Boksi, kur ndonjë është i ndryshëm, rëndon dhe dhemb më shumë!

    Autor: Mirosllava Burns
    Hulumtim i „Plusinfo
    Në Maqedoni rritet numri i rasteve ku rrihen persona për shkak të orientimit të tyre seksual apo të përkatësisë etnike, ku ndizen xhami dhe kisha, sulmohen shtëpitë e aktivistëve për të drejtat e njeriut, por rrallëherë këto raste paraqiten te kompetentët si krim nga urrejtja.

    Realitetin e këtillë nën lëkurën e tij e ka ndjerë aktivisti për të drejtat e njeriut Petar Stojkoviq, i cili vitin e kaluar nëpërmjet një kolumne e shpalosi orientimin e tij seksual dhe që atëherë përditshmëria e tij është e mbushur plot me shqetësime dhe pasiguri. Disa herë autorë të panjohur ia sulmonin me gurë shtëpinë e tij, vazhdimisht merr porosi shqetësuese përplot kërcënime dhe me gjuhë të urrejtjes, por deri më tani askush nuk përgjigjet për këtë.

    -Pas autimit tim vijonin kërcënime dhe sulmimi me gurë i shtëpisë sime. Rasti është i paraqitur në MPB, por deri më tani nuk jam i informuar për epilogun nga hetimi i tyre eventual, nëse ekziston një gjë e tillë. Tani për tani jam i detyruar të lëviz në rrethana të kontrolluara, me transport të organizuar dhe prezencë të personave të tretë me mua gjatë gjithë kohës që jam jashtë shtëpisë sime – sqaron Stojkoviq.

    Ai vlerëson edhe se krahas sigurisë së rrezikuar të aktiviteteve dhe të shoqërisë LGBT në përgjithësi, institucionet nuk e kuptojnë seriozitetin e situatës.

    - (Jo)reagimet e tyre u japin kurajo fobive-LGBT, që të vazhdojnë me përhapjen e gjuhës së urrejtjes dhe nxitjes së dhunës dhe incidenteve të tjera nga urrejtja. Përveç që nuk veprojnë në mënyrë preventive, ata as që i hynë punës që t’i gjykojnë ngjarjet që e përcollën javën e krenarisë në Shkup dhe që rezultuan me dëme materiale dhe lëndim të një polici – sqaron ai.

    Ekspertët paralajmërojnë se në praktikën maqedonase për zbulimin dhe ndjekjen e veprave të urrejtjes mungon definimi i tyre si të tilla. Përkundër praktikës në Shqipëri, Bosnjë e Hercegovinë, Mal të Zi dhe Serbi, në Maqedoni nuk ka as mbikëqyrje e njoftim të veçantë, si dhe statistikë, për veprat e urrejtjes – kanë shënuar akademiku Vllado Kambovski dhe dr. Mirjana Lazarova Trajkovska në analizën ligjore të konceptit të veprës së dënueshme të urrejtjes dhe të gjuhës së urrejtjes nga shtatori i vitit 2012, duke shtuar se policia nuk mban evidenca të veçanta, ndërsa në akuzat penale nuk ceket ekzistimi i motivit të urrejtjes edhe përkrah ekzistimit të indikacioneve të qarta se kryerësi i veprës ka vepruar me motive të tilla.

    “E dukshme është edhe tendenca që t’i iket, apo t’u jepet kualifikim më i butë edhe në rastet e dukshme të shkaktimit të urrejtjes nacionale, racore dhe fetare, përçarjes dhe    mosdurimit.  Në përfundim të tillë arrihet edhe nëpërmjet kontrollit të shtuar të të dhënave statistikore për persona të paraqitur, të akuzuar dhe të gjykuar për veprën shkaktim të mosdurimit nacional, racor dhe fetar” – shkruan në analizë.

    Në kallëzimin penal që Petari i ka dërguar Prokurorisë Publike Themelore në Shkup, mund të lexohet edhe golgota nëpër të cilën kalon për shkak të asaj që ka vendosur të zbulojë se është homoseksual.

    Kjo akuzë është ngritur kundër personave të panjohur, edhe atë për diskriminim racor dhe tjetër, lëndim i barazisë së qytetarëve, shkaktimi i urrejtjes racore dhe fetare, përçarje dhe mosdurim dhe përhapje të materialeve raciste dhe ksenofobike nëpërmjet rrugës së sistemeve kompjuterike.

    “Në periudhën nga 20 qershor 2013 deri 22 qershor 2013 në rrjetet sociale kryerësit e veprës nëpërmjet profilit në Fejsbuk, të emëruar si “Дебар Маало цпб”, “Кристијан с рулс”, „Алекс Кобра Иллионаре Филипович” dhe „Тино Николов” i kanë bërë kërcënime direkte të dëmtuarit Petar Stojkoviq, duke e porositur që të vdes dhe një varg ofendimesh të inskenuara për shkak të urrejtjes për shkak të përkatësisë në një grup të caktuar, përkatësisht për orientimin seksual të Petarit” – shkruan në kallëzimin penal.

    I njëjti, pas publikimit të kolumnës së Petarit, një nga pronarët e këtyre profileve nga ku janë të drejtuara kërcënimet, e shpërndau në profilin e tij privat, me porosi ofenduese dhe kërcënuese “Ju bëj mirë...”, duke iu referuar situatës për të cilën Petari flet në kolumnën e tij, duke shpjeguar se si një person i maskuar ka qëndruar para shtëpisë së tij dhe ka bërtitur “pedera”.

    “Jo moti pas kolumnës së publikuar të të dëmtuarit dhe komenteve në rrjetet sociale nga ana e kryerësve të vepërs, dy herë u sulmua shtëpia e të dëmtuarit, e ai për shkak të kërcënimeve, sulmeve verbale dhe fizike të drejtuara kah ai dhe kah prona e tij, nuk lëvizte në publik për shkak të frikës nga sulme të tjera” – shkruan në kallëzimin penal.

    Nga njësia për kriminalitet kompjuterik është kërkuar me urgjencë që t’i gjejë IP-adresat e këtyre profileve, për shkak se ata Stojkoviqit ia kanë rrezikuar sigurinë, e kanë maltretuar verbalisht dhe kanë nxitur urrejtje dhe mosdurim për të dëmtuarin, por edhe për persona të tjerë me orientim seksual.

    Petari thot se deri më tani nuk ka marrë kurrfarë përgjigje nga MPB për gjetjen eventuale të IP-adresave. I vetmi kontrollim në fushën e kërkimit të Fejsbukut na çon te njohuria se dy nga profilet janë ende aktive, ndërsa sipas përshkrimit dhe përmbajtjeve të ofruara, personat të cilat i përdorin ato janë fansa të një klubi futbollistik.

    Këshilltari ligjor i Komitetit të Helsinkit, Voisllav Stojankovski, thotë se në mënyrë të përgjithshme te qytetarët ekziston mosnjohje e asaj se çfarë paraqet krim nga urrejtja dhe se kjo është e kualifikuar si një lloj vepre penale. Praktika me të cilën Stojanovski ballafaqohet për çdo ditë i tregon atij se në Maqedoni ka katër nivele të mosnjohjes së krimeve nga urrejtja.

    -Fillimisht, qytetarët nuk janë të informuar, më pas policia nuk i regjistron si të tilla, prokurori publik ndjek për vepër tjetër penale, ndërsa edhe gjykatësit nuk i transformon veprat.  Kështu që, ekziston mosnjohje e përgjithshme dhe brengos refuzimi që të ndiqet nga ana e institucioneve – paralajmëron Stojanovski.

    Ai sqaron se qytetarët paraqesin kur ndokush do të kryejë vepër penale mbi ta, por kryesisht ua lënë institucioneve ta kualifikojnë veprën penale.

    -Kur paraqitet krimi nga urrejtja, në vend që të kualifikohet si i tillë nga policia, ata e kualifikojnë si formë tjetër të veprës penale, përkatësisht ose shkruajnë dhunë, ose shkruajnë dëmtim i pronës. Për shembull, kemi dëmtim të pronës së xhamive apo kishave, që është shembull klasik i krimit nga urrejtja, edhe atë gjatë kryerjes së riteve fetare shkruhen grafite me fjalë sa më të gërditshme, por kjo nga ana e policisë evidentohet ose si kundërvajtje, ose si dëmtim i pronës – pohon Stojanovski. Sipas tij, shqetësuese është ajo se edhe pse policia nuk është instanca e fundit, sidoqoftë rrallëherë prokurori publik apo gjykata e transformojnë veprën.

    -Prokurori publik duhet të shohë nga faktet të cilat i ka në procesverbal, se dhuna është shkaktuar nga dallimi mes përkatësisë fetare, përkatësisë nacionale, apo është shkaktuar për shkak të orientimit seksual të ndonjërit. Megjithatë, kjo nuk ndodh. Rasti shkon në gjyq, për shembull si dhunë. Dhe, gjykatësi mund t’i dëgjojë palët dhe të konstatojë se është fjala për krim nga urrejtja.  Megjithatë, edhe kjo nuk ndodh te ne dhe gjykatësit shpesh i përmbahen asaj që ua thot prokurori publik – tregon Stojanovski.

    Komiteti i Helsinkit i mapon rastet e krimit nga urrejtja, me qëllim që t’i edukojë qytetarët për peshën më të madhe të veprave penale të këtilla dhe të ndikojë që t’i kuptojnë më mirë.

    -Nga marsi deri në fund të gushtit kemi mapuar në faqen tonë rreth 60 krime nga urrejtja. Më shpesh ato janë të motivuara për shkak të dallimeve të përkatësisë nacionale, respektivisht në mes dy grupeve më të mëdha etnike në Maqedoni, maqedonasit dhe shqiptarët. Megjithatë, kjo nuk është rregull, për shkak se ndonjëherë ndodh që ndokush ndokujt t’i ngjasojë se i takon grupit tjetër nacional dhe të jetë i sulmuar. Kishim një rast kur torbeshë ishin të sulmuar nga maqedonas për shkak se kanë menduar, sipas pamjes së tyre, se janë shqiptarë. Që do të thotë se krimi nga urrejtja mund të ndodhë edhe sipas asociacionit. Mjafton ndokush të mendojë se tjetri është nga grupi tjetër etnik apo se ka orientim seksual ndryshe nga ai dhe ta sulmojë, që të bëhet fjalë për krim nga urrejtja – sqaron këshilltari ligjor i Komitetit të Helsinkit.

    - Në këtë mapë në vend të dytë vijnë dhuna për shkak të orientimit seksual ndryshe.

    Në legjislacionin tonë nuk ekziston mbrojtje e këtij grupi të qytetarëve, kështu që krimet nga urrejta, të motivuara nga orientimi seksual, edhe pse realisht ndodhin, legjislacioni nuk i njeh si të tilla, kështu që as prokurori publik, as gjykata nuk mund të ndryshojnë diçka në këtë drejtim. Dhe, shkaku i tretë më i shpeshtë është përkatësia fetare, përkatësisht religjioni mes të krishterëve dhe muslimanëve. Këtu ndodh të ketë sulme ndaj xhamive, kishave, zhgaravitje e grafiteve të gërditshme, rrahje të shërbyesve fetarë e kështu me radhë – thotë Stojanovski.

    Kështu, sulmi i LGBT-qendrës në Çarshinë e Vjetër më 22 qershor të vitit të kaluar trajtohet si “pjesëmarrje në turmë”, edhe pse grupi në mënyrë vandale e demoloi qendrën, në momentin kur brenda kishte edhe aktivistë, edhe polici që e ruante. Drejtori ekzekutiv i Komitetit të Helsinkit, Uranija Pirovska, nuk është e kënaqur me mënyrën me të cilën iu bë qasja rastit të këtij sulmi.

    - Menjëherë pas sulmit u paraqit te policia, e cila ishte e pranishme. Për sulmin ka incizime, të cilat qartë flasin se policët të cilët duhej të ofronin mbrojtjen përkatëse për personat që gjindeshin në qendrën LGBT, këtë ata nuk e bënë. Nga ato shkaqe, incizimi iu dërgua Sektorit për Standarde Profesionale të MPB, duke marrë parasysh faktin që ai sektor është përgjegjës ta shqyrtojë profesionalizmin e kryerjes së detyrave të punës. Isha e habitur për të keq nga fakti se deri më tani nuk janë kapur kryerësit e veprës. Deri më sot as nuk na janë përgjigjur se cilat janë konstantimet nga Sektori për Standarde Profesionale në MPB për mënyrën e të vepruarit të policëve. Nga këtu mendoj se na u dha porosi e qartë se shteti nuk ka ndër mend t’i mbrojë pjesëtarët e bashkësisë LGBT në Maqedoni, edhe të punësuarit në LGBT-qendrën, edhe në Komitetin e Helsinkit – thotë Pirovska.

    Ajo bën përmbylljen me fjalët se sulmet dhe krimi nga urrejta janë rezultat i fushatës së shtuar homofobike, në të cilën aktorë kryesorë janë institucionet e sistemit.

    -Mendoj se gjithë kjo flet për atë se pjesëtarët e bashkësisë LGBT edhe në të ardhmen do të ballafaqohen me sfida në realizimin e të drejtave të tyre, por dhe se qendra LGBT do të ballafaqohet me vështirësi në kryerjen e funksionit të vet, që është mosdhënie e përkrahjes dhe e ndihmës ligjore për pjesëtarët e kësaj bashkësie vullnerabile– thotë Pirovska.

    Orientimi seksual aspak nuk ka hyrë si bazë për diskriminim, edhe përkrah përpjekjeve të Komitetit që ajo të hyjë në Kodin penal, në pajtim me propozimet e Këshillit të Evropës, ku thuhet që në mënyrë eksplicite të ndalohet diskriminimi sipas orientimit seksual, e cila duhet të pranohet nga vendi ynë, që është anëtar në Këshillin e Evropës.

    Pirovska thotë se që qytetarët të mësojnë si të paraqesin veprat delikate që lidhen me krimin nga urrejta, sërish veprimin duhet ta bëjë shteti.

    -Duhet të dinë se kjo vepër nuk kualifikohet vetëm si dhunë, por se merr kualifikim më ndryshe nëse viktima këtë e ka përjetuar për shkak të të qenit ndryshe. Megjithatë, nuk shtetin nuk mund t’ua bënë të afërt qytetarëve me mënyrën se si sillet shteti me këto vepra. Shteti duhet t’u mundësojë edukim – thotë Pirovska.

    Të dhënat nga Enti Shtetëror i Statistikës, të notuara në analizën ligjore të akademik Vllado Kambovskit dhe dr. Mirjana Lazarova Trajkovska, tregon se për shkaktim të mostolerancës nacionale, racore dhe fetare, e dënueshme me nenin 319 të Kodit penal, nga viti 2007 deri në vitin 2010 nuk ka asnjë person të dënuar.

    (Ky tekst është përpiluar në kuadër të projektit ”Përforcimi i bashkëpunimit mes organizatave civile dhe mediave për promovimin e të drejtave dhe lirive të njeriut dhe të lirisë së shprehjes”, të cilin e realizoi Media Instituti Maqedoni /MIM/, ndërsa është i financuar nga Bashkimi Evropian nëpërmjet programit EIDHR. Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi vetëm e medias dhe në asnjë mënyrë nuk i reflekton pikëpamjet e Bashkimit Evropian ose të MIM-it).

     

    Проектот „Попреченоста е прашање на перцепција“, го спроведуваат Институтот за медиуми и различности од Лондон, Македонскиот институт за медиуми и Националниот совет на инвалидските организации на Македонија.

    Проектот е финансиран од Европската Унија, преку Европскиот инструментот за демократија и човекови права (ЕИДХР).

    euflagEUsoTEBE2

     

     

     

    Оваа веб-страница е изработена со поддршка од Европската Унија. Содржината на оваа веб-страница е одговорност единствено на Институтот за медиуми и различности од Лондон и на никаков начин не ги одразува гледиштата на Европската Унија.

    © 2018 Aktiv.mk. All Rights Reserved.

    Please publish modules in offcanvas position.