Ligj për parandalimin dhe mbrojtjen nga diskriminimi

    I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
    Lënda e Ligjit

    Neni 1

    (1) Më këtë ligj sigurohet parandalimi dhe mbrojtja nga diskriminimi, në realizimin e të drejtave të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë, ligjin dhe marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara.

    (2) Për mbrojtje nga diskriminimi formohet Komision për Mbrojtje nga Diskriminimi.

    (3) Komisioni për Mbrojtje nga Diskriminimi e ka cilësinë e personit juridik.

    Zbatimi i Ligjit
    Neni 2

    Mbrojtja dhe ndalimi nga diskriminimi ka të bëjë me të gjithë personat fizikë dhe juridikë, në procedurën e realizimit të drejtave dhe lirive të garantuara me Kushtetutën dhe me ligjet e Republikës së Maqedonisë.

    Baza për diskriminim
    Neni 3

    Ndalohet çdo diskriminim i drejtpërdrejtë ose i tërthortë, thirrje dhe nxitje e diskriminimit dhe ndihmë në veprim diskriminimi në bazë të gjinisë, racës, ngjyrës së lëkurës, origjinës, përkatësisë në grupin e margjinalizuar, përkatësisë etnike, gjuhës, shtetësisë, prejardhjes sociale, religjionit ose bindjes fetare, llojeve tjera të bindjeve, arsimit, përkatësisë politike, statusit personal ose shoqëror, pengesës mentale dhe trupore, moshës, gjendjes familjare ose martesore, statusit pronësor, gjendjes shëndetësore ose cilësdo bazë tjetër, e cila është paraparë me ligj ose marrëveshje të ratifikuar ndërkombëtare (në tekstin e mëtutjeshëm: baza diskriminuese).

    Zbatimi i Ligjit
    Neni 4

    Ky ligj zbatohet nga ana e të gjitha organeve shtetërore, organeve të njësisë së vetadministrimit lokal, personave juridikë me autorizime publike juridike dhe personave fizikë dhe juridikë nga sfera e:
    1) punës dhe marrëdhënieve të punës;
    2) arsimit, shkencës dhe sportit;
    3) sigurimit social, duke e përfshirë edhe sferën e mbrojtjes sociale, sigurimit pensional dhe invalidor, sigurimit shëndetësor dhe mbrojtjes shëndetësore;
    4) jurisprudencës dhe administratës;
    5) banimit;
    6) informimit publik dhe mediumeve;
    7) qasjes te të mirat dhe shërbimet;
    8) anëtarësimit dhe veprimit në sindikata, në partitë politike, shoqata të qytetarëve dhe fondacione ose organizata tjera të bazuara në anëtarësim;
    9) kulturës dhe
    10) sfera tjera të përcaktuara me ligj.
    Domethënia e shprehjeve të përdorura në këtë ligj

    Neni 5
    Shprehje të caktuara të përdorura në këtë ligj, e kanë domethënien vijuese:

    1. Masa afirmative , janë aktivitetet e organeve kompetente shtetërore të drejtuar në parandalimin dhe mbrojtjen nga diskriminimi, respektivisht zvogëlimin ose eliminimin e pabarazisë faktike, që është krijuar si rezultat i diskriminimit paraprak;

    2. Rreth arkitektonik janë të gjitha objektet në përdorim publik që janë në disponimin e njerëzve për t'i shfrytëzuar, ose që janë të ndërlidhura me përmbushjen e nevojave të caktuara ose me marrjen e shërbimeve të caktuara;

    3. Diskriminim është çdo bërje dallimi i drejtpërdrejtë ose i tërthortë, i paarsyeshëm juridikisht ose faktikisht, ose veprim i pabarabartë, respektivisht lëshim (përjashtim, kufizim ose dhënie përparësie), lidhur me personat ose grupet, që bazohet në gjininë, racën, ngjyrën e lëkurës, origjinën, përkatësinë në grup të margjinalizuar, përkatësinë etnike, gjuhën, shtetësinë, prejardhjen sociale, religjionin ose bindjen fetare, arsimin, përkatësinë politike, statusin personal ose shoqëror, pengesën mentale dhe trupore, moshën, gjendjen familjare ose martesore, statusin pronësor, gjendjen shëndetësore ose në cilëndo baze tjetër;

    4. Sjellje dhe veprim diskriminues është çdo sjellje aktive ose pasive e çdo personi nga ana e autoriteteve publike, si dhe nga ana e personave fizikë dhe juridikë nga sektori privat dhe publik në jetën publike, që krijon baza për privilegje ose joprivilegje të ndonjë personi në mënyrë të paarsyeshme, ose të cilin e ekspozon në marrëdhënie degraduese dhe të padrejta në krahasim me personat tjerë në situata të ngjashme, të mbështetura në cilëndo qoftë nga bazat diskriminuese;

    5. Martesë është bashkësi e jetës ekskluzivisht i një burri dhe një gruaje në të cilën realizohen interesat e bashkëshortëve, familjes dhe shoqërisë;

    6. Barazi është parimi sipas të cilit të gjithë njerëzit janë të barabartë, përkatësisht të barazuar në detyrat dhe të drejtat. Barazia e nënkupton dallueshmërinë, përkatësisht e nënkupton ekzistimin e personave jo të njejtë që duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë;

    7. Mbrojtje efektive është ekzistimi i sistemit nga mekanizmat e kapshme dhe të përdorshme për ngritjen e procedurës në rast të diskriminimit, ekzistimi i strukturave të pavarura dhe objektive që procedojnë për ankesat në bazë të procedurave të parashikuara paraprakisht dhe ekzistimi i sanksioneve të parashikuara paraprakisht për cenime konkrete të të drejtave;

    8. Qëllim legjitim (i arsyetuar në mënyrë objektive), është qëllimi që nuk është në kundërshtim me Kushtetutën dhe dispozitat e marrëveshjeve ndërkombëtare, ndërsa që u përgjigjet nevojave reale, është i përkufizuar paraprakisht dhe është proporcional me efektet që duhet të arrihen.

    9. Person është personi fizik i cili qëndron në territorin e Republikës së Maqedonisë dhe person juridik që është i regjistruar, respektivisht kryen veprimtari në territorin e Republikës së Maqedonisë.

    10. Interesi legjitim e paraqet arsyetimin e interesit dhe përfshirjen aktive të personit të caktuar në ndërmarrjen e aktiviteteve konkrete, për shkak të përfshirjes personale në pasojat e atyre aktiviteteve, për shkak të interesit më të gjerë të paraqitur paraprakisht për ngjarje të caktuara shoqërore, përkatësisht për shkak të autorizimit të paraparë me ligj, për angazhim me aktivitete të caktuara.

    11. Grupi i margjinalizuar është grup individësh që i bashkon pozitat specifike në shoqëri, që janë objekt i paragjykimeve, që kanë karakteristika të veçanta që i bëjnë të përshtatshëm për lloje të caktuara të dhunës, kanë mundësi më të vogël për realizimin dhe mbrojtjen e të drejtave personale, ose janë të ekspozuar në mundësinë e shtuar për viktimizimin e mëtutjeshëm dhe

    12. Përshtatje e infrastrukturës dhe shërbimeve është marrja e masave përkatëse të nevojshme në rastin e veçantë, që t'i mundësohet personit me pengesa mentale dhe trupore që të ketë qasje, të marrë pjesë dhe të përparojë në procesin e punës, përveç nëse këto masa nuk imponojnë ngarkesa joproporcionale për punëdhënësit.

    II. FORMAT E DISKRIMINIMIT

    Diskriminimi i drejtpërdrejtë dhe i tërthortë
    Neni 6

    (1) Diskriminim i drejtpërdrejtë në bazë diskriminuese është çdo veprim, dallim, përjashtim ose kufizim i pavolitshëm që si pasojë e ka ose mund ta ketë marrjen, shkeljen ose kufizimin e njohjes ose gëzimit të barabartë të të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, në krahasim me trajtimin që e ka ose mund ta ketë personi tjetër në kushte të njëjta ose të ngjashme.

    (2) Diskriminim i tërthortë në bazë diskriminuese, është çdo vënie të ndonjë personi ose grupi në pozitë të pavolitshme në krahasim me persona tjerë, me miratimin e dispozitave, kritereve të dukshme neutrale, ose me ndërmarrjen e praktikave të caktuara, përveç nëse ato dispozita, kritere ose praktika, dalin nga qëllimi i arsyeshëm, ndërsa mjetet për arritjen e atij qëllimi janë përkatëse dhe të domosdoshme.
    Shqetësimi
    Neni 7

    (1) Shqetësimi dhe veprimi poshtërues, paraqesin cënim të dinjitetit të personit ose të grupit të personave, që rrjedh nga baza diskriminuese dhe që ka për qëllim ose rezultat cenimin e dinjitetit të personit të caktuar ose krijimin qasjen ose praktikimin e mjedisit kërcënues, armiqësor, poshtërues ose frikësues.

    (2) Shqetësimi seksual, është sjellje e padëshirueshme me karakter gjinor, që shprehet në mënyrë fizike, verbale ose në çfarëdo mënyrë tjetër, ndërsa ka për qëllim ose pasojë cenimin e dinjitetit të një personi, veçanërisht kur krijohet mjedis armiqësor, kërcënues, degradues ose poshtërues.
    Diskriminimi i personave me pengesa mentale dhe trupore
    Neni 8

    (1) Me diskriminim të personave me pengesa mentale dhe trupore, nënkuptohet qëllimisht pamundësimi ose rëndimi i qasjes për mbrojtjen shëndetësore përkatësisht, shkurtimi i të drejtave të mbrojtjes shëndetësore, trajtimit mjekësor të rregullt dhe barnave, mjeteve dhe masave rehabilituese në pajtim me nevojat e tyre, shkurtimi i të drejtës për martesë dhe krijim të familjes, dhe të drejtave tjera nga sfera e martesës dhe marrëdhënieve familjare, shkurtimi i të drejtës së arsimit, punës dhe të drejtave nga marrëdhënia e punës.

    (2) Diskriminim i personave me pengesa mentale dhe trupore, ekziston edhe atëherë kur nuk do të ndërmerren masa për shmangien e kufizimeve, përkatësisht përshtatjen e infrastrukturës dhe hapësirës, shfrytëzimin e resurseve të arritshme për publikun, ose pjesëmarrjen në jetën publike dhe shoqërore.
    Thirrja dhe nxitja e diskriminimit
    Neni 9

    Si diskriminim do të konsiderohet edhe çdo aktivitet me të cilin ndonjë person në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë e thirr, inkurajon, jep udhëzime ose nxit personin tjetër që të kryejë diskriminim.

    Viktimizimi
    Neni 10

    Diskriminimi e paraqet edhe sjelljen e papërshtatshme ndaj një personi, pësimin e pasojave të dëmshme për shkak se janë ndërmarrë aktivitete të caktuara për mbrojtjen nga diskriminimi (e ka lajmëruar diskriminim, ka filluar procedurë për diskriminim dhe ka dëshmuar gjatë procedurës).

    Diskriminimi në sigurimin e të mirave dhe shërbimeve
    Neni 11

    Pamundësimi ose kufizimi i shfrytëzimit të të mirave dhe shërbimeve të personit ose grupit të personave, sipas ndonjë baze të shënuar në nenin 5 pika 3 të këtij ligji, paraqet diskriminim.

    Format më të rënda të diskriminimit
    Neni 12

    Si formë më e rëndë e diskriminimit sipas këtij ligji, do të konsiderohet diskriminimi i bërë ndaj personit të caktuar në më shumë baza diskriminimi (diskriminimi i shumëfishtë), diskriminimi i bërë më shumë herë (diskriminim i përsëritur), që është bërë një kohë më të gjatë (diskriminimi i vazhdueshëm) ose i cili me pasojat e veta veçanërisht rëndë e godet personin e diskriminuar.

    III. PËRJASHTIMET NGA DISKRIMINIMI

    Masat afirmative
    Neni 13

    Nuk do të konsiderohen për diskriminim masat afirmative të ndërmarra nga organet e administratës shtetërore, organet e njësive të vetadministrimit lokal, organet dhe organizatat tjera që kryejnë autorizime publike, institucionet publike ose nga ana e personave juridikë ose fizikë, të konstatuara si të arsyeshme në të kaluarën, të tashmën ose në të ardhmen, e të cilat mund të ndërmerren derisa nuk arrihet barazia e përgjithshme faktike:
    1) në interes të personit, grupit të personave ose bashkësisë, me qëllim që të eliminohen ose të zvogëlohen pabarazitë faktike, nëse dallimi është i arsyetuar dhe proporcional me qëllimin dhe me qëllim që të sigurohet zhvillimi i tyre natyror dhe arritja efektive e të drejtës së tyre për mundësi të barabarta në krahasim me personat tjerë, grupin e personave ose bashkësive dhe
    2) masat afirmative që kanë për qëllim mbrojtjen e grupeve të margjinalizuara, me qëllim që të eliminohen ose të zvogëlohen pabarazitë faktike, nëse dallimi është i arsyetuar ose proporcional me qëllimin dhe me qëllim që të sigurohet zhvillimi i tyre natyral dhe arritja efektive e të drejtës së tyre për mundësi të barabarta në krahasim me personat, grupin e personave ose bashkësitë tjera.

    Veprimi i pabarabartë
    Neni 14

    Nuk do të konsiderohet si diskriminim:
    1) trajtimi i ndryshëm i personave që nuk janë shtetas të Republikës së Maqedonisë në lidhje me liritë dhe të drejtat e dhëna në Kushtetutë, në ligje dhe marrëveshje ndërkombëtare të cilat i ka pranuar Republika e Maqedonisë, e të cilat drejtpërsëdrejti dalin nga shtetësia e Republikës së Maqedonisë;
    2) trajtimi i ndryshëm i personave në bazë të karakteristikave që kanë të bëjnë me ndonjerën nga bazat diskriminuese, kur karakteristikat e përmendura, për shkak të natyrës së profesionit ose aktivitetit, ose për shkak të kushteve në të cilat zhvillohet ai profesion, paraqesin kërkesë thelbësore dhe vendimmarrëse, qëllimi është legjitim ndërsa kushti nuk e tejkalon nivelin e nevojshëm për realizimin e tij;
    3) trajtimi i ndryshëm i personave në bazë të religjionit, bindjes, gjinisë, ose karakteristikave tjera në lidhje me profesion që zhvillohet në institucionet ose organizatat religjioze, kur sipas karakterit ose aktivitetit konkret të profesionit, ose për shkak të kushteve në të cilat realizohet, religjionit, bindjes, gjinisë, ose karakteristikave tjera, paraqesin kërkesë themelore dhe vendimtare, nga pikëpamja e institucionit ose organizatës, kur qëllimi është legjitim ndërsa kushti nuk e tejkalon nivelin e duhur për realizim;
    4) trajtimi i ndryshëm i personave në bazë të religjionit, bindjes, gjinisë ose karakteristikave tjera, në lidhje me arsimin dhe trajnimin për qëllimet e profesionit lidhur me religjionin konkret;
    5) nëse anëtarët dhe organet e kishave dhe bashkësive fetare, organizatave qytetare, partive politike, sindikatave dhe organizatave tjera të evidentuara në regjistër në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet, veprojnë në pajtim me doktrinën, bindjet ose besimet e tyre dhe/ose qëllimet e përcaktuara në statutet, programet dhe/ose rregullat e tyre;
    6) rregullimi i martesës, bashkësisë jashtëmartesore dhe familjes ekskluzivisht si bashkësi e gjinive të kundërta, përkatësisht të një burri dhe një gruaje;
    7) realizimi i parimit të garantuar me kushtetutë, i lirisë së të shprehurit, shfaqjes publike, mendimit dhe informimit publik;
    8) përcaktimi i kërkesës për moshën minimale, përvojën profesionale ose stazhit në proceset e zgjedhjes ose dhënies së privilegjeve të caktuara të ndërlidhura me punën, kur kjo është e arsyetuar objektivisht për arritjen e qëllimit legjitim, ndërsa përmbajtja e këtij dallimi nuk e tejkalon nivelin e domosdoshëm të nevojshëm për realizimin e qëllimit dhe
    9) përcaktimi i kushtit për moshën maksimale në procesin e punësimit, që është i ndërlidhur me nevojën e trajnimit ose për nevojat nga kufizimet racionale kohore, të ndërlidhura me pensionimin e parashikuar me ligj, kur kjo është e arsyetuar objektivisht për arritjet e qëllimit legjitim, ndërsa përmbajtja e këtij dallimi nuk e tejkalon nivelin e domosdoshëm të nevojshëm për arritjen e qëllimit.

    Mekanizmat mbrojtëse për kategoritë e caktuara të personave
    Neni 15

    Nuk do të konsiderohen si diskriminim:
    1) mbrojtja e veçantë e gruas shtatzënë dhe nënës e paraparë me ligj, përveç kur gruaja shtatzënë ose nëna nuk dëshiron ta shfrytëzojë këtë mbrojtje dhe për këtë e ka paralajmëruar punëdhënësin me shkrim;
    2) masat të cilat parashikohen me ligj për nxitjen e punësimit;
    3) trajtimi i ndryshëm i personave me invaliditet, në realizimin e trajnimit dhe marrjen e arsimit me qëllim për përmbushjen e nevojave personale arsimore për shkak të barazimit të mundësive;
    4) parashikimi i viteve minimale dhe maksimale, për qasje në nivelet e caktuara të trajnimit dhe arsimit, kur kjo është objektivisht e arsyeshme për arritjen e qëllimeve legjitime, ndërsa përmbajtja e këtij dallimi nuk e tejkalon atë që është e domosdoshme, duke pasur parasysh natyrën e trajnimit ose arsimit, ose kushtet në të cilat ato zhvillohen dhe përmbajtja e këtij dallimi nuk e tejkalon nivelin e domosdoshëm të nevojshëm për arritjen e qëllimit;
    5) masat e drejtuara për sigurimin e balancës në pjesëmarrjen e meshkujve dhe femrave, derisa keto masa jenë të nevojshme;
    6) masat e veçanta nga të cilat kanë interes personat ose grupet, të cilat janë në pozitë më të pavolitshme, të krijuar në çfarëdo baze diskriminuese, me qëllim të barazimit të mundësive të tyre, gjithnjë derisa ato masa janë të nevojshme;
    7) mbrojtja e veçantë e paraparë me ligj, e fëmijëve pa prindër, të miturve, prindërve vetëmbajtës, persona invalidë;
    8) masat për mbrojtjen e veçantisë dhe identitetit të personave të cilët i përkasin pakicave etnike religjioze ose gjuhësore, dhe e drejta e tyre që ta kultivojnë dhe zhvillojnë identitetin personal individualisht ose në bashkësi me anetarët tjerë të grupit të tyre, dhe nxisin kushte për avancimin e atij identiteti dhe
    9) masat në sferën e arsimit dhe trajnimit, që duhet të sigurojnë pjesëmarrje të personave nga pakicat etnike përderisa ato masa janë të domosdoshme.

    IV. KOMISIONI PËR MBROJTJE NGA DISKRIMINIMI

    Komisioni për Mbrojtje nga Diskriminim
    Neni 16

    (1) Komisioni për Mbrojtje nga Diskriminimi, është organ i pavarur dhe i mëvetësishëm që punon në pajtim me kompetencat e përcaktuara me këtë ligj (në tekstin e mëtutjeshëm: Komisioni).

    (2) Komisioni e ka cilësinë e personit juridik me seli në Shkup.

    (3) Mjetet për punën e Komisionit, sigurohen nga Buxheti i Republikës së Maqedonisë. Komisioni mund të sigurojë mjete edhe nga burime tjera.
    Përberja e Komisionit
    Neni 17

    (1) Komisioni është i përbërë nga 7 anëtarë.

    (2) Anëtarët e Komisionit i emëron Kuvendi i Republikës së Maqedonisë me mandat prej pesë vitesh, me të drejtën e një rizgjedhjeje.

    (3) Nga radhët e anëtarëve të emëruar në paragrafin 2 të këtij neni, Komisioni e zgjedh kryetarin me mandat për një vit.

    Emërimi i anëtarëve të Komisionit
    Neni 18

    Për anëtarë të Komisionit, mund të emërohet personi që i plotëson kushtet vijuese:
    - të jetë shtetas i Republikës së Maqedonisë dhe të ketë vendbanim të përhershëm në Republikën e Maqedonisë dhe
    - të ketë arsim të lartë dhe përvojë nga sfera e të drejtave të njeriut ose shkencave shoqërore.

    Neni 19

    (1) Kuvendi i Republikës së Maqedonisë e publikon shpalljen për emërimin e anëtarëve të Komisionit në "Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë" dhe në shtypin ditor.

    (2) Shpallja nga paragrafi (1) i këtij neni, zgjat 15 ditë nga dita e publikimit të saj në "Gazetën zyrtare të Republikës së Maqedonisë".

    (3) Gjatë zgjedhjes së anëtarëve të Komisionit, të kihet parasysh principi për përfaqësim të drejtë dhe adekuat.

    (4) Komisioni për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërtime i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, pergatit propozimlistë nga kandidatët e paraqitur dhe e dorëzon në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë.

    Neni 20

    (1) Kryetari i Komisionit para mbarimit të mandatit të tij si kryetar, mund të shkarkohet me kërkesën e tij.

    (2) Nëse kryetari është shkarkuar në pajtim me paragrafin (1) të këtij neni, Komisioni zgjedh kryetar për mbetjen e mandatit të kryetarit të shkarkuar.

    Neni 21

    (1) Anëtarët e Komisionit e kanë statusin e personave të emëruar.

    (2) Anëtarët e Komisionit kanë të drejtë për kompensim mujor, në lartësi të dy rrogave mujore neto, të paguara për punëtor në Republikën e Maqedonisë.

    Shkarkimi i anëtarit të Komisionit
    Neni 22

    (1) Kuvendi i Republikës së Maqedonisë e shkarkon anëtarin e Komisionit para përfundimit të mandatit, me propozim të Komisionit për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërtimeve, nëse:
    1) vete e kërkon atë;
    2) për shkak vdekjeje;
    3) nëse me vendim të plotfuqishëm i është shqiptuar ndalim për kryerje të profesionit, veprimtarisë ose detyrës;
    4) nëse me vendim të plotfuqishëm gjyqësor, është dënuar me dënim me burgim prej më shumë se gjashtë muajsh;
    5) në mënyrë të përhershme e humb aftësinë psikofizike për kryerjen e funksionit dhe
    6) funksionin e kryen në mënyrë joprofesionale, të njëanshme dhe të papërgjegjshme.

    (2) Përmbushjen e kushteve për shkarkim nga paragrafit (1) i këtij neni, i përcakton Komisioni me shumicë votash nga numri i përgjithshëm i anëtarëve dhe parashtron iniciative për shkarkimin e anëtarit të Komisionit, në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë.

    Neni 23

    Kur anëtari i Komisionit është i shkarkuar në pajtim me dispozitat e nenit 17 të këtij ligji, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë publikon shpallje për emërimin e anëtarit të Komisionit, me mandat në kohëzgjatje pas mbarimit të mandatit të anëtarit të shkarkuar.

    Kompetencat e Komisionit
    Neni 24

    Kompetencat e Komisionit:
    1) procedon për parashtresa, jep mendime dhe rekomandime për raste konkrete të diskriminimit;
    2) parashtruesit të parashtresës i jep informata për të drejtat dhe mundësitë e tij për ngritje të procedurës gjyqësore ose procedurës tjetër për mbrojtje;
    3) ngrit iniciative për ngritje të procedurës para organeve kompetente për cënimet e kryera të këtij ligji;
    4) parashtron raport vjetor në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë;
    5) e informon publikun për rastet e diskriminimit dhe ndërmerr masa për promovimin dhe edukimin e barazisë, të drejtat e njeriut dhe mosdiskriminimit;
    6) e përcjell zbatimin e këtij ligji, e inicion ndryshimin e dispozitave për zbatimin dhe avancimin e mbrojtjes nga diskriminimi;
    7) vendos bashkëpunim me organet kompetente, për realizimin e barazisë dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut në vetadministrimin lokal;
    8) u jep rekomandime organeve shtetërore, për marrjen e masave për realizimin e barazisë;
    9) jep mendime për propozim-ligje me rëndësi për mbrojtje nga diskriminimi;
    10) mbledh të dhëna statistikore dhe të dhëna të tjera, formon baza të të dhënave, realizon studime, hulumtime dhe trajnime, në lidhje me diskriminimin;
    11) bashkëpunon me trupa përkatëse nacionale të shteteve tjera, si dhe me organizata ndërkombëtare, në fushën e mbrojtjes nga diskriminimi dhe
    12) miraton rregullore për punë dhe akte të tjera për organizimin e brendshëm të punës.

    V. PROCEDURA PËR PARANDALIMIN DHE MBROJTJEN NGA DISKRIMINIMI PARA KOMISIONIT

    Veprimi i Komisionit
    Neni 25

    (1) Personi që konsideron se ka pësuar diskriminim, parashtron parashtresë te Komisioni, me shkrim ose gojarisht në procesverbal, pa obligim për pagesë të taksës dhe kompensimit tjetër.

    (2) Me parashtresën personi parashtron dëshmi dhe fakte, nga të cilat mundet të vërtetohet akti ose veprimi i diskriminimit.

    (3) Procedura para Komisionit për personat të cilet jetojnë në njësitë e vetadministrimit lokal, në të cilën më së paku 20% të qytetarëve flasin gjuhë zyrtare të ndryshme nga gjuha maqedonase, mund ta shfrytëzojnë cilëndo nga gjuhët zyrtare dhe alfabetin e saj. Parashtresat e këtilla, Komisioni i përkthen në gjuhën maqedonase dhe në alfabetin e saj cirilik dhe procedon për ato.

    (4) Komisioni për parashtresat e parashtruara, përgjigjet në gjuhën maqedonase dhe në alfabetin e saj cirilik, si dhe në gjuhën zyrtare dhe alfabetin që e përdor qytetari.

    (5) Parashtresa mund të parashtrohet më së voni në afat prej tre muajsh nga dita kur është kryer cenimi, ose më së voni një vit nga njoftimi për aktin e diskriminimit.

    (6) Komisioni mund të fillojë procedurë edhe pas përfundimit të afatit, nëse vlerëson se bëhet fjalë për rast me rëndësi të atillë, për të cilin do të ishte e domosdoshme dhe e përshtatshme që të udhëhiqet procedura.

    (7) Parashtresën komisioni e dorëzon te personi kundër të cilit është parashtruar, në afat prej 15 ditësh nga dita e pranimit.
    Neni 26

    (1) Komisioni procedon për parashtresën, nëse procedura para gjykatës për punën e njejtë tanimë nuk është ngritur ose e përfunduar në mënyrë të plotfuqishme.

    (2) Komisioni nuk procedon për parashtresën nëse është e qartë se nuk ka cenim të së drejtës në të cilën thirret parashtruesi, nëse për punën e njëjtë tanimë ka proceduar, ndërsa nuk janë ofruar dëshmi të reja dhe nëse vërteton se për shkak të kalimit të kohës nga cenimi i kryer i së drejtës, nuk është e mundur që të arrihet qëllimi i procedurës.

    Vërtetimi i gjendjes faktike
    Neni 27

    (1) Pas pranimit të parashtresës, Komisioni e vërteton gjendjen faktike me shqyrtimin e dokumenteve dhe marrjen e deklaratave nga parashtruesi i parashtresës, personi kundër të cilit është parashtruar parashtresa, si dhe nga persona tjerë.

    (2) Personi kundër të cilit është parashtruar parashtresa, mund të deklarohet për të dhënat në parashtresë, në afat prej 15 ditësh nga dita e pranimit të saj.

    Mendimi dhe rekomandime
    Neni 28

    (1) Komisioni jep mendime për diskriminimin në fjalë në afat prej 90 ditësh nga dita e parashtrimit të parashtresës, dhe për këtë e njofton parashtruesin dhe personin kundër të cilit është parashtruar parashtresa.

    (2) Me mendimin me shkrim pas diskriminimit të vërtetuar, Komisioni e rekomandon mënyrën e evitimit të cenimeve të së drejtës.

    (3) Personi të cilit i është i drejtuar rekomandimi, është i obliguar që të veprojë sipas rekomandimit dhe ta evitojë cenimin e së drejtës, në afat prej 30 ditësh nga dita e pranimit të rekomandimit si dhe për këtë ta njoftojë Komisionin.
    Neni 29

    Nëse personi të cilit i është i drejtuar rekomandimi, nuk vepron sipas rekomandimit, përkatësisht nuk e eviton cenimin e së drejtës, Komisioni mund të ngrit iniciativë për ngritjen e procedurës para organit kompetent, për përcaktimin e përgjegjësisë së tij.
    Punët administrative profesionale dhe teknike të Komisionit
    Neni 30

    Punët administrative profesionale dhe teknike të Komisionit, i kryen Komisioni.
    Bashkëpunimi me organet tjera
    Neni 31

    Të gjithë personat fizikë dhe juridikë, organet shtetërore, organet e njësive të vetadministrimit lokal, organet dhe organizatat tjera që kryejnë autorizime publike dhe institucionet dhe shërbimet publike, janë të obliguara që me kërkesë të Komisionit t'i japin të dhëna për raste konkrete të diskriminimit.
    Kryerja e kontrollit të dokumentacionit
    Neni 32

    Në kryerjen e punëve nga kompetenca e saj, Komisioni mund të kryejë kontroll të drejtpërdrejtë të dokumentacionit të organeve shtetërore, organeve të njësive të vetadministrimit lokal, organeve dhe organizatave tjera që kryejnë autorizime publike dhe institucioneve dhe shërbimeve publike, të cilat disponojnë me të dhëna dhe informata për raste të diskriminimit.
    Bashkepunimi me Avokatin e Popullit
    Neni 33

    Në kryerjen e punëve nga kompetenca e vet, Komisioni bashkëpunon me Avokatin e Popullit për raste konkrete të diskriminimit.

    VI. MBROJTJA GJYQËSORE

    Kompetenca dhe procedura gjyqësore
    Neni 34

    (1) Personi i cili konsideron se për shkak të diskriminimit i është cenuar ndonjë e drejtë, është i autorizuar që të parashtrojë aktpadi para gjykatës kompetente.

    (2) Në procedurë në mënyrë përkatëse zbatohen dispozitat e Ligjit për procedurë kontestimore.

    (3) Procedura është urgjente.

    Kompetenca vendore
    Neni 35

    Në procedurën për mbrojtje nga diskriminimi, kompetent vendor është krahas gjykatës për kompetencë të përgjithshme vendore edhe gjykata në rajonin e së cilës është selia, respektivisht vendbanimi i paditësit.

    Padia
    Neni 36

    (1) Me padinë nga neni 29 paragrafi 1 të këtij ligji, mund të kërkohet që:
    1) të vërtetohet se i padituri e ka cenuar të drejtën e trajtimit të barabartë të paditësit, respektivisht veprimi që e ka ndërmarrë ose lëshuar, mundet drejtpërsëdrejti të sjellë cenimin e të drejtave të barazisë në mënyrën e veprimit;
    2) të ndalohet ndërmarrja e veprimeve me të cilat cenohet ose mund të cenohet e drejta e paditësit për veprim të barabartë, respektivisht të kryhen veprime me të cilat evitohen diskriminimi ose pasojat e tij;
    3) të kompensohet demi material dhe jomaterial, i shkaktuar me cenimin e të drejtave të mbrojtura me këtë ligj dhe
    4) të shpallet në mediume aktgjykimi me të cilin vërtetohet cenimi i të drejtave të veprimit të barabartë, me shpenzimet e të paditurit.

    (2) Kërkesat nga paragrafi (1) i këtij neni, mund të paraqiten së bashku me kërkesat për mbrojtjen e të drejtave tjera, për të cilat vendoset në procedurë kontestimore, nëse të gjitha kërkesat janë në lidhje të ndërsjelle dhe nëse gjykata e njejtë është kompetente reale për ato, pa marrë parasysh nëse për ato kërkesa është përcaktuar vendimmarrje në procedurë të përgjithshme ose të veçantë kontestimore.

    Masat e sigurisë
    Neni 37

    (1) Para fillimit ose gjatë procedurës lidhur me kërkesën paditëse nga neni 31 paragrafi (1) të këtij ligji, gjykata me propozimin e palës mundet të përcaktojë masa për siguri.

    (2) Me parashtrimin e propozimit për masa sigurie nevojitet, që:
    - parashtruesi i kërkesës ta bëjë të besueshme, se është cenuar e drejta e tij për veprim të barabartë dhe
    - përcaktimi i masës të jetë i nevojshëm për evitimit e rrezikut nga dëmi i pakompensueshëm, veçanërisht cenimeve të rënda të të drejtave për veprim të barabartë ose parandalim të dhunës.

    (3) Për masat nga paragrafi (1) i këtij neni, vendos gjykata që është kompetente për kërkesëpaditë, në mënyrë dhe procedurë të miratuara me ligj.

    Obligimi për provë
    Neni 38

    (1) Nëse pala në procedurën gjyqësore pohon se në pajtim me dispozitat e këtij ligji, i është cënuar e drejta e saj e veprimit të barabartë, obligohet që t'i paraqesë të gjitha faktet dhe provat që e arsyetojnë pohimin e saj. Argumentimi se nuk ka pasur diskriminim bie në llogari të palës së kundërt.

    (2) Dispozita e paragrafit (1) të këtij neni, nuk zbatohet në procedurën kundërvajtëse dhe ndëshkuese.

    Pjesëmarrja e personave të tretë
    Neni 39

    (1) Në seancën gjyqësore lidhur me padinë nga neni 34 i këtij ligji, mundet si ndërmjetës i përzier nga ana e personit i cili pohon se është i diskriminuar, të bashkëngjitet organi, organizata, institucioni, shoqata ose personi tjetër, që në kuadër të veprimtarisë së tij merret me mbrojtjen e të drejtave të veprimit të barabartë, për drejtat e të cilit vendoset në procedurë. Për pjesëmarrjen e ndërmjetësit vendos gjykata me zbatimin e dispozitave të Ligjit për procedurë kontestimore.

    (2) Gjykata do të lejojë pjesëmarrje të ndërmjetësit nga paragrafi (1) i këtij neni, vetëm me leje të personit në anën e të cilit ndërmjetësi dëshiron të ndërmjetësojë.

    (3) Ndërmjetësi nga paragrafi (1) i këtij neni, mund të ndërmarrë veprime në procedurë dhe në procedurë i ka të gjithë të drejtat të cilat i takojnë ndërmjetësit.

    (4) Pa marrë parasysh rezultatin e seancës gjyqësore ndërmjetësi nga paragrafi (1) i këtij neni, vet i bart shpenzimet nga pjesëmarrja e vet në seancën gjyqësore.

    Shpallja publike e aktgjykimit
    Neni 40

    (1) Kërkesën për shpalljen e aktgjykimit nga neni 31 paragrafi (1) pika 4 të këtij neni, gjykata do ta miratojë nëse konstaton se:
    1) deri te cenimi i të drejtave të veprimit të barabartë, ka ardhur me ndërmjetësim të mediumeve ose
    2) informata për veprim që e cenon të drejtën e veprimit të barabartë është shpallur në mediume, ndërsa shpallja e aktgjykimit nevojitet për kompensimin e plotë të dëmit të shkaktuar ose mbrojtjen nga veprimi i pabarabartë në rastet e ardhshme.

    (2) Nëse e miraton kërkesën për shpallje të aktgjykimit, gjykata do të urdhërojë që aktgjykimi të shpallet plotësisht ose pjesërisht, për mbrojtjen e të dhënave personale.

    (3) Aktgjykimi me të cilin urdhërohet shpallja në mediume, e obligon botuesin e mediumit në të cilin duhet të shpallet aktgjykimi, pa marrë parasysh nëse ka qenë palë në procedurë.

    Padia e përbashkët për mbrojtje nga diskriminimi
    Neni 41

    (1) Shoqatat dhe fondacionet, institucionet ose organizatat tjera nga shoqëria qytetare, që kanë interes të arsyeshëm për mbrojtje të interesave kolektive të grupit të caktuar, ose në suaza të veprimtarisë së vet merren me mbrojtjen e drejtave të veprimit të barabartë, mund të parashtrojnë padi dhe në procedurë në gjykatë të paraqiten si palë kundërshtare kundër personit që e ka cenuar të drejtën e veprimit të barabartë, nëse e bëjnë të besueshme se me veprimin e të paditurit është cënuar e drejta e veprimit të barabartë të më shumë personave.

    (2) Në padinë nga paragrafi (1) mund të theksohet kërkesë, që:
    1) të konstatohet se veprimi i të paditurit e ka cenuar trajtimin e barabartë në raport me anëtarët e grupit;
    2) të ndalohet ndërmarrja e veprimeve me të cilat shkelet ose mund të shkelet trajtimi i barabartë, respektivisht të kryhen veprime me të cilat evitohen diskriminimi ose pasojat e tij në raport me anëtarët e grupit dhe
    3) aktgjykimi me të cilin është përcaktuar cenimi i të drejtave të veprimit të barabartë, të shpallet në mediume me shpenzimet e të paditurit.

    (3) Dispozitat tjera të këtij ligji, që kanë të bëjnë me paditë nga neni 31 paragrafi (1) të këtij ligj, në mënyrë përkatëse zbatohen në padinë nga paragrafi (1) i këtij neni.

    (4) Padija nga paragrafi (1) i këtij neni, lejohet nëse ekziston pajtim nga personi që pohon se është i diskriminuar.

    VII. DISPOZITA KUNDËRVAJTËSE
    Neni 42

    (1) Gjobë në shumë prej 400 deri më 600 euro me kundërvlerë në denarë, do t'i kumtohet për kundërvajtje secilit, që fton ose nxit në diskriminim dhe ndihmon në veprimtarinë diskriminuese, sipas bazës diskriminuese (neni 3).

    (2) Gjobë në shumë prej 600 deri më 800 euro me kundërvlerë në denarë, do t'i kumtohet për kundërvajtje nga paragrafi (1) i këtij neni, personit përgjegjës në personin juridik, në organin shtetëror, në organin e njësisë së vetadministrimin lokal ose organin me autorizime publike, ose individit që në formë të profesionit të regjistruar kryen veprimtari të caktuar.

    (3) Gjobë në shumë prej 800 deri në 1.000 euro me kundërvlerë në denarë, do t'i kumtohet për kundërvajtje nga paragrafi (1), personit juridik.
    Neni 43

    (1) Gjobë në shumë prej 400 deri në 600 euro me kundërvlerë në denarë do t'i kumtohet për kundërvajtje, secilit që do ta cenojë dinjitetin e personit të caktuar ose për krijimin, qasjen apo praktikimin e mjedisit kërcënues, armiqësor, poshtërues ose frikësues (neni 7).

    (2) Gjobë në shumë prej 600 deri në 800 euro në kundërvlerë me denarë, do t'i kumtohet për kundërvajtjen nga paragrafi (1) i këtij neni, personit përgjegjës në personin juridik, në organin shtetëror, në organin e njësisë së vetadministrimin lokal ose organin me autorizime publike ose individit që në formë të profesionit të regjistruar, kryen veprimtari të caktuar.

    (3) Gjobë në shumë prej 800 deri në 1.000 euro me kundërvlerë në denarë do t'i kumtohet për kundërvajtje nga paragrafi (1), personit juridik.

    Neni 44

    (1) Gjobë në shumë prej 400 deri në 600 euro me kundërvlerë në denarë do t'i kumtohet për kundërvajtje, secilit që do ta sjellë në gjendje të pavolitshme personin që e ka paraqitur diskriminim, ose në çfarëdo mënyre ka marrë pjesë në veprimin për diskriminim.

    (2) Gjoba nga paragrafi (1) i këtij neni, do t'i kumtohet secilit që me qëllim do ta sjellë në gjendje të pavolitshme personin, që ka qenë dëshmitar në veprimin për diskriminim, ose e ka refuzuar urdhrin për sjelle diskriminuese.

    (3) Gjobë në shumë prej 600 deri në 800 euro me kundërvlerë në denarë, do t'i kumtohet për kundërvajtje nga paragrafi (1) i këtij neni, përsonit përgjegjës në personin juridik, në organin shtetëror, në organin e njësisë së vetadministrimin lokal, ose organin me autorizime publike ose individit që në formë të profesionit të regjistruar, kryen veprimtari të caktuar.

    (4) Gjobë në shumë prej 800 deri në 1.000 euro në kundërvlerë në denarë, do t'i kumtohet për kundërvajtje nga paragrafi (1), personit juridik.
    Neni 45

    Gjobë në shumë prej 400 deri në 600 euro me kundërvlerë në denarë, do t'i kumtohet për kundërvajtje personit përgjegjës në personin juridik, në organin shtetëror, ose në organin e njësisë së vetadministrimin lokal, nëse me kërkesë të Komisionit në afat prej 30 ditësh, nuk do të dorëzojë të dhëna për diskriminim ose nuk do të lejojë kontroll në shkresë (nenet 31 dhe 32).

    VIII. DISPOZITA KALIMTARE DHE PËRFUNDIMTARE
    Neni 46

    Ky ligj hyn në fuqi në ditën e tetë nga dita e botimit në "Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë", ndërsa do të zbatohet nga 1 janari 2011.

    Ligj për parandalimin dhe mbrojtjen nga diskriminimi

    Проектот „Попреченоста е прашање на перцепција“, го спроведуваат Институтот за медиуми и различности од Лондон, Македонскиот институт за медиуми и Националниот совет на инвалидските организации на Македонија.

    Проектот е финансиран од Европската Унија, преку Европскиот инструментот за демократија и човекови права (ЕИДХР).

    euflagEUsoTEBE2

     

     

     

    Оваа веб-страница е изработена со поддршка од Европската Унија. Содржината на оваа веб-страница е одговорност единствено на Институтот за медиуми и различности од Лондон и на никаков начин не ги одразува гледиштата на Европската Унија.

    © 2018 Aktiv.mk. All Rights Reserved.

    Please publish modules in offcanvas position.