Autor: Vllado Apostollov
Gazetar në javoren “Fokus”
Këto ditë po paralajmërohet sezoni i dytë i serisë Shtëpia prej letrave (House Of Cards), ku rolin kryesor në mënyrë maestrale e luan Kevin Spejsi. Në posterin për vazhdimin e tregimit për karrierën makiaveliste të Frensis Andervud-it (Spejsi), si slogan për seritë e reja shfrytëzohet fraza se – demokracia është e stërngarkuar.
Ai që ka parë sezonin e parë do ta kuptojë mesazhin, por jam i sigurt që ndonjë arsyetim më i madh nuk u duhet as atyre që për çdo ditë zgjohen në Maqedoni. Për këta njerëz, nga kjo copë tokë, jo shumë moti Nikolla Mlladenov shkroi se ata do të kishin dashur të jetonin në një shtet të lirë dhe demokratik, por nëse mundet që për atë liri dhe për atë demokraci në emrin e tyre ndokush tjetër të luftojë. Nëse jo, atëherë – mirë!
As që mund të prisni më shumë prej njerëzve që nuk fitojnë më shumë se 300 euro në muaj dhe preokupimi kryesor i të cilëve është të mbijetojnë. Të tillët nuk kanë kohë të kthehen rreth vetes, të shohin se çka ndodh me miqtë dhe me bashkëqytetarët e tyre dhe të kontrollojnë se mos, vallë, kjo shoqëri, të cilën të gjithë ne e përbëjmë, u shkakton ndonjë padrejtësi të madhe. Kur është në pyetje buka, atëherë liria dhe demokracia, të përmbledhura në nivelin e solidaritetit e të bashkëjetesës, janë vetëm monedha të imëta të cilat pa u menduar shumë i japim në duart e disave të fortëve.
Prandaj, me të vërtetë e kam vështirë të shkruaj çfarëdo qoftë për të drejtat e njeriut. Çdo fjalë e thënë ose e shkruar në këtë temë në Maqedoni është si të çirresh në majë të Mon Blanit, edhe atë në mbrëmje më 31 dhjetor, para Vitit të Ri, kur edhe alpinistët më fanatikë janë diku në ndonjë vend të ngrohtë dhe festojnë. Me fjalë të tjera, ti mund të flasësh, të shkruash, madje edhe ta ngresh zërin, por nuk ka kush të dëgjon. Të gjithë e festojnë porcionin e tyre ditor të bukës!
Pikërisht në këtë pozitë gjenden gazetarët në Maqedoni të ndodhur gand para sfidës „a të çirren nga Mon Blani “ apo të shkruajnë për bukën që s’është. Për mua nuk ka dilemë – duhet të shkruhet fortë dhe të hulumtohen të dy punët.
Erozioni i të drejtave të njeriut në Maqedoni prej moti nuk është çështje, qëndrim a shije e stërholluar e ndokujt. Nuk është çështje e qëndrimit se a jeni për dashurinë homoseksuale apo kundër saj, a jeni për shtet shekullar apo për aparat shtetëror të afërt me kishën, e është me rëndësi për ju prezumimi i pafajësisë apo më qenësore është të mbushen burgjet përmes dorës së fortë të sundimtarit. Në Maqedoni jeta është në rrezik nëse ndonjë nevojë e juaj hyn në grafën të cilën ndokush ndokund e ka quajtur e drejtë e njeriut dhe rrjedhimisht me këtë-e rrezikshme për jetën është të ngrihesh në mbrojtje të kësaj të drejte. Siç thashë, prej moti nuk bëhet fjalë për qëndrime dhe mendime.
Prandaj edhe nuk duhet t’ju habit që pothuajse askush nuk merakoset pse njerëz me muaj kalben në paraburgim, edhe pse të gjithë e kanë të qartë se i plotësojnë të gjitha kushtet për t’u mbrojtur në liri. Prandaj edhe nuk duhet t’ju habit që askush, ama absolutisht askush nuk brengoset që ndokush vuan dënimin me burg pas proceseve gjyqësore të cilat edhe Llazo Kolishevski i madh do t’i kishte lakmuar. Me cilindo që të bisedoni në këtë temë, me gjysmë zëri do t’ju thonë se u vjen keq për njeriun, por do të thonë se e ka kërkuar. E, ajo „e ka kërkuar“ i vjen se shumë ka folur.
Shikoni, në Maqedoni opinioni publik pranon që në vend se të marrësh padinë për shpifje dhe ofendim, është krejt OK të të montojnë procese gjyqësore dhe të kalbesh minimum një dekadë, thjesht pse “e ke kërkuar”, ke shitur shumë mend dhe ke prekur arushën në...
Dhe, edhe pse ka një masë kritike e cila e kupton se çka ndodh, edhe ajo shkurajohet përmes fushatave të zeza të paguara nga paratë e shtetit ose frikësohet me kundërprotestat brutale. Prandaj keni një gjendje absurde kur disa mijëra qytetarë do të dalin dhe do ta ngushin QTQ-në, që Tregtarja t’i shpëtojë barokut, por asnjë, thjesht asnjë prej tyre nuk do ta ngushë burgun në Idrizovë ose njësinë e paraburgimit në Shutkë për shkak të padrejtësive ndaj disa bashkëqytetarëve tanë.
Edhe ai aktivizmi civil që kemi, i penguar nga propaganda e zezë për mercenarë të huaj dhe tradhtarë, nuk don që të prishet shumë, ngaqë në Maqedoni dihet çka merr kur “e kërkon”.
Kur ndokush e kritikon punën e gazetarëve në Maqedoni, unë pothuajse në mënyrë refleksive e kthej se gazetarët maqedonas janë aq të mirë sa janë edhe profesorët maqedonas, avokatët dhe mjekët maqedonas. Ne nuk jemi diçka më të këqinj apo më të mirë prej të tjerëve! Por, kjo nuk do të thotë që ne gazetarët nuk jemi fajtorë që nuk zhveshëm ndonjë prej rasteve absurde dhe nuk arritëm ta bindim opinionin publik që njerëzit shtrihen në paraburgim vetëm pse në njëfarë mënyre nuk janë pajtuar me të fortët apo pse nuk i bëjmë presion policisë që t’i gjejë dhunuesit të cilët kur duan e thyejnë qendrën LGBT në Çarshinë e Shkupit.
Puna jonë është mbrojtja e interesit publik, në thelbin e së cilës janë të drejtat e njeriut – ato prej themeloreve, deri tek ato që i quajnë gjenerata e dytë, apo s’e di cila, e të drejtave të njeriut.
Di edhe shumë argumente në favorin tonë, gazetaresk: mund të them që punojmë në kushte jonjerëzore me presione edhe më johumane, për këtë marrim edhe pak mirënjohje dhe edhe më pak të holla, por prej ndokund patjetër të fillohet. Ne gazetarët patjetër e kemi ta kryejmë punën dhe këtë ta dëshmojmë për çdo ditë përmes shembujve personalë. Për shkak se, si ishte ai proverbi – nëse don ta ndryshosh botën, fillo prej vetvetes! S’ka të vërtetë më të madhe.