Autor: Gabriella Dodeva
Hulumtim i ‘Kapital-it’Përveç se me libreza partiake, deri te vendi në administratë, së paku për bashkësitë e vogla etnike, vihet edhe me mjete financiare. Hulumtimi i ‘Kapital-it’ tregon se tregu politik ndërmjet partive ka ardhur deri në atë shkallë saqë jo vetëm që i vë njollë të zezë realizimit të Marrëveshjes-kornizë, por i bën një vulgarizim të plotë procesit të punësimit gjatë përmbushjes së parimit të përfaqësimit të drejtë.
Prej 1.000 deri në 3.000 euro i duhen një përfaqësuesi të bashkësisë rome që të punësohet në administratë, mjete të cilat duhet t’ia paguajë partisë politike, që të sigurojë një vend në shërbimin publik. Por, edhe krahas kësaj, gati se çdo i treti rom ballafaqohet me diskriminim gjatë punësimit, për shkak të presioneve dhe kushtëzimeve të ndryshme gjatë procesit të përzgjedhjes dhe të pazarllëqeve politike ndërmjet vetë partive. Kjo është, në pika të shkurtra, procedura e punësimit në administratë, së paku kur bëhet fjalë për personat e etnisë rome.
“Sipas hulumtimeve të më shumë organizatave joqeveritare, përfaqësimi i bashkësisë rome në administratën shtetërore dhe publike është minimal dhe nuk i përgjigjet implementimit të parimit të përfaqësimit adekuat dhe të drejtë. Shkaqet janë të shumta, por më simptomatiket janë diskriminimi i fshehtë nga ana e institucioneve publike dhe e raporteve përfituese të politikanëve romë dhe pjesëmarrësve në pushtet, të cilët bëjnë lloj-lloj trysnie dhe shantazhi gjatë procesit të përzgjedhjes sëkandidatëve romë të paraqitur për përfshirjen e tyre në administratën publike. Sekret publik është se çdo pjesëmarrës politik rom në pushtet për kompensim prej 1.000 deri në 3.000 euro e bën ”shërbimin” gjatë punësimit të romëve në administratë”, thotë Zekir Abdullov, kryetar i Organizatës joqeveritare Kham në Dellçevë.
Aspak më i volitshëm nuk është përfaqësimi adekuat i bashkësisë turke. Përfaqësuesit e këtij etnikumi mendojnë se përqindjen e tyre e shfrytëzojnë përfaqësues të bashkësive të tjera, si rezultat i pazarit politik mes partive, ndërsa ata që kanë arritur të punësohen rrinë në shtëpi dhe marrin rrogat.
„Marrëveshja e Ohrit nga politikanët shfrytëzohet për pazare politike dhe, për fat të keq, politikanët manipulojnë me të rinjtë turq në bazë të kësaj Marrëveshjeje. Të gjitha premtimet që u janë dhënë të rinjve turq nuk janë realizuar”, thotë Enes Ibrahim, sekretar i përgjithshëm i Partisë për Lëvizje të Turqve dhe ish-kryetar i OJQ Ufok.
Edhe serbët, vllehët dhe boshnjakët, edhe pse janë më mirë të përfaqësuar në administratë, kundërshtojnë pazaret politike që bëhen rreth punësimeve. Ata pajtohen se pazarllëku mes politikanëve është shkaku më i madh për mosrealizimin e parimit për përfaqësim adekuat.
Në këtë drejtim shkon edhe hulumtimi i fundit i Institutit për Zhvillimin e Bashkësisë në bashkëpunim me Bashkësinë e Njësive të Vetëqeverisjes Lokale (BNJVL), e cila tregon se përkatësia jopartiake, përkatësisht partiake dhe mungesa e lidhjeve janë shkaqet më të shumta për shkak të të cilave përfaqësimi i drejtë në vend është joadekuat.
Prej gjithsej 1.266 të të anketuarve në 19 komuna, madje 533 persona janë përgjigjur se shkaktar se përse ky parim nuk zbatohet është “përkatësia e gabuar partiake”, ndërsa 516 prej tyre janë përgjigjur “mungesa e lidhjeve”. Vetëm 207 janë përgjigjur se shkaktar për këtë është ”mungesa e kualifikimeve adekuate”.
Maqedonas dhe shqiptarë në vend të bashkësive më të vogla etnike?!
Tashmë qe dymbëdhjetë vite me radhë, që nga nënshkrimi i Marrëveshjes-kornizë të Ohrit (12.08.2001), njësia më e rëndë matëse sipas së cilës matet zbatimi i saj mbetet punësimi në administratë, përkatësisht zbatimi i parimit të përfaqësimit adekuat. Njëzet vjet më vonë, edhe pse ka përshtypje të përgjithshme se është arritur një përparim i dukshëm, megjithatë bashkësitë më të vogla ankohen se kjo marrëveshje para së gjithash është e drejtë ekskluzive e shqiptarëve, ndërsa bashkësitë më të vogla janë lënë në plan të dytë.
“Kohëve të fundit është vërejtur edhe një fenomen, ku në vendin e romëve për përfaqësim adekuat dhe të drejtë punësohen joromë (më së shumti maqedonas), ndërsa këtu për një përfitim të caktuar përsëri është i përzier faktori politik rom”, thotë Abdullov.
Në këtë fenomen tërheqin vërejtjen edhe nga bashkësia turke.“Kontingjentin tonë për punësim e shfrytëzojnë bashkësitë tjera. Veçanërisht do të duhet të theksojmë se disa nga partitë në pushtet kanë qenë të korruptuara për punësimin e të rinjve. Dhjetëra të rinj, të cilët do të duhej të punonin në administratë, rrinë në shtëpi dhe marrin rrogë. Ani, iu thuhet, rri në shtëpi, hesht, merre rrogën dhe mos puno për bashkësinë tënde. Nuk e kemi të qartë se kur këta të rinj do të përparojnë në karrierën e tyre, kur do të përparojnë në hierarkinë burokratike? Ose punësimet turke përherë do të mbeten në fund të kësaj hierarkie? Po nuk qenë në shërbim dhe atë të bashkësisë tënde, këta nëpunës a i duhen përgjithësisht bashkësisë turke?”, thotë Ibrahim.
Ai bën vërejtje edhe për shpalljet e fundit që janë publikuar në administratë. Konkretisht për 1.600 punësime në ndërmarrjen publike ‘Pyjet e Maqedonisë’. Sipas Ibrahim-it, as në këtë konkurs përfaqësimi i drejtë dhe adekuat së paku për turqit nuk është realizuar në mënyrë adekuate. Nga Sekretariati për Implementimin e Marrëveshjes- Kornizë thonë se edhe gjatë kësaj shpalljeje është bërë kujdes për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat. Në mënyrë precize dihet që 25% prej vendeve të punës, të shpallura nëpërmjet këtij konkursi, janë të garantuara për shqiptarët, ndërsa sa për qind janë punësuar nga bashkësitë tjera, nga Sekretariati nuk kishin mundësi të precizonin.
Korniza-ventil për punësimin e të dëgjueshmëve partiakë
Analisti Аlbert Мusliu thotë se partitë tek Korniza nuk shohin instrumentin e integrimit të shoqërisë, por ventilin për punësimin e të dëgjueshmëve të tyre.
„Nëse flasim për punësimin e bashkësive më të vogla etnike në administratën shtetërore dhe publike, kjo duhet të kuptohet si pjesë e politikës integruese të vendit. Punësimet e bashkësive më të vogla në administratën shtetërore dhe publike shkon nëpërmjet partive më të vogla, të cilat janë pjesë e koalicionit politik. Këtu partizimi është problemi më i madh. Partitë tek punësimi nuk e shohin integrimin e shoqërisë, por ventilin për të punësuar të dëgjueshmit e tyre”, thotë Musliu.
Kolumnisti dhe analisti Daut Dauti, i cili rregullisht shkruan në temën Marrëveshja- kornizë, thotë se punësimet partiake janë problemi më i madh për përfaqësimin e pamjaftueshëm të bashkësive më të vogla etnike në administratë. Për këtë shkak ai këshillon se në këto kushte të praktikimit të Marrëveshjes-kornizë, partitë më të vogla përfaqësimin e tyre të drejtë mund ta sigurojnë vetëm nëpërmjet koalicionit me partinë që është në pushtet.
Profesori Vllado Popovski, një ndër ekspertët e inkuadruar drejtpërdrejt në krijimin e Marrëveshjes-kornizë, ndërkaq, thotë:
„Në politikën e realizimit të përfaqësimit të drejtë faktorët që e zbatojnë këtë politikë sikur mos me i pa me dinjitet bashkësitë e vogla dhe sikur mos me u kujdes mjaftueshëm se si është pozita e tyre. Është e saktë se nga viti 2001 e deri më sot ka përkujdesje të pabarabartë si për bashkësitë më të vogla, ashtu edhe për ato të mëdhatë. Politikat qeveritare sikur të udhëhiqen nga instinkti – së pari të kujdesemi për “belanë” më të madhe, e pastaj për më të voglën. Për momentin sikur ka inerci dhe përpjekje më të vogla për përfaqësimin e drejtë të bashkësive më të vogla. E dini, kjo është si në familjen me më shumë fëmijë dhe më shpesh fëmija më i vogël vështirë vjen te fjala”, thotë Popovski dhe shton se dalja nga kjo situatë duhet të shihet në vënien e nga një ndihmësi nga të gjitha bashkësitë më të vogla në kuadër të Sekretariatit, që do të jetë i angazhuar për marrëveshjen-kornizë.
Çka tregojnë të dhënat zyrtare?
Nëse shihen të dhënat e arritshme publikisht në raportet e Avokatit të Popullit dhe ato të Sekretariatit për Implementimin e Marrëveshjes-Kornizë, përshtypja e përgjithshme është se parimi i përfaqësimit të drejtë më pak ose më shumë po zbatohet në mënyrë adekuate. Kështu, të dhënat tregojnë se për momentin turqit në administratë janë të përfaqësuar me 1.7% , romët me 1.3%, serbët me 1.6%, vllehtë me 0.7%, boshnjakët me 0.5% dhe të tjerët me 0.9%. Krahasuar me të dhënat nga regjistrimi i fundit i vitit 2001, turqit në Maqedoni janë me 3.8 % nga popullsia e përgjithshme, romët me 2.7%, vllehtë me 0.5%, boshnjakët me 0.8% dhe të tjerët me 1%, çka do të thotë se më shumë bashkësi janë të përfaqësuara në mënyrë të drejtë, me përjashtim të turqve dhe të romëve.
Megjithatë, analistët tërheqin vërejtjen se pa e ditur numrin e saktë të administratës (e cila për njërën palë është 120.000, ndërsa për të tjerët numëron 180.000), vështirë të përcaktohet se parimi për përfaqësim të drejtë vërtet është plotësuar, veçanërisht nëse dihet që madje 65 institucione shtetërore dhe publike nuk i kanë dorëzuar raport Avokatit të Popullit për numrin e të punësuarve, i cili çdo vit informon për punësimin dhe përfaqësimin e drejtë në këto institucione. Gjithashtu, thonë ata, numrat nga regjistrimi i vitit 2001 në mënyrë drastike janë ndryshuar veçanërisht kur në këtë moment, së paku siç vlerëson Banka Botërore, 447.000 njerëz nuk jetojnë në Maqedoni.
Nga Sekretariati për Implementimin e Marrëveshjes-Kornizë thonë se nga viti në vit ka përparim në përmirësimin e përfaqësimit të drejtë të bashkësive më të vogla etnike. „Në këtë drejtim, viteve të fundit janë shpallur edhe konkurse për punësim, që kanë qenë vetëm për bashkësitë më të vogla etnike. Në vitin 2012 pati tri konkurse të tilla, në vitin 2013 pati një. Në tri konkurset kërkohej punësimi i mbi njëqind vetave“, thonë së andejmi.
Avokati i Popullit, Ixhet Меmеti, thotë se ky institucion nuk mban evidencë për përkatësinë etnike të personit që dorëzon parashtresë për diskriminim në procesin e punësimit. Ajo që ekziston vetëm si e dhënë në Raport është ajo që në vitin 2012 me 0.74% e parashtresave që i janë dorëzuar këtij institucioni kanë të bëjnë me parimin e mosdiskriminimit dhe të përfshirjes adekuate e të drejtë, edhe atë për të drejta nga marrëdhëniet në punë mbi bazë etnike.
Ngjashëm është edhe me ankesat që i janë dorëzuar Agjencisë për Administratë. Madje, 31,30% nga ankesat që i janë dorëzuar Agjencisë për Administratë në vitin 2012 kanë qenë ankesa për zgjedhje mbi bazë të shpalljes, mirëpo nuk ka të dhëna se a ankohen dhe sa ankohen ndaj diskriminimit mbi baza etnike.
Më e detajuar është vetëm analiza e Institutit për Demokraci „Societas Civilis“. Duke e hulumtuar diskriminimin e romëve në shoqëri, ky institut ka ardhur në përfundim se 34.6 % e të anketuarve romë janë përgjigjur se kanë qenë të diskriminuar në procesin e punësimit në institucionet publike, përkatësisht çdo i treti rom ka qenë i diskriminuar në procesin e punësimit në institucionet publike.
(Ky tekst është përpiluar në kuadër të projektit ”Përforcimi i bashkëpunimit mes organizatave civile dhe mediave për promovimin e të drejtave dhe lirive të njeriut dhe të lirisë së shprehjes”, të cilin e realizoi Media Instituti Maqedoni /MIM/, ndërsa është i financuar nga Bashkimi Evropian nëpërmjet programit EIDHR. Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi vetëm e medias dhe në asnjë mënyrë nuk i reflekton pikëpamjet e Bashkimit Evropian ose të MIM-it).