimin e fëmijëve të jetimores.
- Për këto arsye unë jam i lumtur që pesë fëmijë arritën të regjistrohen në fakultet. Në vitet e fundit, para mandatit tim, s`ka as edhe pesë fëmijë, të cilët janë regjistruar në fakultet- thotë drejtori.
Rruga drejt pjesës së jetimores ku janë vendosur fëmijët çon përmes një korridori të gjatë, muret e pista janë të zbukuruara me disa hamerë që fëmijët i kanë përpunuar me mësuesit. Ecnim nëpër korridorin e ftohtë, ndërsa ndjenja është si të hysh në një varr, e jo një shtëpi ku tridhjetë fëmijë jetojnë. Për një situatë edhe më të tmerruar kontribuon edhe temperatura e ulët në ndërtesë, e cila na detyron që të shtrëngojmë kapotat rreth qafës, ndërsa fëmijët janë pothuajse me mëngë të shkurtra. Qysh gjatë hapit të parë kur ju hapni derën e përparme, në të cilën ka një vrimë të madhe, në fyt na mbetet një lëmsh, era e kundërmimeve i mbështjell korridoret e ftohta. Sigurisht, për shkak të këtij kundërmimi të keq, hapi i parë në këtë shtëpi më kujtoi fillimin e romanit " Parfumi" nga Patrik Zyskind.
"Në kohën për të cilën bëhet fjalë, në qytetet mbretëroi një kundërmim i erës së keqe që ne sot mezi mund ta imagjinojmë. Rrugët kundërmonin një erë të keqe, oborreve i vinte era urinë, shkallët e shtëpive kundërmonin në qelbësirë të drurit dhe bajgave të minjve, kuzhinave i vinte era lakër e kalbur dhe era yndyrë dhensh, dhomat e pa ajrosura kundërmonin në myk dhe pluhur, dhomat e gjumit me çarçafë të palarë, dyshekë të lagësht dhe duhma e keqe e filxhanëve të tualetit.
Fshatari kundërmonte si prifti, çiraku si gruaja e mjeshtrit, e gjithë fisnikëria kundërmonte, madje edhe mbreti u qelb si kafshë grabitqare, "shkruan Zyskind
FËMIJËT NGA FAMILJET E VARFËRA DHE ATO ME DOSJE JETOJNË SË BASHKU
Një nga misteret e shumta që kemi për këtë institucion, është se për se në këtë jetimore jetojnë edhe fëmijë të vegjël. Më vonë edukatorët na thanë se, përveç fëmijëve me probleme sociale dhe edukative, në jetimore jetojnë edhe fëmijët e familjeve që nuk kanë para të mjaftueshme që t`i mbajnë. Kishte fate të trishtuara. Motra dhe dy vëllezërit, babai i të cilëve ka vdekur dhe nëna është martuar, ishin vendosur në jetimore, për shkak se njerku i tyre nuk i ka dashur. Fëmija që ka jetuar me gjyshen e vet, e cila nuk ka mundur ta mbajë, djali, nëna e të cilit është në burg dhe dhjetëra tregime më prekëse. Fëmijë që mendojnë se askush nuk i do dhe se janë të harruar. Çfarë mëkati kanë bërë ata, për të merituar një fat të tillë ?
- Shumica e fëmijëve vijnë të qetë, të etur për dashuri, por për disa javë përshtaten në atmosferë të tillë dhe bëhen hajdutët më të mëdhenj – thanë të punësuarit në jetimore, të cilët dëshiruan të mbesin anonim.
Sipas tyre, ajo që fëmijët e vegjël ndajnë jetën e tyre me fëmijët e moshës 16 vjeçare që kanë probleme me sjellje, aspak nuk është mirë, ndërsa ne në këtë arritëm të bindemi vetë.
Në disa raste kur me të vegjlit mësuam këngë, ata ishin të qetë derisa në dhomë nuk shfaqej ndonjë nga fëmijët më të moshuar. Pastaj të vegjlit bëheshin persona të tjerë. Nuk ishin ato krijesa të ëmbla që duan të përqafohen. Menjëherë filluan të tregojnë forcë dhe dëshirë për tu bërë kryesori.
Kreu i institucionit është i vetëdijshëm për ndikimin që e kanë fëmijët më të mëdhenj përball atyre të vegjëlve.
- Ne jemi shpresa e tyre e fundit për disa nga këta fëmijë. Institucionet e tjera nuk i pranojnë, edhe nëse ne nuk i pranojmë, do të mbesin në rrugë. Së shpejti kemi në plan të bëjmë njësi të veçanta për të dy grupet e fëmijëve. Ata me probleme edukative dhe fëmijët e familjeve të varfra do të vendosen në pjesë të ndryshme dhe pothuajse nuk do të takohen. Një numër i vogël i fëmijëve në këtë institucion kanë kryer vepra penale, por kudo krijohen liderë pozitiv dhe negativ që e ndikojnë mjedisin - tha Sokolovi.
Profesoresha e Psikologjisë për fëmijë Miroslava Millosheviç-Nikoloska, e cila në vitin 1974 ka punuar në këtë jetimore, tha se ishte e papranueshme që fëmijët, të cilëve i është shqiptuar një farë mase të përzihen me fëmijët e qetë dhe të bindur.
Bëhet fjalë për dy kategori fëmijësh, ndoshta edhe më shumë. Njëri grup ka nevojë për një lloj ndihme, ndërsa të tjerëve krejtësisht ndihmë tjetër. Asgjë e mirë nuk do të lind nga përzierja e këtyre dy kategorive të fëmijëve - thotë profesoresha.
Fëmijët i vizitojmë të hënën dhe të mërkurën, nga ora 17.00. Kohën e kemi të planifikuar saktë. Për shoqërim kemi vetëm dy orë para darkës. Ushtrimet ecin me vështirësi, sepse një pjesë e madhe e të strehuarve me të cilët punojmë, mezi dinë të lexojnë dhe nuk mund të qëndrojnë të përqendruar për më shumë se njëzet minuta. Disa nuk mbajnë mend emra, ndërsa të tjerët nuk dinë të tregojnë kur e kanë ditëlindjen.
Gjatë të gjitha vizitave tona fëmijët janë të palarë, nën thonjtë kanë mbeturina të zeza, flokët rrallë herë u janë krehur, ndërsa rrobat pothuajse asnjëherë të pastra.
Vetëm gjatë një vizite, të strehuarit mbanin erë të pastër, janë të larë dhe të rregulluar, si dhe dhomat janë dukshëm më të pastra se më parë. Në banjat ka drita, që nuk ishte rasti i tillë më parë, të paktën jo në këto disa banja në të cilat ne kemi hyrë. Fëmijët thonë se vetëm një ditë para nesh i ka vizituar delegacioni që e ka lëshuar në përdorim kuzhinën e re të çajit.
Sipas Tatjana Gogovskas, Magjistër për komunikime me përvojë të gjerë në punën me fëmijë, çdo fëmijë lind me cilësi të mira dhe të këqija, ndërsa në të shumtën e rasteve mjedisi social ndikon në atë se cila cilësi prej tyre do të zhvillohet.
- Nga një perspektivë psikologjike, periudha 8-10 vjet në fëmijëri është më e theksuar në zhvillimin e të gjitha emocioneve, që reflektohen pas të tetëmbëdhjetave të jetës. Prandaj duhet që të tregohemi shumë të kujdesshëm në këtë periudhë, cilat karakteristika do të zhvillohen te fëmijët, si dhe me kë do të komunikojnë dhe çfarë vlera do tu vendosen përpara - thotë Gogovska.
Ajo pohon se në situatat aktuale në pjesën e gjendjes sociale, institucionet kanë lënë mjaft hapësirë për mospërputhje në këto korniza. Dhe shumica e viktimave janë fëmijë, të cilët pas 18 vjetësh, kur do të humbin të drejtën për të qenë pjesë e këtyre institucioneve, përsëri do të mbesin në rrugë, do të jenë të varfër, ndoshta do të zhvillohen në persona që do të vjedhin, do të grinden dhe përsëri do të kenë pasardhës që do të trajtohen dhe kujdesen sikur se edhe prindërit e tyre.
- Në këtë mënyrë ne përfitojmë një rreth të pafund, nga i cili nuk krijohet asgjë e mirë – thekson Gogovska.
Sokolovi thotë se shumë prej fëmijëve, të cilët janë vendosur në jetimore, zakonisht në institucion vijnë të pakujdesur në aspektin arsimor dhe edukativ, e kjo është një prej arsyeve që edukatorët e kanë të vështirë t`i mësojnë fëmijët për rregullat themelore.
- Të strehuarit tanë zakonisht vijnë nga familje jofunksionale, te të cilat nuk kishin një model të cilin do ta pasqyronin. Këto probleme nuk mund të zhduken vetë. Duhet të kalojë kohë, që fëmijët të përfitojnë shprehi normale, që ta shmangim këtë problem, ndërsa këtu ndikon mosha kur fëmija është dorëzuar në jetimore. Kemi disa raste që janë me të vërtetë të vështira dhe ata kanë nevojë për kohë më të gjatë që të marrin veten. Disa fëmijë kanë qenë të abuzuar në shtëpi, ndërsa disa të tjerë, thjesht nuk pranojnë norma pozitive – thekson ai.
Kalojnë disa stacione gjatë rrugëtimit
Jozyrtarisht, fëmijët e vendosur në jetimore kanë disa stacione gjatë rrugëtimit të tyre. Stacioni i parë është "11 tetori", nëse bëjnë probleme apo edukatorët nuk mund të merren me ta, ata transferohen në jetimore për fëmijët me probleme sociale-edukative "25 Maji", e prej këtu në jetimoren "Ranka Milanoviq", që të përfundojnë në institucion ndëshkues - korrektues. Këtë e konfirmojnë edhe të dhënat e marra nga Ministria e Punës dhe e Politikës Sociale.
- Nga "11 tetori" në institucion publik për fëmijë me probleme edukativo-sociale "25 maji" janë marrë nën kujdes gjashtë persona të mitur dhe dy të mitur nga "Fshati i fëmijëve SOS”. Prej këtij institucioni në entin për kujdes, edukim dhe arsimim të fëmijëve dhe të rinjve "Ranka Milanoviq" është marrë në kujdes një person i mitur, si dhe një person i mitur nga "Fshati i fëmijëve SOS". Nga IP enti për kujdes, edukim dhe arsimim të fëmijëve dhe të rinjve "Ranka Milanoviq" nuk ka të mitur që këtë vit janë transferuar në institucionet edukativo – korrektues – u përgjigjën nga Ministria.
(Ky tekst është përpunuar në kuadër të projektit “Përforcimi i bashkëpunimit ndërmjet organizatave të qytetarëve dhe medieve për promovimin e të drejtave të njeriut dhe lirinë e shprehjes” që e realizon Instituti maqedonas për media (MIM), ndërsa është financuar nga Unioni Evropian nëpërmjet të programit EIDHR. Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi vetëm e medies dhe në asnjë mënyrë nuk i shpreh qëndrimet e Unionit Evropian ose të MIM).