Liria e mediave, pavarësia e gjyqeve dhe diskriminimi janë ato tri sfera të cilat Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut i paraqet si problematike në lidhje me respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Maqedoni. Me rastin e 10 Dhjetorit – Ditës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Komiteti në komunikatën e vet shprehet i shqetësuar për paraburgosjen e gazetarëve, për ndikimet politike në media dhe gjyqësi, si dhe për diskriminimin me shtrirje mbi bazë të racës, përkatësisë politike dhe orientimit seksual.
Avokati i Popullit, ndërkaq, në vigjilje të Ditës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut theksoi se „shteti është ai që duhet t’i mundësojë të gjitha parakushtet që qytetarët të ndihen të barabartë “. Ombudsmani u drejtua me porosinë se çdo qytetar meriton që të jetojë me dinjitet dhe të jetë i respektuar, pa kurrfarë paragjykimesh, përkatësisht pa marrë parasysh dallimet në gjendjen sociale, ngjyrën e lëkurës ose të religjionit.
Në të vërtetë, këtë viti shënohen 65 vjet nga miratimi i Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut nga ana e Asamblesë së Përgjithshme, duke i shpallur parimet e saj për „standard i përbashkët i arritjes për të gjithë popujt dhe për të gjitha kombet“. Deklarata për të Drejtat e Njeriut u bë dokumenti më i rëndësishëm në historinë bashkëkohore njerëzore që i përcaktoi kahjet kah duhet të lëviz njerëzimi. Dita e të drejtave të njeriut sivjet i është kushtuar 20-vjetorit të inaugurimit të Komisarit të Lartë për të Drejtat e Njeriut.