Iniciativa e Media Institutit Maqedoni (MIM) për ta bërë Librin e Bardhë për të përmirësuar relacionet ndërmjet shoqërisë civile dhe mediave ishte theksuar dhe mbështetur në Rezolutën për raportin e Progresit të Maqedonisë për vitin 2013, të cilin Parlamenti Evropian e miratoi këto ditë.
Libri i Bardhë është produkt i përbashkët i përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe gazetarëve, ku tregohen disa prej prioriteteve dhe mekanizmave për përparimin e bashkëpunimit ndërmjet organizatave civile dhe mediave. Qëllimi i dokumentit është të nxit shikim më të madh të temave që lidhen me të drejtat e njeriut në publik, si dhe ndikim më të madh të shoqërisë civile përmes mediave.
Ndërkaq, sa u takon çështjeve nga sfera mediatike, sivjet në fokus të rezolutës të Parlamentit Evropian është keqësimi i reputacionit të shtetit në raport me liritë e mediave, me ç’rast shprehet edhe brengosja pse mbrojtja e lirisë së shprehjes nga ana e mediave të ndryshme dhe pluralistike, të çliruara nga ndikimet politike, mbetet sfidë vitale për shtetin. „...Mungesa e pluralizmit mediatik pjesërisht është rezultat i reklamimit qeveritar; (PE) thekson nevojën e sigurimit të pavarësisë dhe të konzistencës të servisit publik, duke i inkurajuar autoritetet që të aprovojnë mekanizma mbrojtës në ligjet për mediat në këtë drejtim; beson që ligjet e tanishme për media duhet të jenë lëndë e konsultimeve dhe e dialogut të mëtejshëm, me qëllim që reforma kaq të rëndësishme të pranohen vetëm nëse ka mbështetje të gjerë nga bashkësia e gazetarëve në shtet; tregon që nevojiten më shumë përpjekje që të përmirësohet dhe të ripërtërihet mirëbesimi midis Qeverisë dhe bashkësisë së mediave; thekson nevojën për përpjekje më të mëdha për mbrojtjen e të drejtave dhe të pavarësisë së punonjësve të mediave; thekson nevojën për transparencë në raport me pronësinë mediatike.“
Parlamenti Evropian thekson edhe mbështetjen e vet për bisedat ndërmjet Qeverisë dhe Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, si mekanizëm për përparim të mëtejshëm në drejtim të sigurimit të lirisë së shprehjes dhe të kushteve më të mira të punës për gazetarët. Në Rezolutë theksohet që liria e plotë e shprehjes mund të arrihet në shoqëritë ku në mënyrë të papenguar funksionon qasja e lirë tek informacionet publike dhe ku ka hapësirë për debat publik thelbësor. Duke e treguar shembullin me mbylljen e gazetarit Tomisllav Kezharovski, institucionet evropiane edhe një herë shprehen të brengosura për mundësinë e aplikimit të së drejtës selektive.