Kur emri dhe ngjyra e lëkurës janë faktorë vendimtarë për vendin e punës

    Autor: Meri Jordanovska
    Hulumtim i Fokus-it

    „A është shumë i zi “, kishte qenë pyetja që kishin shtruar personat udhëheqës të një kompanie të madhe maqedonase kur ishte dashur të punësohej një person nga nacionaliteti rom.

    Shumë romë janë viktima të diskriminimit, të cilët, edhe pse kanë mbaruar arsimin e lartë, rrinë në shtëpi vetëm për shkak të stereotipave që mbretërojnë në vend, për shkak të ngjyrës së lëkurës dhe të nacionalitetit të tyre.

    Me njëzeteshtatëvjeçarin Amrush B. u njohëm në njërën nga kafiteritë lokale të Shkupit. I veshur me këmishë moderne, me farmerka dhe cigaren në dorë, ai na buzëqesh lehtë kur na sheh.

    „Po, po, dukem normal, s’jam i ndyrë dhe nuk vjedh“, na thotë ai, duke e ditur shkasin e bisedës.

    Me të riun shkupjan u takuam që të na e shpjegojë procesin e diskriminimit të romëve gjatë punësimit në shtet dhe për gjithë ato me të cilat ata ballafaqohen për t’u përfshirë në shoqërinë maqedonase, e cila sipas Kushtetutës dhe të gjitha ligjeve nuk guxon të bëjë diskriminim mbi bazë etnike. Por, sipas përvojës që na e tregoi i riu rom, dëshmohet se praktika nuk funksionon bash ashtu.

    „Nuk dua të flas publikisht. Edhe këtë ta bëj dhe pastaj, askush nuk do të më marrë në punë. Do të mendojnë se publikisht do t’i kritikoj firmat nëse më ndodh diçka në vendin e punës “, thotë Amrush-i.

    Përveç tenit të errët, asgjë tjetër nuk mund të vëreni se Amrush është “më ndryshe” prej të tjerëve. Por, siç thotë ai, tjetërsia del vetëm kur ai do ta shqiptojë emrin e vet.

    „Atë mëdyshjen e lehtë kur do të them se quhem Amrush, mund ta shoh në fytyrën e secilit që do të njoh. Bëjnë njëfarë ‘face’, pas së cilës menjëherë pyesin se çka jam, maqedonas apo rom“, tregon ai.

    E gjithë kjo për Amrushin nuk përbën problem, por, siç thotë, më e keqja ndodh kur niset të kërkojë punë.

    A JE SHUMË I ZI?

    Amrush-i ka kryer Fakultetin Ekonomik në Shkup dhe që atëherë fillon golgota e tij në kërkim të punës. Ka aplikuar në disa vende, por gjithkund e kanë refuzuar.

    - Nuk them se jam refuzuar shkaku se jam rom, këtë nuk e di, por ajo që kuptova ashiqare është se nuk mund të gjej punë shkaku se nuk kam boll njerëz të njohur. Dhe, atëherë e pashë një shpallje në një kompani të madhe private, ndërkohë që gjeta dhe njeriun që do të më rekomandonte – tregon ekonomisti i ri.

    Shokun më të madh Amrushi e kishte përjetuar kur përgjegjësit në kompani i ishte thënë se në konkursin për punësim do të aplikojë një rom, ndërsa pyetja e parë që kishte rrjedhur kishte qenë:

    „A është shumë i zi?“

    - Kur e dëgjova këtë, s’munda ta merrja veten. Nuk ka pyetur a i plotësoj kushtet, nuk ka pyetur për arsimimin tim, nuk ka pyetur kush jam, por: a jam shumë i zi! Atëherë, ndoshta, në shpallje është dashur të vinin se kërkojnë vetëm njerëz të bardhë – thotë Amrushi.

    Përvoja e tij, kushedi se sa të ishte “banale” për të tjerët, për Amrushin ka pasur shumë rëndësi. Që atëherë ai nuk është paraqitur në asnjë konkurs për punësim, por ka filluar të punojë në kompaninë e një miku të tij dhe, siç thotë, tash për tash mirë i shkon.

    - Po nuk e ndihmuam njëri-tjetrin, rrallë mund të presim ndihmë prej të tjerëve – na thotë Amrushi derisa ndahemi.

    KUR TA THUASH EMRIN, TË GJITHA VENDET E PUNËS MENJËHERË JANË TË ZËNA

    Samka Ibraimovski, deputet në Kuvend dhe lider i Partisë për Emancipimin e Plotë të Romëve (PCER), kërkon subvencione për punësimin e romëve, me qëllim që të tejkalohet diskriminimi. Sipas hulumtimeve të partisë, 65 për qind e romëve janë deklaruar se gjatë punësimit ka stereotipa dhe paragjykime.

    - Me këtë, do të kishte pasur më shumë interesim te punëdhënësit për shkak të subvencionimit të vendeve të punës. Unë ende i rri atij propozimi, por, ja, Qeveria m’i vjedh idetë, kështu që tani ka futur subvencionimin për punësimin e kategorive sociale. Tek unë vijnë shumë romë që thonë se kur aplikojnë për punë në çfarëdo qoftë institucioni, vetëm kur t’i shohin, i eliminojnë. E, ka të rinj cilësorë që mund t’ia dalin me funksione të larta, ka magjistra, doktora që rrinë në shtëpi ose që ikin jashtë shtetit – thotë Ibraimovski.

    Dehran Bislim është një gazetar i ri nga Maqedonia, që jeton në Hungari. Ai është përfaqësues i të rinjve në Forumin Evropian Rom Traveler, me seli në Këshillin e Evropës, por thotë se nuk heq dorë nga gazetaria.

    - Ende po habitem se pse asnjë romi nga grupi ynë i studentëve pas studimeve dhe stazhimit nuk iu ofrua punësimi? Nuk e di a hyn kjo te diskriminimi i hapur apo i mbuluar, por prej katër gjeneratave të romëve vetëm tre kishin kontratë veprimi, që është një indikator i mjaftueshëm. Diskriminimi vjen mu për shkak të mosnjohjes së romëve dhe të problemeve të tyre. Në Maqedoni ka shumë shembuj të diskriminimit, qoftë nga bashkëqytetarët, qoftë nga institucionet e shtetit, të cilën gjë për çdo vit e thekson edhe Komisioni Evropian në raportet e veta – thotë Dehran-i.

    Në raportin e Institutit për të Drejtat e Njeriut dhe të Fondit Edukativ Rom, publikuar këto ditë, janë dhënë një numër rastesh me ankesa të romëve, të cilët janë ballafaquar me diskriminim gjatë punësimit.

    Kështu, një prind ka deklaruar që ka dashur të paraqitej për shofer taksie, pasi ka parë shpalljen se kompania e taksive ka pasur nevojë për shoferë. Ai është dëgjuar me telefon dhe ka pyetur se a mund të paraqitet dhe ka marrë përgjigje pohuese. Por, kur ka vënë kontakt të drejtpërdrejtë, përkatësisht kur ka ardhur në kompani dhe e ka thënë emrin e vet, i është thënë se nuk kanë numër të mjaftueshëm automobilash për shofera të rinj dhe nuk ka vende të hapura pune.

    „Një prind na tha se është elektricist i kualifikuar, i cili deri më tani nuk e ka asnjë ditë përvojë pune për shkak se nuk mund të gjejë punë. Fëmijët e tij, të cilët kanë të kryer arsimin e lartë, gjithashtu nuk kanë punë. Ai deklaroi se volitë që duhet t’i kenë ekzistojnë vetëm në letër, por jo edhe në realitet“, thuhet në raport.

    ROMËT ME SHKALLËN MË TË LARTË TË PAPUNËSISË NË KRAHASIM ME TË GJITHA BASHKËSITË TJERA ETNIKE

    Muhamed Toçi nga organizata joqeveritare „Meseçina “ (Hëna) tashmë ka deklaruar që Maqedonia ka arritur sukses vetëm në pjesën e arsimimit të romëve, në dallim të tri sferave të tjera që janë të përfshira në „Dekadën e romëve “, siç janë shëndetësia, punësimi dhe banimi. Sipas tij, prej vitit 1991, gjer më sot, romët në krahasim me bashkësitë tjera etnike në vend kanë papunësi me mbi 70 për qind.

    Maqedonia nuk ka numër të saktë për atë se sa romë jetojnë në Maqedoni.

    Indikator i vetëm është regjistrimi në vend që u mbajt para 11 viteve, në vitin 2002, sipas të cilit përfshirja e romëve në popullsinë e përgjithshme të Maqedonisë është afërsisht 2,7 për qind, përkatësisht 53.879 romë. Por, duke qenë se regjistrimi i popullsisë në vitin 2011 shkoi huq, tani i vetmi indikator ku mund të mbështetemi janë vlerësimet e organizatave lokale rome, sipas të cilave përfshirja e romëve në popullsinë e përgjithshme është shumë më e lartë dhe arrin rreth 6 për qind.

    Sipas Agjencisë për Punësim, në Maqedoni 92.799 persona aktivisht kërkojnë punë në vend. Prej tyre, 1.670 janë romë, që përbën 1,8 për qind, ndërsa 1.250 janë shqiptarë. Kjo, sipas ekspertëve është tregues decid se shqiptarët më lehtë vijnë te vendi i punës, në dallim prej romëve. Ekspertët dëftojnë se shqiptarët tani, në dallim prej më parë, më shumë janë të çliruar nga damka e diskriminimit gjatë punësimit.

    Analiza e UNDP-së, e bërë në vitin 2010, zbulon se shkalla e papunësisë së romëve në vitin 2008 ka qenë 75 për qind dhe është më e larta në krahasim me të gjitha bashkësitë etnike në Maqedoni dhe më shumë se dyfish nga mesatarja shtetërore prej afër 30 për qind.

    Për atë se çfarë ndodh pas dyerve kur zhvillohen intervista për punë apo kur largohen persona nga puna mbi bazë të përkatësisë së tyre etnike dhe racore, deri më tani në Maqedoni vetëm është “shushuritur”. Rasti me “Siti moll” ishte ai që e nxori në pah diskriminimin dhe i ngriti në këmbë mbrojtësit e të drejtave të njeriut.

    Respektivisht, në mars të këtij viti, firma “Lend Servis”, e cila e mirëmbante higjienën në qendrën tregtare “Siti moll”, deklaroi se nga udhëheqësia kanë qenë të detyruar të largohen të gjithë të punësuarit nga nacionaliteti rom në repartin e ushqimit. Nga qendra tregtare sqaruan se kërkesa ka qenë e dërguar për shkak se ka pasur shumë vjedhje në repartin e ushqimit dhe se, sidoqoftë, bëhet fjalë për çështje të brendshme të qendrës tregtare. Për mbrojtësit e të drejtave të njeriut, kjo, nga ana tjetër, është rast tipik i diskriminimit mbi bazë të përkatësisë nacionale. Komisioni për Mbrojtje nga Diskriminimi shumë ashpër e gjykoi këtë ndodhi, ndërsa rasti së shpejti do të përfundojë para Gjykatës për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.

    NUK DUA ROMË NË FIRMËN TIME!

    Nesime Selioska nga organizata joqeveritare “Roma SOS” me vite të tëra merret me problemin e arsimimit dhe të papunësisë së popullatës rome. Ajo thotë se arsimimi i pamjaftueshëm te romët nuk mund të shfrytëzohet më si “pretekst”.

    - Deklarata më e shpeshtë që dëgjojmë si përgjigje në pyetjen “përse bashkësia rome vazhdimisht mbetet nga 70 deri në 80 për qind e papunësuar?” rezulton nga shkaku se romët janë në gjendje të papërshtatshme sa i përket punësimit, për faktin se shumë prej atyre që kërkojnë punë nuk e kanë nivelin e duhur të arsimimit që të jenë konkurrentë në tregun e punës.

    Por, harrohet fakti se në krahasim me vitin 2005, sot ka dyfish më shumë romë të diplomuar nga fakultete të ndryshme, e trefish më shumë romë me shkollë të mesme profesionale të kryer, dhe ende përqindje të njëjtë të romëve të papunësuar.

    Nga këtu qartë mund të shihet se nuk bëhet fjalë për nivelin e arsimimit, por për mundësitë që iu ofrohen romëve që të jenë të pranuar në tregun e punës - thotë Selioska.

    Ajo na tregoi shumë shembuj të diskriminimit për të cilat janë ankuar njerëzit në organizatën e saj joqeveritare. Replikat më të shpeshta që romët i kanë marrë kur kanë aplikuar për punë në sektorin privat kanë qenë si në vijim:

    “Nuk dua rom në firmën time.”

    “Hajde, do të mendoj, po do t’ju paraqitem.”

    “E ti, di diçka të bësh? Me siguri di të këndosh dhe të luash.”

    “Si, si e ke emrin? Rome je? Nuk ngjan.”

    Sipas Selioskës, komentet që romët i marrin kur mundohen të gjejnë punë në sektorin shtetëror janë të ndryshme. Më të shpeshta janë këto në vijim:

    “E ti, nga cila parti je? A do të anëtarësohesh në partinë time, nëse të ndihmoj të punësohesh?”

    “Po nuk jeni vetëm ju romët të papunë, ka edhe plot të tjerë. E keni “Dekadën e romëve”, atje kërkoni punë”.

    “E di që e ke të kryer shkollimin e mesëm, por mund të të punësoj vetëm si pastrues, nëse do.”

    Romët, sipas Selioskës, rrallë vendosin për vetëpunësim, duke pasur parasysh atë se shpenzimet për tatime, kontributet, procedurat administrative, të gjitha këto janë shumë të shtrenjta.

    - Diskriminimi, stereotipat, paragjykimet janë aktuale dhe janë ato që e përcaktojnë rrugën e integrimit në tregun e punës në Maqedoni, e jo arsimimi dhe dituria, për fat të keq - thotë Selioska.

    NË LETËR SHUMË, NË PRAKTIKË PAK

    Stereotipat me të cilat ballafaqohet shoqëria maqedonase se romët janë të fëlliqur, të paarsimuar dhe “ndryshe”, me vite sikur nuk lëvizin nga pika e vdekur. Për diskriminimin e romëve shumë flitet, por të rrallë janë ata që do të dalin publikisht të thonë shembuj me qëllim që të detektohet dhe të zgjidhet problemi.

    Nga rekomandimet që vijnë nga Kuvendi parlamentar i Këshillit të Evropës për përmirësimin e gjendjes së romëve, para së gjithash është përmirësimi i kushteve të jetesës, me marrjen e vendimeve politike të cilat do të lejojnë qasje në mbrojtje shëndetësore, arsimim dhe promovim të identitetit, kulturës dhe gjuhës rome.

    “Në përpilimin e këtyre politikave duhet të kyçet edhe bashkësia rome”, qëndron në rezolutën e miratuar në Strasburg.

    Parlamentarët maqedonas premtojnë, por një numër i vogël prej tyre e dinë se si është ndjenja kur një rom hyn të aplikoj për punë, e kur do ta shqiptojë emrin e tij është i refuzuar, me arsyetimin se nuk ka më vende pune.

    “Përmirësimi i kushteve të jetesës të popullatës rome është prioritet i agjendës tonë politike. Nënvizoj se më shumë anëtarë të Parlamentit tonë dhe një ministër në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë janë romë”, deklaroi deputeti Aleksandar Nikolloski para Kuvendit Parlamentar.

    Nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale nuk ishin të kapshëm për deklaratë, që të shpjegojnë konkretisht se a ka ndërmarrë dhe çfarë strategjish ndërmerr resori i tyre me qëllim që të rritet punësimi te romët dhe të përmirësohet involvimi i tyre në sistemin arsimor.

    Njohësit thonë se derisa nuk i hyhet implementimit të një strategjie për punësimin e romëve, Maqedonia do të ngec në vend në këtë fushë. Ata, si Amrushi, do ta kërkojnë “çaren” e vet në firma mike, sa të kenë ndonjë punë, e disa të tjerë, si Dehran, shpëtimin do ta kërkojnë në shtetet tjera. E në fund, sidoqoftë, Maqedonia është ajo që humb, për shkak se një numër i madh i kuadrove kualitative ditët i kalojnë në shtëpi, vetëm për shkak të tenit dhe lëkurës së tyre, të nacionalitetit dhe stereotipave që ekzistojnë për ata.

    ÇFARË THONË LIGJET DHE KONVENTAT?

    Neni 17 nga Kodi penal maqedonas parasheh që ai i cili mbi bazë të dallimit të racës, ngjyrës së lëkurës, nacionalitetit apo prejardhjes etnike i lëndon të drejtat dhe liritë bazë të njeriut, të njohura nga bashkësia ndërkombëtare, do të dënohet me burg nga 6 muaj deri në 5 vjet.

    Neni 1 nga Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut parasheh që të gjithë njerëzit janë të lirë dhe nga lindja e tyre janë të barabartë, me dinjitet dhe të drejta, ndërsa neni 5 parasheh që asnjëri nuk guxon të jetë i nënshtruar torturës apo trajtimit nënçmues apo dënimit.

    Neni 2 nga Paketa ndërkombëtare për të drejta ekonomike dhe sociale, ku nënshkrues është edhe Maqedonia, parasheh që të drejtat e shpallura në të do të realizohen pa kurrfarë lloj diskriminimi të bazuar mbi bazë të racës apo ngjyrës së lëkurës.

    Diskriminimi mbi bazë të racës është i mbrojtur edhe me nenin 9 nga Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë, sipas së cilës qytetarët janë të barabartë në liritë dhe të drejtat, pavarësisht nga gjinia, raca, ngjyra, prejardhja nacionale dhe sociale. Gjykata e Evropës për të Drejtat e Njeriut është në veçanti rigjide sa i përket diskriminimit mbi bazë të racës dhe përkatësisë etnike:

    “Dallimi në trajtim, që ekskluzivisht ose në masë vendimtare bazohet në prejardhjen etnike të një personi, nuk mund të jetë objektivisht i arsyetueshëm në një shoqëri demokratike bashkëkohore, të ndërtuar mbi parimet e pluralizmit dhe respektimit të kulturave të ndryshme”, parashihet në një nga parimet e Gjykatës Evropiane

    ARSIMIMI EDHE MË TEJ MBETET PROBLEMI MË I MADH

    Sipas të dhënave nga Ambasada e parë e fëmijëve “Megjashi”, në Maqedoni ka 18.500 fëmijë që nuk shkojnë në shkollë. Pjesa më e madhe e këtyre fëmijëve janë romë, të cilët shpesh mundemi t’i shohim se si lypin nëpër rrugë, së bashku me prindërit e tyre.

    - Nuk kam punë, kush do të më punësojë?! Burri im mbledh shishe nëpër kontejnerë për mbeturina e pastaj i shet. Si ta regjistroj fëmijën në shkollë, kur nuk kam as për ta ushqyer? Ngandonjëherë pastroj nëpër shtëpi, kur ka të interesuar. Fëmijën e çoja te Qendra ditore, ku ka strehim deri në ora 16, por kjo nuk është zgjidhje. Na duhet punë që të mund ta arsimoj - na tha Sermie, e cila lypte pas Qendrës tregtare të qytetit.

    Ajo në duar e mbante djalin e saj 2-vjeçar, të cilin dukshëm e pret fati i njëjtë po qe se nuk regjistrohet në shkollë.

    - Me shkyçjen e fëmijëve nga arsimimi, ne në mënyrë direkte kyçemi në rrethin e varfërisë, të analfabetizmit dhe keqpërdorimit të punës së fëmijëve. Dhe, në këtë mënyrë nuk ju ndihmojmë fëmijëve ta mbarojnë shkollimin fillor. Hapja e Qendrës ditore nuk është zgjidhje. Më pas fëmijët përsëri janë në rrugë dhe puna e tyre keqpërdoret dhe për atë shkak këta fëmijë duhet të kyçen në procesin arsimor të domosdoshëm - thotë Dragi Zmijanac nga “Megjashi”.

    (Ky tekst është i përgatitur në kuadër të projektit “Përforcim i bashkëpunimit mes organizatave civile dhe mediave për promovimin e të drejtave dhe lirive të njeriut dhe të lirive të shprehjes”, të cilën e realizon Media Instituti Maqedoni (MIM), ndërsa është financuar nga Bashkimi Evropian, nëpërmjet programit EIDHR. Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi ekskluzive e medias dhe në asnjë mënyrë nuk e paraqet pikëpamjen e Bashkimit Evropian apo të MIM-it.)

    (Овој текст е изработен во рамки на проектот „Зајакнување на соработката меѓу граѓанските организации и медиумите за промоција на човековите права и слободата на изразување“ што го реализира Македонскиот институт за медиуми (МИМ), a е финансиран од Европската Унија преку ЕИДХР програмата. Содржината на текстот е одговорност единственo на медиумот и на никаков начин не ги рефлектира гледиштата на Европската Унија или на МИМ)

    Проектот „Попреченоста е прашање на перцепција“, го спроведуваат Институтот за медиуми и различности од Лондон, Македонскиот институт за медиуми и Националниот совет на инвалидските организации на Македонија.

    Проектот е финансиран од Европската Унија, преку Европскиот инструментот за демократија и човекови права (ЕИДХР).

    euflagEUsoTEBE2

     

     

     

    Оваа веб-страница е изработена со поддршка од Европската Унија. Содржината на оваа веб-страница е одговорност единствено на Институтот за медиуми и различности од Лондон и на никаков начин не ги одразува гледиштата на Европската Унија.

    © 2018 Aktiv.mk. All Rights Reserved.

    Please publish modules in offcanvas position.