Miratuar dhe hapur për nënshkrim, për ratifikim dhepër aderim nga Asambleja e Përgjithshme me Rezolutën e saj 2200 A (XXI) të datës 16 dhjetor 1966
HYRË NË FUQI: 23 mars 1976, në përputhje me nenin 49
HYRJE
Shtetet palë të këtij Pakti,
Duke pasur parasysh se, në përputhje me parimet e shpallura në Kartën e Kombeve të Bashkuara, njohja e dinjitetit të lindur dhe e të drejtave të barabarta e të patjetërsueshme të të gjithë pjesëtarëve të familjes njerëzore është themel i lirisë, drejtësisë dhe paqes në botë,
Duke njohur se këto të drejta burojnë nga dinjiteti i lindur i njeriut,
Duke njohur se, në përputhje me Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut, ideali i njerëzve të lirë, që gëzojnë lirinë civile e politike dhe lirinë nga frika dhe skamja, mund të realizohet vetëm në qoftë se janë krijuar kushtet të cilat i lejojnë secilit të gëzojë të drejtat e tij civile dhe politike, si dhe të drejtat e tij ekonomike, shoqërore e kulturore,
Duke pasur parasysh se Karta e Kombeve të Bashkuara u ngarkon shteteve si detyrë për të nxitur respektimin universal dhe efektiv të të drejtave dhe të lirive të njeriut,
Duke kuptuar faktin se individi ka detyra ndaj të tjerëve dhe ndaj kolektivitetit të cilit i përket dhe se ai është përgjegjës për t'i nxitur dhe respektuar të drejtat e njohura në këtë Pakt
U morën vesh për nenet e mëposhtme:
PJESA E PARË
Neni 1
1. Të gjithë popujt kanë të drejtën e vetëvendosjes. Në bazë të kësaj të drejte, ata përcaktojnë lirisht statusin e tyre politik dhe ndjekin lirisht zhvillimin e tyre ekonomik, shoqëror dhe kulturor.
2. Për të arritur qëllimet e tyre, të gjithë popujt mund t'i disponojnë lirisht pasuritë dhe burimet e tyre natyrore, pa cenuar kurrfarë detyrimesh që rrjedhin nga bashkëpunimi ekonomik ndërkombëtar, që bazohet në parimin e përfitimit të ndërsjellë, dhe në të drejtën ndërkombëtare. Një popull nuk mund të privohet nga mjetet e veta të jetesës në asnjë rast.
3. Shtetet palë të këtij Pakti, duke përfshirë ato që janë përgjegjëse për administrimin e territoreve jovetëqeverisëse dhe të territoreve nën kujdestari, ndihmojnë realizimin e së drejtës së popujve për vetëvendosje dhe respektojnë këtë të drejtë në përputhje me dispozitat e Kartës së Kombeve të Bashkuara.
PJESA E DYTË
Neni 2
1. Çdo shtet palë i këtij Pakti zotohet të respektojë dhe t'u sigurojë të gjithë njerëzve që ndodhen në territorin e tij dhe që varen nga juridiksioni i tij, të drejtat e njohura në këtë Pakt, pa kurrfarë dallimi të bazuar në racë, ngjyrë, seks, gjuhë, fe, opinion politik ose çdo opinion tjetër, origjinë kombëtare apo shoqërore, pasuri, lindje ose çdo gjendje tjetër.
2. Çdo shtet palë i këtij Pakti zotohet, në përputhje me procedurat e tij kushtetuese dhe me dispozitat e këtij Pakti, të marrë hapa të nevojshëm të cilët do të lejojnë marrjen e masave të tilla legjislative ose të masave të tjera të nevojshme që të mund t'i zbatojë të drejtat e njohura në këtë Pakt të cilat ende nuk janë parashikuar.
3. Çdo shtet palë i këtij Pakti zotohet:
(a) Të sigurojë që çdo person, kur t'i shkelen të drejtat dhe liritë e njohura në këtë Pakt, të ketë të drejtën e një mjeti juridik efektiv, edhe atëherë kur shkeljen e kryejnë personat me rastin e ushtrimit të funksioneve të tyre zyrtare:
(b) Të sigurojë që autoriteti kompetent gjyqësor, administrativ ose legjislativ, ose çdo autoritet tjetër që është kompetent në bazë të legjislacionit të shtetit, do t'i përcaktojë të
drejtat e këtij personi që paraqet mjetin juridik si dhe të zhvillojë mundësitë e paraqitjes së mjetit juridik.
(c) Të sigurojë që autoritetet kompetente do të veprojnë sipas çdo mjeti juridik që do të njihet si i përligjur.
Neni 3
Shtetet palë të këtij Pakti zotohen të sigurojnë të drejtën e barabartë të burrit dhe të gruas lidhur me gëzimin e të gjitha të drejtave civile dhe politike të përcaktuara në këtë Pakt.
Neni 4
1. Në kohën kur një rrezik publik i jashtëzakonshëm kërcënon ekzistencën e kombit dhe shpallet zyrtarisht si i tillë, shtetet palë të këtij Pakti mund të marrin masa me të cilat shmangen detyrimet e parashikuara në këtë Pakt, në vëllimin përpikërisht të caktuar sipas kërkesave të situatës, me kusht që këto masa të mos jenë në mospërputhje me detyrimet e tyre të tjera sipas të drejtës ndërkombëtare dhe të mos ngatërrojnë, si pasojë, një diskriminim të bazuar vetëm në racë, ngjyrë, seks, gjuhë, fe, ose origjinë shoqërore.
2. Asnjë shmangie nga nenet, 6, 7, 8, (par. 1 dhe 2), 11, 15, 16, dhe 18 nuk mund të bëhet sipas kësaj dispozite.
3. Shtetet palë të këtij Pakti që shfrytëzojnë të drejtën e shmangies, nëpërmjet Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, i njoftojnë menjëherë shtetet e tjera palë të këtij Pakti lidhur me dispozitat nga të cilat ato janë shmangur si dhe lidhur me arsyet që i kanë shtyrë të bëjnë këtë shmangie. Me ndërmjetësimin e njëjtë bëhet një kumtim i mëtejmë lidhur me datën kur këto shtete do t'u japin fund këtyre shmangieve.
Neni 5
1. Asnjë dispozitë e këtij Pakti nuk mund të interpretohet asisoj sikur i njeh një shteti, një grupi ose një personi çfarëdo të drejte për të zhvilluar ndonjë veprimtari ose për të kryer një veprim që synon prishjen e të drejtave dhe lirive të njohura në këtë Pakt ose kufizimin e tyre në një shkallë më të gjerë se sa parashikohet me këtë Pakt.
2. Nuk lejohet asnjë kufizim ose shmangie nga cilatdo të drejta themelore të njeriut që janë të njohura ose që janë në fuqi në ndonjë shtet palë të këtij Pakti në përputhje me ligjet, konventat, aktet ose zakonet e tjera me pretekstin se ky Pakt nuk i njeh ose i njeh në një shkallë më të vogël.
PJESA E TRETË
Neni 6
1. E drejta e jetës është e drejtë e lindur e njeriut. Kjo e drejtë duhet të mbrohet me ligj. Askush nuk mund të privohet arbitrarisht nga jeta.
2. Në vendet ku nuk është hequr dënimi me vdekje, ai mund të jepet vetëm për krimet më të rënda, në përputhje me ligjin në fuqi në kohën e kryerjes së krimit dhe nuk duhet të jetë në kundërshtim me dispozitat e këtij Pakti dhe me Konventën për Parandalimin dhe Ndjekjen e Krimit të Gjenocidit. Ky dënim mund të jepet vetëm në bazë të një gjykimi përfundimtar nga një gjykatë kompetente.
3. Kur heqja e jetës përbën një krim gjenocidi, kuptohet se asnjë dispozitë e këtij neni nuk i jep të drejtë një shteti palë të këtij Pakti që në asnjë mënyrë t'i shmanget çfarëdo detyrimi që ka marrë përsipër në bazë të dispozitave të Konventës për Parandalimin dhe Ndjekjen e Krimit të Gjenocidit.
4. Çdo i dënuar me vdekje ka të drejtë të kërkojë falje ose zëvendësim të dënimit. Amnistia, falja ose zëvendësimi i dënimit me vdekje mund të jepen në të gjitha rastet.
5. Dënimi me vdekje nuk mund të jepet për krimet e kryera nga personat nën 18 vjeç dhe nuk mund të zbatohet ndaj grave shtatzëna.
6. Asnjë dispozitë e këtij neni nuk mund të shfrytëzohet për të vonuar ose për të ndaluar heqjen e dënimit kapital nga një shtet palë i këtij Pakti.
Neni 7
Askush nuk duhet t'i nënshtrohet torturës dhe as dënimeve ose trajtimeve mizore, çnjerëzore e poshtëruese. Në veçanti, askush nuk duhet t'i nënshtrohet një eksperimenti mjekësor ose shkencor pa pëlqimin e tij të lirë.
Neni 8
1. Askush nuk duhet të mbahet në robëri; robëria dhe tregtia me robër janë të ndaluara në të gjitha format e tyre:
2. Askush nuk duhet të mbahet në një gjendje nënshtrimi,
3. (a) Askush nuk duhet të shtrëngohet të kryejë punë të detyruar ose të detyrueshme;
(b) Paragrafi 3 (a) nuk duhet të interpretohet asisoj sikur ndalon vuajtjen e dënimit me punë të detyruar të dhënë nga një gjykatë kompetente, në ato vende ku disa krime ndëshkohen me burgim të shoqëruar me punë të detyruar;
(c) Në kuptim të këtij paragrafi, termi "punë e detyruar ose e detyrueshme" nuk konsiderohet:
(i) Çdo punë ose shërbim që nuk është përmendur në nënparagrafin (b), që kërkohet normalisht të kryhet nga një person i burgosur në bazë të një vendimi gjyqësor të rregullt ose nga një person i cili është liruar me kusht;
(ii) Çdo shërbim me karakter ushtarak dhe, në vendet ku njihet kundërshtimi i ndërgjegjes, çdo shërbim kombëtar që kërkohet në bazë të ligjit nga kundërshtuesit e ndërgjegjes;
(iii) Çdo shërbim që kërkohet në raste të jashtëzakonshme ose të fatkeqësive që rrezikojnë jetën ose mirëqenien e bashkësisë;
(iv) Çdo punë ose shërbim që bën pjesë në detyrimet qytetare normale.
Neni 9
1. Secili ka të drejtën e lirisë dhe të sigurisë së personit të tij. Askush nuk duhet të jetë objekt i një arrestimi ose burgimi arbitrar. Askush nuk duhet të privohet nga liria, përveç për arsye dhe në përputhje me procedurën e parashikuar me ligj.
2. Çdo person i arrestuar duhet të informohet, në çastin e arrestimit, për arsyet e arrestimit dhe menjëherë duhet të njoftohet lidhur me çdo akuzë që bëhet kundër tij.
3. Çdo person i arrestuar ose i ndaluar për shkak të një vepre penale duhet të nxirret, pa vonesë, përpara një gjykatësi ose ndonjë zyrtari tjetër të autorizuar me ligj për ushtrimin e funksioneve gjyqësore dhe duhet të gjykohet brenda një afati të arsyeshëm ose të lirohet. Ndalimi i personave të cilët presin të gjykohen nuk duhet të jetë rregull i përgjithshëm, por lirimi mund të kushtëzohet me garanci për të siguruar daljen e të interesuarit para gjyqit, në cilëndo fazë tjetër të procedurës gjyqësore, dhe po qe se paraqitet nevoja, edhe për ekzekutimin e gjykimit.
4. Çdo person që privohet nga liria e tij me masa arrestimi ose ndalimi ka të drejtë ankese në një gjykatë me qëllim që kjo të vendosë, pa vonesë, lidhur me ligjshmërinë e masës së ndalimit dhe të urdhërojë lirimin e tij në qoftë se ndalimi është i paligjshëm.
5. Çdo person që është viktimë e një arrestimi ose ndalimi të paligjshëm ka të drejtë dëmshpërblimi.
Neni 10
1. Të gjithë personat e privuar nga liria, duhet të trajtohen me humanizëm dhe respekt për dinjitetin e lindur të njeriut.
2. (a) Personat e akuzuar, përveç në rrethana të jashtëzakonshme, duhet të ndahen nga personat e dënuar dhe duhet të kenë një trajtim të ndryshëm e të përshtatshëm për pozitën e tyre si persona që nuk janë të dënuar.
(b) Të miturit e akuzuar duhet të ndahen nga të rriturit dhe lidhur me rastin e tyre duhet të vendoset sa më shpejt që të jetë e mundur.
3. Sistemi ndëshkimor - korrektues përmban një trajtim të të dënuarëve që ka për qëllim thelbësor riedukimin dhe riintegrimin e tyre në shoqëri. Të miturit keqbërës duhet të ndahen nga të rriturit dhe t'i nënshtrohen një regjimi që t'i përshtatet moshës dhe pozitës së tyre juridike.
Neni 11
Askush nuk duhet të burgoset për të vetmen arsye se nuk është në gjendje të shlyejë një detyrim të kontraktuar.
Neni 12
1. Secili që ndodhet ligjërisht në territorin e një shteti ka të drejtë të lëvizë lirisht brenda këtij territori si dhe të zgjedhë lirisht vendbanimin e tij.
2. Secili është i lirë të braktisë cilindo vend, duke përfshirë edhe vendin e tij.
3. Të drejtat e sipërpërmendura mund të kufizohen vetëm kur kjo parashikohet me ligj, dhe kur është e nevojshme për të mbrojtur sigurinë kombëtare, rendin publik, shëndetin ose moralin publik ose të drejtat dhe liritë e të tjerëve, si dhe kur këto kufizime janë në përputhje me të drejtat e tjera të njohura në këtë Pakt.
4. Askush nuk duhet të privohet arbitrarisht nga e drejta për të hyrë në vendin e tij.
Neni 13
Një i huaj që ndodhet ligjërisht në territorin e një shteti palë të këtij Pakti mund të dëbohet nga ai shtet vetëm sipas vendimit të marrë në bazë të ligjit dhe me përjashtim të rasteve kur arsyet e forta lidhur me sigurinë kombëtare nuk e lejojnë një gjë të tillë, atij duhet t'i jepet mundësia të parashtrojë arsyet kundër dëbimit të tij dhe të kërkojë shqyrtimin
e çështjes së tij nga një organ kompetent ose nga një a më shumë persona të caktuar posaçërisht nga ky organ, duke qenë i përfaqësuar aty edhe ai vetë.
Neni 14
1. Të gjithë janë të barabartë përpara gjykatave dhe organeve të drejtësisë. Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të trajtohet me paanësi dhe publikisht nga një gjykatë kompetente, e pavarur dhe e paanshme, e ngritur sipas ligjit, që do të vendosë qoftë për përcaktimin e çdo akuze të karakterit penal që drejtohet kundër tij, qoftë për konfliktet lidhur me të drejtat dhe detyrimet e tij në fushën civile. Shtypi dhe publiku mund të largohen gjatë gjithë procesit ose të një pjese të tij, qoftë kur e kërkon interesi i sjelljes së moralshme, i rendit publik ose i sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, ose kur e kërkon interesi i jetës private të palëve, qoftë edhe kur gjykata e quan krejtësisht të domosdoshme në qoftë se, për disa rrethana të veçanta të çështjes, publiciteti mund të dëmtonte interesat e drejtësisë; megjithatë çdo gjykim i dhënë në çështjen penale ose civile do të jetë publik, me përjashtim të rasteve kur interesi i të miturve kërkon ndryshe ose në qoftë se procesi ka të bëjë me mosmarrëveshje martesore ose me kujdestarinë e fëmijëve.
2. Secili person i akuzuar për një vepër penale ka të drejtë të konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të provohet në përputhje me ligjin.
3. Secili person i akuzuar për një vepër penale ka të drejtë plotësisht të barabartë të ketë këto garanci minimale:
(a) Të informohet menjëherë dhe në mënyrë të hollësishme, në një gjuhë të cilën ai e kupton, lidhur me natyrën dhe shkakun e akuzës që ngrihet kundër tij;
(b) Të ketë kohë dhe mundësi të mjaftueshme për të përgatitur mbrojtjen dhe të komunikojë me një avokat të zgjedhur prej tij;
(c) Të gjykohet pa vonesë të tepruar.
(ç) Të jetë i pranishëm gjatë procesit dhe të mbrohet vetë ose nëpërmjet një mbrojtësi të zgjedhur prej tij; në qoftë se nuk ka mbrojtje, duhet të informohet për të drejtën e tij që të ketë një të tillë dhe, kurdoherë që e kërkon interesi i drejtësisë, atij duhet t'i caktohet një mbrojtje falas në cilindo rast të tillë nëse ai nuk ka mjete për të paguar;
(d) Të marrë në pyetje ose të kërkojë të merren në pyetje dëshmitarët kundër tij dhe të sillen në gjyq e të merren në pyetje dëshmitarët e mbrojtjes në emër të tij në të njëjtat kushte sikurse edhe dëshmitarët kundër tij;
(dh) Të ketë ndihmën falas të një përkthyesi në qoftë se nuk kupton ose nuk flet gjuhën që përdoret në gjyq;
(e) Të mos shtrëngohet të dëshmojë kundër vetvetes ose të pranojë se është fajtor.
(4) Procedura që zbatohet për të miturit të cilët nuk kanë arritur ende moshën madhore, në rast se kanë të bëjnë me ligjin penal, duhet të marrë parasysh moshën e tyre dhe interesin që paraqet riedukimi i tyre.
(5) Çdo person i shpallur fajtor për një vepër penale ka të drejtë të kërkojë që shpallja e tij fajtor dhe dënimi i tij të shqyrtohen nga një instancë gjyqësore më e lartë, në përputhje me ligjin.
(6) Kur një person më në fund dënohet dhe kur ky dënim penal definitiv anulohet më vonë ose kur jepet falje për arsye se një fakt i ri ose një fakt i rizbuluar provon se është bërë një gabim gjyqëor, personi që ka pësuar si rezultat i këtij dënimi do të dëmshpërblehet në përputhje me ligjin, me përjashtim të rasteve kur provohet se mospërmendja e faktit të panjohur në kohën e duhur i detyrohet atij vetë tërësisht ose pjesërisht.
(7) Askush nuk mund të ndiqet ose të ndëshkohet për një vepër për të cilën ai është dënuar ose liruar njëherë në përputhje me ligjin dhe procedurën penale të çdo vendi.
Neni 15
1. Askush nuk duhet të dënohet për veprime ose mosveprime të cilat nuk kanë qenë vepra penale sipas të drejtës kombëtare ose ndërkombëtare në kohën kur janë kryer. Po ashtu nuk duhet të jepet një dënim më i rëndë se ai që mund të zbatohej në kohën kur është kryer vepra penale. Në qoftë se më vonë, pas kryerjes së veprës, ligji parashikon një dënim më të lehtë, keqbërësi duhet të përfitojë nga kjo.
2. Asgjë në këtë nen nuk duhet interpretuar asisoj sikur është kundër gjykimit, ose ndëshkimit të çdo personi për veprime ose mosveprime të cilat, në kohën kur janë kryer, janë cilësuar si vepra penale sipas parimeve të përgjithshme të së drejtës të njohura nga bashkësia ndërkombëtare.
Neni 16
Secili ka të drejtë t'i njihet personaliteti juridik kudo qoftë.
Neni 17
1. Askush nuk duhet të jetë objekt i ndërhyrjeve arbitrare ose të paligjshme në jetën e tij private, në familje, në shtëpi ose letërkëmbim, e as duhet t'i shkelet nderi dhe reputacioni i tij në mënyrë të paligjshme.
2. Secili ka të drejtë të ketë mbrojtje ligjore kundër ndërhyrjeve dhe shkeljeve të tilla.
Neni 18
1. Secili ka të drejtën e lirisë së mendimit, ndërgjegjes dhe fesë. Kjo e drejtë përfshin lirinë për të pasur ose për të adoptuar një fe ose një besim prej tij, si dhe lirinë për të manifestuar fenë apo besimin e vet, qoftë individualisht apo së bashku me të tjerët, si publikisht ashtu edhe privatisht, nëpërmjet kultit dhe kryerjes së riteve, praktikave dhe arsimit.
2. Askush nuk duhet t'i nënshtrohet ndonjë shtrëngimi që do të mund të prekte lirinë e tij për të pasur ose për të adoptuar një fe ose një besim të zgjedhur prej tij.
3. Liria e manifestimit të fesë apo të besimit të vet mund të bëhet objekt vetëm i kufizimeve të parapara me ligj dhe që janë të domosdoshme për mbrojtjen e sigurisë, të rendit e të shëndetit publik, ose të moralit apo të lirive dhe të drejtave themelore të të tjerëve.
4. Shtetet palë të këtij Pakti zotohen të respektojnë lirinë e prindërve dhe, kur është e zbatueshme, të kujdestarëve të ligjshëm për të siguruar edukimin fetar dhe moral të fëmijëve të tyre në përputhje me bindjet e tyre.
Neni 19
1. Secili duhet të ketë të drejtën e opinionit pa ndonjë ndërhyrje.
2. Secili duhet të ketë të drejtën e lirisë së shprehjes; kjo e drejtë përfshin lirinë e kërkimit, marrjes dhe përhapjes së informacioneve dhe ideve të të gjitha llojeve, pavarësisht nga kufijtë, qoftë me gojë, me shkrim, në formë të shtypur ose artistike, ose me çdo mjet tjetër të zgjedhur prej tij.
3. Ushtrimi i lirive të parashikuara në paragrafin 2 të këtij neni, nënkupton detyra dhe përgjegjësi të posaçme. Për rrjedhojë ai mund t'u nënshtrohet disa kufizimeve të cilat duhet të përcaktohen shprehimisht me ligj dhe të jenë të domosdoshme:
(a) Për respektimin e të drejtave ose të reputacionit të të tjerëve;
(b) Për mbrojtjen e sigurisë kombëtare, të rendit publik, të shëndetit ose të moralit publik.
Neni 20
1. Çdo propagandë në favor të luftës ndalohet me ligj.
2. Çdo thirrje për urrejtje kombëtare, racore ose fetare që përbën nxitjen për diskriminim, armiqësi dhe dhunë ndalohet me ligj.
Neni 21
Njihet e drejta e mbledhjes paqësore. Ushtrimi i kësaj të drejte mund të jetë objekt vetëm i kufizimeve që diktohen sipas ligjit dhe që janë të nevojshme në një shoqëri demokratike, në interes të sigurisë kombëtare, të qetësisë dhe rendit publik, ose për të mbrojtur shëndetin ose moralin publik, apo të drejtat dhe liritë e të tjerëve.
Neni 22
1. Secili person ka të drejtë të bashkohet lirisht me të tjerët, duke përfshirë të drejtën për të formuar sindikata dhe për të marrë pjesë në to për mbrojtjen e interesave të veta.
2. Ushtrimi i kësaj të drejte mund të jetë objekt vetëm i kufizimeve që parashikohen me ligj dhe që janë të nevojshme në një shoqëri demokratike në interes të sigurisë kombëtare, qetësisë dhe rendit publik, ose për të mbrojtur shëndetin ose moralin publik apo të drejtat dhe liritë e të tjerëve. Ky nen nuk ndalon kufizimet ligjore për ushtrimin e kësaj të drejte nga anëtarët e forcave të armatosura dhe të policisë.
3. Asnjë dispozitë e këtij neni nuk i autorizon shtetet palë të Konventës së vitit 1948 të Organizatës Ndërkombëtare të Punës lidhur me lirinë e bashkimit dhe me mbrojtjen e së drejtës së organizimit për të marrë masa legjislative që mund të shkelin ose zbatojnë ligjin asisoj që cenojnë garancitë e parashikuara me Konventën e përmendur.
Neni 23
1. Familja është njësi e natyrshme dhe themelore e shoqërisë dhe ka të drejtë të ketë mbrojtjen e shoqërisë dhe të shtetit.
2. E drejta e burrit dhe gruas për t'u martuar dhe për të formuar familje duhet të njihet duke filluar nga mosha e pjekurisë.
3. Asnjë martesë nuk duhet të lidhet pa pëlqimin e lirë dhe të plotë të bashkëshortëve të ardhshëm.
4. Shtetet palë të këtij Pakti marrin masa të përshtatshme për të siguruar barazinë e të drejtave dhe të përgjegjësive të bashkëshortëve lidhur me martesën, gjatë martesës dhe me rastin e prishjes së saj. Në rastet e prishjes së martesës, do të merren masa me qëllim që fëmijëve t'u sigurohet mbrojtja e nevojshme.
Neni 24
1. Çdo fëmijë, pa asnjë dallim të bazuar në racë, ngjyrë, seks, gjuhë, fe, origjinë kombëtare apo shoqërore, pasuri apo lindje, ka të drejtë të ketë masat e atilla të mbrojtjes që kërkon gjendja e tij si i mitur nga ana e familjes së tij, shoqërisë dhe shtetit, të cilët duhet të marrin masa për këtë qëllim.
2. Çdo fëmijë duhet të regjistrohet menjëherë pas lindjes dhe të ketë një emër.
3. Çdo fëmijë ka të drejtën e një shtetësie.
Neni 25
Çdo qytetar ka të drejtë dhe mundësi, që pa asnjë nga dallimet e përmendura në nenin 2 dhe pa kufizime të paarsyeshme:
(a) Të marrë pjesë në drejtimin e punëve publike, qoftë drejtpërsëdrejti ose nëpërmjet përfaqësuesve të zgjedhur lirisht;
(b) Të votojë dhe të zgjedhet gjatë zgjedhjeve të vërteta të herëpashershme, me votim të përgjithshëm dhe të barabartë dhe me vota të fshehta, të cilat sigurojnë shprehjen e lirë të vullnetit të zgjedhësve;
(c) Të pranohet, në kushte të përgjithshme barazie, për të ushtruar funksione publike në vendin e tij.
Neni 26
Të gjithë njerëzit janë të barabartë përpara ligjit dhe kanë të drejtë mbrojtjeje të barabartë të ligjit pa kurrfarë dallimi. Lidhur me këtë, ligji duhet të ndalojë çdo diskriminim dhe të garantojë për të gjithë, mbrojtje të barabartë dhe efektive, kundër çdo diskriminimi e sidomos për shkak të racës, ngjyrës, seksit, gjuhës, fesë, opinionit politik dhe çdo opinioni tjetër, origjinës kombëtare apo shoqërore, pasurisë, lindjes ose çdo situate tjetër.
Neni 27
Në shtetet ku ekzistojnë pakica etnike, fetare ose gjuhësore, personat që u përkasin këtyre pakicave nuk duhet të privohen nga e drejta që të kenë, së bashku me pjesëtarët e tjerë të grupit të vet, jetën e vet të veçantë kulturore, të predikojnë dhe të praktikojnë fenë e tyre ose të përdorin gjuhën e tyre.
PJESA E KATËRT
Neni 28
1. Krijohet një Komitet i të Drejtave të Njeriut (në tekstin e mëtejmë: "Komiteti"). Ky Komitet përbëhet nga tetëmbëdhjetë anëtarë dhe do t'i ushtrojë funksionet që përcaktohen si më poshtë.
2. Komiteti përbëhet nga shtetas të shteteve palë të këtij Pakti, të cilët duhet të jenë personalitete me moral të lartë dhe me një kompetencë të njohur në fushën e të drejtave të njeriut. Do të kihet parasysh rëndësia që paraqet pjesëmarrja në punimet e Komitetit e disa personave me përvojë juridike.
3. Anëtarët e Komitetit zgjedhen dhe marrin pjesë në të në cilësi vetjake.
Neni 29
1. Anëtarët e Komitetit zgjedhen me votim të fshehtë nga një listë e personave të cilët përmbushin kushtet e parashikuara në nenin 28 dhe që propozohen për këtë qëllim nga shtetet palë të këtij Pakti.
2. Çdo shtet palë i këtij Pakti mund të propozojë të shumtën dy kandidatë. Këta duhet të jenë shtetas të shtetit që i propozon.
3. I njëjti person mund të propozohet sërish.
Neni 30
1. Zgjedhjet e para duhet të mbahen jo më vonë se gjashtë muaj pas datës së hyrjes së këtij Pakti në fuqi.
2. Jo më pak se katër muaj para datës së çdo zgjedhjeje për Komitet, përveç zgjedhjes me qëllim të plotësimit të një vendi të lirë të deklaruar në përputhje me nenin 34, Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara fton me shkrim shtetet palë të këtij Pakti t'i caktojnë, brenda tre muajve, kandidatët e tyre për anëtarë të Komitetit.
3. Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara harton listën alfabetike të të gjithë kanditatëve që janë propozuar në këtë mënyrë duke i treguar shetet palë që i kanë propozuar dhe këtë ua dërgon sheteve palë të këtij Pakti, jo më vonë se një muaj para datës se çdo zgjedhjeje.
4. Zgjedhja e anëtarëve të Komitetit bëhet në një mbledhje të shteteve palë të këtij Pakti të thirrur nga Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara në selinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Në këtë mbledhje, ku kuorumi përbëhet nga dy të tretat e shteteve palë të këtij Pakti, anëtarë të Komitetit zgjedhen kandidatët të cilët fitojnë numrin më të madh të votave dhe shumicën absolute të votave të përfaqësuesve të shteteve palë të pranishëm dhe që votojnë.
Neni 31
1. Komiteti nuk mund të ketë më shumë se një shtetas të një shteti të vetëm.
2. Me rastin e zgjedhjeve në Komitet, duhet të kihet parasysh shpërndarja gjeografike e drejtë dhe përfaqësimi i formave të ndryshme të qytetërimit si dhe i sistemeve juridike kryesore.
Neni 32
1. Anëtarët e Komitetit zgjedhen për një mandat prej katër vitesh. Ata mund të rizgjedhen po qe se propozohen sërish. Megjithatë, mandati i nëntë prej anëtarëve të zgjedhur në zgjedhjen e parë mbaron pas dy viteve; menjëherë pas zgjedhjes se parë, kryesuesi i mbledhjes, siç përmendet në nenin 30, paragrafin 4, i hedh në short emrat e këtyre nëntë anëtarëve.
2. Në mbarim të mandatit, zgjedhjet mbahen në përputhje me dispozitat e neneve paraprake të kësaj pjese të Paktit.
Neni 33
1. Në qoftë se, sipas mendimit unanim të anëtarëve të tjerë, një anëtar i Komitetit tashmë nuk i ushtron funksionet e tij për ndonjë arsye tjetër që nuk është mungesë e karakterit të përkohshëm, kryetari i Komitetit informon për këtë Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, i cili e shpall të lirë vendin e anëtarit në f]alë.
2. Në rastin e vdejkjes ose të dhënies së dorëheqjes së një anëtari të Komitetit, kryetari informon Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, i cili ia shpall vendin të lirë që nga data e vdekjes, apo nga data kur dorëheqja hyn në fuqi.
Neni 34
1. Kur një vend shpallet i lirë në përputhje me nenin 33 dhe në qoftë se mandati i anëtarit që duhet zëvendësuar nuk mbaron brenda gjashtë muajve nga data kur ky vend shpallet i lirë, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara njofton për këtë të gjitha
shtetet palë të këtij Pakti, të cilat brenda një afati prej dy muajve mund të caktojnë kandidatin e tyre në përputhje me nenin 29 për të plotësuar vendin e lirë.
2. Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara harton listën alfabetike të personave që janë propozuar në atë mënyrë dhe ua komunikon atë shteteve palë të këtij Pakti. Zgjedhjet për të plotësuar vendin e lirë bëhen në përputhje me dispozitat përkatëse të kësaj pjese të Paktit.
3. Një anëtar i Komitetit i zgjedhur për një vend që është shpallur i lirë në përputhje me nenin 33 merr pjesë në punën e Komitetit deri në datën e mbarimit të mandatit të anëtarit që ka lënë vendin e lirë në përputhje me dispozitat e nenit të sipërpërmendur.
Neni 35
Anëtarët e Komitetit, me miratimin e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, marrin shpërblim nga burimet e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në kushtet që i përcakton Asambleja e Përgjithshme dhe sipas rëndësisë së funksioneve të Komitetit.
Neni 36
Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara vë në dispozicion të Komitetit, personelin dhe pajisjet materiale që i nevojiten për të kryer në mënyrë efektive funksionet që i janë besuar në bazë të këtij Pakti.
Neni 37
1. Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara thërret anëtarët e Komitetit në Selinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për mbledhjen e parë.
2. Pas mbledhjes së parë, Komiteti mblidhet kurdoherë që parashikohet me rregulloren e tij të brendshme.
3. Mbledhjet e Komitetit mbahen zakonisht në Selinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara ose në Zyrën e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë.
Neni 38
Çdo anëtar i Komitetit duhet, para se të marrë detyrën, të zotohet publikisht dhe solemnisht se do t'i kryejë funksionet e tij me paanësi dhe me ndërgjegje të plotë.
Neni 39
1. Komiteti zgjedh byronë e tij për dy vite. Anëtarët e byrosë mund të rizgjedhen.
2. Komiteti harton vetë rregulloren e tij të brendshme; megjithatë rregullorja duhet të përmbajë, ndër të tjera, këto dispozita:
(a) Kuorumi përbëhet nga dymbëdhjetë anëtarë;
(b) Vendimet e Komitetit merren me shumicën e anëtarëve të pranishëm.
Neni 40
1. Shtetet palë të këtij Pakti zotohen të paraqesin raporte lidhur me masat që i kanë marrë për t'u dhënë efekt të drejtave të njohura në këtë Pakt si dhe lidhur me rezultatet e arritura në realizimin e këtyre të drejtave:
(a) Brenda një viti duke filluar nga hyrja e këtij Pakti në fuqi, për çdo shtet palë të interesuar;
(b) Pastaj, kurdoherë që Komiteti do të bëjë kërkesë.
2. Të gjitha raportet do t'i drejtohen Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, i cili do t'ia kalojë Komitetit për shqyrtim. Raportet duhet të tregojnë, në rast nevoje, faktorët dhe vështirësitë që ndikojnë në zbatimin e këtij Pakti.
3. Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara mundet, pasi të konsultohet me Komitetin, t'u dërgojë organizatave të specializuara të interesuara nga një kopje të atyre pjesëve të raportit që mund të kenë lidhje me fushën e kompetencës së tyre.
4. Komiteti shqyrton raportet e paraqitura nga shtetet palë të këtij Pakti. Ky Komitet u dërgon raportet e tij shteteve palë, si dhe vërejtje të përgjithshme që i quan të nevojshme. Komiteti mund t'ia dërgojë po ashtu Këshillit Ekonomik e Shoqëror këto vërejtje bashkë me kopjet e raporteve që i ka marrë nga shtetet palë të këtij Pakti.
5. Shtetet palë të këtij Pakti mund t'i paraqesin Komitetit komentet e tyre lidhur me çdo vërejtje që do të bëhej në përputhje me paragrafin 4 të këtij neni.
Neni 41
1. Një shtet palë i këtij Pakti, në bazë të këtij neni, mund të deklarojë, kurdoherë, se njeh kompetencën e Komitetit për të marrë dhe shqyrtuar kumtimet me anën e të cilave një shtet palë pohon se një tjetër shtet palë nuk përmbush detyrimet e tij në bazë të këtij Pakti.
Kumtimet e paraqitura në bazë të këtij neni mund të merren e të shqyrtohen vetëm kur t'i paraqet një shtet palë, i cili ka bërë një deklaratë me anën e së cilës ai njeh kompetencën e Komitetit. Komiteti nuk pranon asnjë kumtim që ka të bëjë me një shtet palë i cili nuk ka dhënë një deklaratë të tillë. Për kumtimet e pranuara, në bazë të këtij neni, zbatohet procedura e mëposhtme:
(a) Në qoftë se një shtet palë i këtij Pakti konsideron se një shtet tjetër palë i këtij Pakti nuk i zbaton dispozitat e tij, ai mund t'ia tërheqë vemendjen këtij shteti, me një kumtim me shkrim, lidhur me këtë çështje. Brenda tre muajve nga data e marrjes së kumtimit, shteti të cilit i është dërguar kumtimi do t'ia dërgojë shtetit nga i cili ka marrë kumtimin shpjegimet e rastit ose çdo deklaratë tjetër me shkrim për sqarimin e çështjes të cilat duhet të përmbajnë, për aq sa është e mundur dhe e dobishme, të dhëna lidhur me rregullat e procedurës dhe me mjetet juridike qoftë të përdorura, qoftë në vazhdim apo qoftë ende të hapura.
(b) Në qoftë se brenda gjashtë muajve, duke filluar nga data e marrjes së kumtimit nismëtar nga shteti të cilit i është dërguar, çështja nuk zgjidhet duke kënaqur të dy shtetet palë të interesuara, si njëri ashtu dhe tjetri kanë të drejtë t'ia parashtrojnë atë Komitetit, duke i drejtuar një kumtim si Komitetit ashtu edhe shtetit tjetër të interesuar.
(c) Komiteti mund të shqyrtojë një çështje vetëm pasi të jetë siguruar se janë përdorur dhe shteruar të gjitha mjetet e brendshme juridike dhe të disponueshme, në përputhje me parimet e së drejtës ndërkombëtare të njohura përgjithësisht. Ky rregull nuk zbatohet në rastet kur procedurat sipas mjetit juridik i kalojnë afatet e arsyeshme.
(ç) Komiteti i mban mbledhjet me dyer të mbyllura kur shqyrton informacionet e parashikuara nga ky nen.
(d) Sipas kushtit të dispozitave të nënparagrafit (c), Komiteti ua vë në dispozicion shërbimet e tij vullnetmira shteteve palë të interesuara, me qëllim që të arrihet një zgjidhje me mirëkuptim të çështjes mbi bazën e respektimit të të drejtave dhe të lirive themelore të njeriut, ashtu siç i njeh ky Pakt.
(dh) Për çdo çështje që i është paraqitur për shqyrtim, Komiteti mund t'u kërkojë shteteve palë të interesuara që përmenden në nënparagrafin (b) t'i japin çdo informatë lidhur me këtë çështje.
(e) Shtetet palë të interesuara që përmenden në nënparagrafin (b), kanë të drejtë të përfaqësohen gjatë shqyrtimit të çështjes në Komitet si dhe t'i paraqesin vërejtjet e tyre me shkrim ose me gojë, në një formë a në një tjetër.
(ë) Komiteti duhet të paraqesë një raport brenda dymbëdhjetë muajve duke filluar nga dita kur ka marrë njoftimin siç përmendet në nënparagrafin (b):
(i) Në qoftë se është arritur një zgjidhje në përputhje me nënparagrafin (e), Komiteti, në raportin e tij, kufizohet me një parashtresë të shkurtër të fakteve dhe të zgjidhjes së arritur.
(ii) Në qoftë se nuk është arritur ndonjë zgjidhje në përputhje me nënparagrafin (d), Komiteti në raportin e tij kufizohet me një parashtresë të shkurtër të fakteve; teksti i vërejtjeve me shkrim dhe procesverbali i vërejtjeve me gojë të bëra nga shtetet palë të interesuara i bashkëngjiten raportit. Për çdo çështje, raporti u dërgohet të gjitha shteteve palë të interesuara.
2. Dispozitat e këtij neni do të hyjnë në fuqi kur dhjetë shtete palë të këtij Pakti do të japin deklaratat e parashikuara në paragrafin 1 të këtij neni. Këto deklarata depozitohen nga shtetet palë pranë Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, i cili u dërgon nga një kopje shteteve të tjera palë. Një deklaratë mund të tërhiqet kurdoherë me anë të një njoftimi drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm. Kjo tërheqje nuk paragjykon shqyrtimin e ndonjë çështjeje që mund të jetë objekt i një njoftimi që është dërguar sipas këtij neni; asnjë njoftim tjetër i një shteti palë nuk do të pranohet pasi Sekretari i Përgjithshëm të ketë marrë njoftimin për tërheqjen e deklaratës, me përjashtim të rasteve kur shteti palë i interesuar ka dhënë një deklaratë të re.
Neni 42
1. (a) Në qoftë se një çështje që i parashtrohet Komitetit në përputhje me nenin 41 nuk zgjidhet në një mënyrë të kënaqshme për shtetet palë të interesuara, Komiteti mundet që, me pëlqimin paraprak të shteteve palë të interesuara, të caktojë një Komision ad hoc të Pajtimit (në tekstin e mëtejmë: "Komisioni"). Komisioni vë shërbimet e tij vullnetmira në dispozicion të shteteve palë të interesuara, me qëllim që të arrihet një zgjidhje e çështjes me mirëkuptim, mbi bazën e respektimit të këtij Pakti;
(b) Komisioni përbëhet nga pesë anëtarë të cilët janë të pranueshëm për shtetet palë të interesuara. Në qoftë se shtetet palë të interesuara nuk arrijnë një marrëveshje për të gjithë ose një pjesë të përbërjes së Komisionit brenda tre muajve, anëtarët e Komisionit lidhur me të cilët nuk është arritur marrëveshja, zgjedhen me votim të fshehtë midis anëtarëve të Komitetit me shumicën e dy të tretave të votave të anëtarëve të Komitetit.
2. Anëtarët e komisionit marrin pjesë në të në cilësi vetjake. Ata nuk duhet të jenë shtetas as të shteteve palë të interesuara, as të një shteti që nuk është palë i këtij Pakti, as të një shteti që nuk ka dhënë deklaratën e përmendur në nenin 41.
3. Komisioni zgjedh kryetarin e vet dhe miraton rregulloren e tij të brendshme.
4. Komisioni i mban mbledhjet e tij zakonisht në Selinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara ose në Zyrën e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë. Megjithatë, ai mund të mblidhet në çdo vend tjetër të përshtatshëm që mund të caktohet nga Komisioni duke u konsultuar me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara dhe me shtetet palë të interesuara.
5. Sekretariati i parashikuar në nenin 36 u kryen shërbime edhe komisioneve të caktuara në bazë të këtij neni.
6. Informacionet që i mbledh dhe kontrollon Komiteti i vihen në dispozicion Komisionit dhe Komisioni mund t'u kërkojë shteteve palë të interesuara t'i japin çdo informacion plotësues që ka lidhje me çështjen.
7. Pasi e studion çështjen në të gjitha aspektet e saj, por gjithsesi jo më vonë se brenda dymbëdhjetë muajve pasi të jetë parashtruar, Komisioni i paraqet një raport Kryetarit të Komitetit, i cili ua dërgon atë shteteve palë të interesuara.
(a) Në qoftë se Komisioni nuk mund të përfundojë shqyrtimin e çështjes brenda dymbëdhjetë muajve, ai kufizohet duke treguar shkurtimisht në raportin e tij deri ku ka arritur në shqyrtimin e saj;
(b) Në qoftë se çështja zgjidhet me mirëkuptim, mbi bazën e respektimit të të drejtave të njeriut të njohura në këtë Pakt, Komisioni kufizohet duke treguar shkurtimisht në raportin e tij faktet dhe mënyrën e zgjidhjes së arritur;
(c) Në qoftë se nuk arrihet një zgjidhje, sipas kuptimit të nënparagrafit (b) Komisioni përfshin në raportin e tij konkluzionet lidhur me të gjitha pikat që kanë të bëjnë me çështjen që është objekt i debatit midis shteteve palë të interesuara si dhe konstatimet e tij mbi mundësinë për ta zgjidhur çështjen me mirëkuptim. Ky raport përmban po ashtu vërejtjet me shkrim dhe një procesverbal të vërejtjeve me gojë që janë bërë nga shtetet palë të interesuara.
(ç) Në qoftë se raporti i Komisionit u parashtrohet në përputhje me paragrafin (c), shteteve palë të interesuara ato njoftojnë Kryetarin e Komitetit, brenda tre muajve pas marrjes se raportit, nëse pranojnë ose jo përmbajtjen e raportit të Komisionit.
8. Dispozitat e këtij neni nuk duhet kuptuar asisoj sikur prekin autorizimet e Komitetit siç parashikohen në nenin 41.
9. Të gjitha shpenzimet e anëtarëve të Komisionit ndahen në mënyrë të barabartë midis sheteve palë të interesuara mbi bazën e një preventivi të përcaktuar nga Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
10. Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara është i autorizuar, po qe se është e nevojshme, t'u heqë shpenzimet anëtarëve të Komisionit para se t'u paguhen ato nga shetet palë të interesuara, në përputhje me paragrafin 9 të këtij neni.
Neni 43
Anëtarët e Komitetit dhe anëtarët e komisioneve ad hoc të pajtimit, që mund të emërohen në përputhje me nenin 42, kanë të drejtë të gëzojnë lehtësitë, privilegjet dhe imunitetet që u njihen ekspertëve që ngarkohen me mision nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, ashtu siç përcaktohen ato në seksionet përkatëse të Konventës për privilegjet dhe imunitetet e Kombeve të Bashkuara.
Neni 44
Dispozitat lidhur me vënien në jetë të këtij Pakti zbatohen pa paragjykuar procedurat e vendosura në fushën e të drejtave të njeriut sipas akteve kushtetuese dhe konventave të Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe të institucioneve të specializuara; ato nuk pengojnë shetet palë të përdorin procedura të tjera për zgjidhjen e një mosmarrëveshjeje në përputhje me marrëveshjet e përgjithshme apo të veçanta ndërkombëtare që i lidhin.
Neni 45
Komiteti i dërgon çdo vit Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, nëpërmjet Këshillit Ekonomik e Shoqëror një raport për punimet e tij.
PJESA E PESTË
Neni 46
Asgjë në këtë Pakt nuk duhet interpretuar asisoj sikur shkel dispozitat e Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe të akteve kushtetuese të organizatave të specializuara që përcaktojnë përgjegjësitë përkatëse të organeve të ndryshme të Organizatës se Kombeve të Bashkuara dhe të organizatave të specializuara përsa u përket çështjeve që trajtohen në këtë Pakt.
Asgjë në këtë Pakt nuk duhet interpretuar asisoj sikur prek të drejtën e lindur e të gjithë popujve për të përfituar dhe për të përdorur plotësisht dhe lirisht pasurinë dhe burimet e tyre natyrore.
PJESA E GJASHTË
Neni 48
1. Ky Pakt është i hapur për nënshkrimin e çdo shteti anëtar të Kombeve të Bashkuara ose anëtar i çdonjërës prej organizatave të saj të specializuara, e çdo shteti palë në Statutin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, si dhe e çdo shteti tjetër që është ftuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara për t'u bërë palë e këtij Pakti.
2. Ky Pakt i nënshtrohet ratifikimit. Instrumentet e ratifikimit do të depozitohen pranë Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara.
3. Ky Pakt do të jetë i hapur për aderimin e çdo shteti të përmendur në paragrafin 1 të këtij Pakti.
4. Aderimi do të bëhet duke depozituar instrumentin e aderimit pranë Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
5. Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara informon të gjitha shtetet të cilat kanë nënshkruar këtë Pakt ose kanë aderuar në të për depozitimin e çdo instrumenti të ratifkimit ose të aderimit.
Neni 49
1. Ky Pakt do të hyjë në fuqi tre muaj pas ditës së depozitimit, pranë Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, të instrumentit të tridhjetepestë të ratifikimit ose të aderimit.
2. Për secilin prej shteteve që do ta ratifikojnë këtë Pakt ose do të aderojnë në të pas depozitimit të instrumentit të tridhjetepestë të ratifikimit ose të aderimit, Pakti do të hyjë në fuqi tre muaj pas ditës së depozitimit nga ky shtet të instrumentit të tij të ratifkimit ose të aderimit.
Neni 50
Dispozitat e këtij pakti janë të zbatueshme, pa asnjë kufizim ose përjashtim, për të gjitha njësitë konsultative të shteteve federative.
Neni 51
1. Çdo shtet palë i këtij Pakti mund të propozojë një amendament dhe të depozitojë tekstin pranë Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Sekretari i Përgjithshëm ua transmeton atëherë të gjitha amendamendet e propozuara shteteve palë të këtij Pakti duke u kërkuar që të shprehen nëse dëshirojnë të thirret një konferencë e shteteve palë për të shqyrtuar këto propozime dhe për të votuar për to. Në qoftë se të paktën një e treta e shteteve deklarohen për thirrjen e Konferencës, Sekretari i Përgjithshëm thërret Konferencën nën patronazhin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Çdo amendament i miratuar nga shumica e shteteve të pranishme dhe votuese në Konferencë, i shtrohet për miratim edhe Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
2. Këto amendamente hyjnë në fuqi pasi t'i ketë miratuar Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara dhe t'i kenë pranuar, në përputhje me rregullat e tyre kushtetuese përkatëse, një shumicë e dy të tretave të shteteve palë të këtij Pakti.
3. Kur këto amendamente hyjnë në fuqi, ato bëhen të detyrueshme për shtetet palë që i kanë pranuar, ndërsa shtetet e tjera palë mbeten të lidhura me dispozitat e këtij Pakti dhe me çdo amendament të mëparshëm që është pranuar prej tyre.
Neni 52
Pavarësisht nga njoftimet e parashikuara në nenin 48, paragrafin 5, Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara do t'i informojë të gjitha shtetet që përmenden në paragrafin 1 të nenit në fjalë:
(a) Lidhur me nënshkrimet që janë dhënë në këtë Pakt dhe me instrumentet e ratifikimit e të aderimit të depozituara në përputhje me nenin 48;
(b) Lidhur me ditën në të cilën ky Pakt do të hyjë në fuqi në përputhje me nenin 49 dhe ditën në të cilën do të hyjnë në fuqi amendamentet e parashikuara në nenin 51.
1. Ky Pakt, tekstet e të cilit në gjuhët angleze, kineze, spanjolle, frënge dhe ruse janë njësoj autentike, do të depozitohet në arkivat e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
2. Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara do t'u dërgojë nga një kopje të vërtetuar të këtij Pakti të gjitha shteteve që përmenden në nenin 48.