Një grup aktivistësh civil nën moton „Lufta vazhdon “ sot e shënuan ditën kur para një viti gazetarët ishin nxjerrë me dhunë nga Kuvendi dhe ishin penguar që të raportojnë nga mbledhja në të cilën diskutohej miratimi i Buxhetit të shtetit për vitin 2013.
Kësaj ngjarjeje i parapriu edhe nxjerrja e deputetëve të opozitës nga salla kuvendore, të cilët e kundërshtonin miratimin e buxhetit të propozuar.
„Për atë akt ende nuk ka përgjegjësi, por vetëm marrëveshje politike ku gazetarët nuk marrin pjesë. As edhe duhet të marrin pjesë, për shkak se puna e tyre është që ta bëjnë luftën e vet edhe me këtë pushtet, edhe me ndonjë pushtet të ardhshëm. Gjithnjë deri sa nuk ndodh ajo përgjegjësia, ne në të vërtetë as që kemi demokraci në Maqedoni“, theksoi Petrit Saraçini, një prej pjesëmarrësve në protestë.
Më shumë organizata mediatike të vendit asokohe kishin reaguar dhe e kishin vlerësuar ngjarjen si shkelje brutale të të drejtës së gazetarëve për të raportuar për çështje të interesit publik dhe si akt censure në qarkullimin e informatave deri te qytetarët. Edhe organizata dhe institucione ndërkombëtare që merren me çështjet e mediave atëherë kishin reaguar dhe e kishin dënuar ngjarjen.
Në përvjetorin e kësaj ngjarjeje reaguan edhe SHGM edhe Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe e Punonjësve Mediatik, të cilët shënjuan faktin se edhe pas një viti ende askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për ato që ndodhën në 24 dhjetor të vitit 2012. As Gjykata Kushtetuese nuk është deklaruar në lidhje me deponencën e SHGM, me të cilën është kërkuar përcaktimi se a ka pasur shkelje të parimit kushtetues të lirisë dhe të së drejtës për shprehje publike.