Fëmijët, të drejtat e të cilëve janë shkelur, së shpejti mund t’i drejtohen me ankesë Komitetit për të Drejtat e Fëmijës në kuadër të KB, pasi që Kostarika u bë vendi i 10-të që ratifikoi Protokollin fakultativ për Konventën për të Drejtat e Fëmijës, që ka të bëjë me procedurat e komunikimit.
Protokolli, që do të hyjë në fuqi në afat prej tre muajsh, u mundëson fëmijëve ose përfaqësuesve të tyre t’i dorëzojnë paraqitjen Komitetit për të Drejtat e Fëmijës. Komiteti pastaj do të vendosë mbi bazë të rasteve të paraqitura dhe aty ku do të konstatojë shkelje, do të shqiptojë rekomandime përkatëse për shtetet e prekura që rastet të zgjidhen.
Kryetarja e Komitetit, Kirsten Sanberg, konsideron se Protokolli fakultativ është hap i madh përpara në implementimin e të drejtave të fëmijëve. Po ashtu, ajo u bëri thirrje vendeve-anëtare që të vazhdojnë me zhvillimin e sistemeve shtetërore, të cilat do të sigurojnë respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.
Individualisht ose në grup, fëmijët do të mund të dorëzojnë ankesa për shkelje të caktuara të të drejtave të tyre konform Konventës për të Drejtat e Fëmijës, si dhe të Protokollit fakultativ për fëmijët në konfliktet e armatosura dhe të Protokollit fakultativ për shitjen e fëmijëve, të pornografisë me fëmijë dhe të prostitucionit me fëmijë.
Më shumë informacion mund të lexoni në vegzën në vazhdim.