Teksti i Konventës dhe raporti shpjegues
Teksti i rishikuar në përputhje me dispozitat Protokolleve nr. 1 (STE nr. 151) dhe nr.2 - STE nr. 152), që kanë hyrë në fuqi më 1 mars 2002.
Shtetet anëtare të Këshillit të Europës, nënshkruese të kësaj Konvente,
Duke pasur parasysh dispozitat e Konventës për mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe të Lirive Themelore;
Duke rikujtuar se sipas nenit 3 të së njëjtës Konventë «askush nuk mund t'i nënshtrohet torturës as dënimeve ose trajtimeve çnjerëzore ose poshtëruese»;
Duke konstatuar se personat të cilët pretendojnë se janë viktima të shkeljeve të nenit 3 mund të mbrohen nga mekanizmi i parashikuar nga kjo Konventë;
Të bindur se mbrojtja e personave të privuar nga liria, kundër torturës dhe dënimeve ose trajtimeve çnjerëzore ose poshtëruese mund të forcohet nga një mekanizëm jo gjyqësor, me karakter parandalues dhe i bazuar mbi vizita.
Kanë rënë dakord sa vijon:
Kreu I
Neni 1
Krijohet një Komitet europian për parandalimin e torturës dhe dënimeve ose trajtimeve çnjerëzore ose poshtëruese (i quajtur tani e tutje « Komiteti »). Me anë të vizitave, Komiteti shqyrton trajtimin e personave të privuar nga liria duke synuar, në rast se nevojitet, forcimin e mbrojtjes së tyre kundër torturës dhe dënimeve ose trajtimeve çnjerëzore ose poshtëruese.
Neni 2
Çdo Palë autorizon vizitën, në përputhje me këtë Konventë, të çdo vendi që ndodhet nën juridiksionin e saj, ku individëve u është hequr liria nga një autoritet publik.
Neni 3
Komiteti dhe autoritetet shtetërore kompetente të Palës së interesuar bashkëpunojnë për zbatimin e kësaj Konvente.
KREU II
Neni 4
1. Komiteti përbëhet nga një numër anëtarësh të barabartë me atë të Palëve.
2 Anëtarët e Komitetit zgjidhen nga personalitete me moral të lartë, të njohur për aftësitë e tyre në fushën e të drejtave të njeriut ose me eksperiencë profesionale në fushat e mbuluara nga kjo Konventë.
3. Komiteti nuk mund të përmbajë më shumë se një shtetas nga i njëjti Shtet.
4. Anëtarët marrin pjesë në mënyrë individuale, janë të pavarur dhe të paanshëm në ushtrimin e mandatit të tyre dhe janë të gatshëm për të përmbushur funksionet e tyre në mënyrë efektive.
Neni 5 (Tekst i rishikuar në përputhje me dispozitat e Protokolleve nr.1 (STE nr.151 dhe nr.2 (STE nr.152).)
1. Anëtarët e Komitetit zgjidhen nga Komiteti i Ministrave të Këshillit të Europës me shumicën absolute të votave, nga një listë emrash të hartuar nga Byroja e Asamblesë Këshillimore të Këshillit të Europës; delegacioni nacional i secilës Palë në Asamblenë Këshillimore paraqet tre kandidatë, dy ndër të cilët kanë shtetësisë e tij.
Në rast zgjedhje të një anëtari të Komitetit në emër të një Shteti jo anëtar të Këshillit të Europës, Byroja e Asamblesë Këshillimore fton parlamentin e Shtetit në fjalë të paraqesë tre kandidatë, dy ndër të cilët të kenë shtetësinë e tij. Zgjedhja nga Komiteti i Ministrave zhvillohet pas këshillimit me Palën në fjalë.
2. E njëjta procedurë ndiqet për të plotësuar vendet bosh.
3. Anëtarët e Komitetit zgjidhen për një afat prej katër vjetësh. Ata mund rizgjidhen dy herë. Megjithatë, përsa i përket anëtarëve të emëruar nga zgjedhja e parë, funksionet e tre anëtarëve marrin fund pas një periudhe dy vjeçare. Anëtarët, funksionet e të cilëve marrin fund pas periudhës fillestare dy vjeçare përzgjidhen nga hedhja në short që kryhet nga Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Europës menjëherë pas procedurës së zgjedhjes së parë.
4. Me qëllim për të siguruar, aq sa është e mundur, rinovimin e gjysmës së Komitetit çdo dy vjet, Komiteti i Ministrave, para se të procedojë me një zgjedhje tjetër, mund të vendosë që një ose disa mandate anëtarësh që do zgjidhen nuk do të kenë një afat katër vjeçar, por një afat tjetër i cili nuk do të zgjasë më shumë se gjashtë vjet dhe as më pak se dy vjet..
5. Në rast se ka vend për të dhënë disa mandate dhe kur Komiteti i Ministrave zbaton paragrafin e mësipërm, ndaija e mandateve bëhet sipas hedhjes së shortit të kryer nga Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Europës, menjëherë pas zgjedhjes.
Neni 6
1. Komiteti mblidhet me dyer të mbullura. Quorum-i përbëhet nga shumica e anëtarëve të tij. Vendimet e Komitetit merren me shumicën e anëtarëve të pranishëm, me përjashtim të dispozitave të nenit 10 paragrafi 2.
2. Komiteti vendos rregulloren e tij të brendshme.
3. Përmbushja e funksioneve të Sekretariatit të Komitetit sigurohet nga Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Europës.
KREU III
Neni 7
1. Komiteti organizon vizitën e vendeve të caktuara në nenin 2. Përveç vizitave periodike, Komiteti mund të organizojë çdo vizitë tjetër e cila i duket e nevojshme nga rrethanat.
2 Vizitat kryen parimisht nga të paktën dy anëtarë të Komitetit. Ky i fundit, në rast se e vlerëson të nevojshme, mund të ndihmohet nga ekspertë dhe përkthyes.
Neni 8
1. Komiteti i bën të ditur qeverisë së palës së interesuar qëllimin e tij për të kryer një vizitë. Pas një njoftimi të tillë, Komiteti është i autorizuar të vizitojë në çdo moment vendet e parashikuara në nenin 2.
2. Secila nga Palët duhet t'i ofrojë Komitetit lehtësitë e mëposhtme për kryerjen e detyrës së tij:
a hyrjen në territorin e tij dhe të drejtën për të lëvizur pa kufizime;
b. të gjitha të dhënat mbi vendet ku ndodhen personat e privuar nga liria;
c. mundësinë për të shkuar sipas dëshirës në çdo vend ku ndodhen personat e privuar nga liria, përfshirë këtu dhe të drejtën për të lëvizur pa pengesa në brendësi të këtyre vendeve;
d. çdo informacion tjetër që disponon Pala dhe që i nevojitet Komitetit për përmbushjen e detyrës së tij. Duke kërkuar këtë informacion, Komiteti mban parasysh rregullat juridike dhe deontologjike të zbatueshme në nivel shtetëror.
3. Komiteti mund t'i takojë personat e privuar nga liria pa praninë e personave të tjerë.
4. Komiteti mund të hyjë në kontakt lirisht me çdo person për të cilin ai mendon se mund t'i japë informacione të nevojshme.
5. Po të jetë nevoja, Komiteti i komunikon menjëherë vëzhgimet autoriteteve kompetente të Palës së interesuar.
Neni 9
1. Në rrethana të veçanta, autoritetet kompetente të Palës së interesuar mund t'i bëjnë të ditur Komitetit kundërshtimet e tyre për vizitën në momentin e parashikuar prej tij ose për vendin e caktuar që Komiteti ka si qëllim ta vizitojë. Të tilla kundërshtime mund të bëhen vetëm për arsye që kanë të bëjnë me mbrojtjen kombëtare ose me sigurinë publike ose për arsye të çrregullimeve të rënda në vendet ku personat privohen nga liria, të gjendjes shëndetësore të një personi ose për shkak të marrjes në pyetje në mënyrë urgjente, në një hetim e sipër të një vepre të rëndë penale.
2. Pas kundërshtimeve të tilla, Komiteti dhe Pala këshillohen menjëherë me njëri tjetrin për të qartësuar situatën dhe për të arritur një marrëveshje të tillë që t'i bëjë të mundur Komitetit të ushtrojë funksionet e tij sa më shpejt të jetë e mundur. Marrëveshje të tilla mund të parashikojnë transferimin në një vend tjetër të çdo personi që Komiteti ka si qëllim të vizitojë. Duke pritur që vizita të zhvillohet, Pala i jep Komitetit informacione lidhur me çdo person që paraqet interes.
Neni 10
1. Pas çdo vizite, Komiteti përpunon një raport mbi faktet e konstatuara gjatë saj duke pasur parasysh çdo vëzhgim që mund t'i jetë paraqitur nga Pala e interesuar. Ai i bën të njohur kësaj të fundit raportin e tij, i cili përmban rekomandimet që ai i gjykon të nevojshme. Po qe nevoja Komiteti mund të këshillohet me Palën për t'i sugjeruar përmirësime në mbrojtjen e personave të privuar nga liria.
2. Nëse Pala nuk bashkëpunon ose refuzon të përmirësojë situatën nën dritën e rekomandimeve të Komitetit, ky i fundit, pasi Pala të ketë pasur mundësi të shpjegohet, mund të vendosë me shumicën e dy të tretave të anëtarëve të tij të bëjë një deklaratë publike lidhur me këtë çështje.
Neni 11
1. Informacionet e mbledhura nga Komiteti gjatë vizitës, raporti i tij dhe këshillimet me Palën e interesuar janë konfidenciale.
2. Komiteti bën publik raportin e tij si dhe çdo koment të Palës së interesuar, kur kjo e fundit e kërkon.
3. Megjithatë, asnjë e dhënë me karakter personal nuk duhet të bëhet publike pa pëlqimin e shprehur të personit të interesuar.
Neni 12 (Tekst i rishikuar në përputhje me dispozitatat e Protokollit nr. 1 (STE n°151))
Duke pasur parasysh regullat e konfidencialitetit të parashikuara në nenin 11, Komiteti i paraqet Komitetit të Ministrave çdo vit një raport të përgjithshëm mbi veprimtaritë e tij, i cili i transmetohet Asamblesë Këshillimore, çdo Shteti jo anëtar të Këshillit të Europës që është palë në Konventë, si dhe bëhet publik.
Neni 13
Anëtarët e Komitetit, ekspertët dhe personat e tjerë që e asistojnë, gjatë mandatit të tyre dhe pas mbarimit të afatit të tij, i nënshtrohen detyrimit të ruajtjes të sekretit në lidhje me faktet ose informacionet për të cilat kanë marrë dijeni gjatë kryerjes së funksioneve të tyre.
Neni 14
1. Emrat e personave që e asistojnë Komitetin tregohen në njoftimin e bërë në bazë të nenit 8, paragrafi 1.
2. Ekspertët veprojnë sipas instruksioneve dhe nën përgjegjësinë e Komitetit. Ata duhet të kenë kompetencë dhe eksperiencë në përputhje me fushat që përmban kjo Konventë dhe janë të lidhur me të njëjtat detyrime të pavarësisë, paanshmërisë dhe disponibilitetit ashtu si anëtarët e Komitetit.
3. Përjashtimisht, një Palë mund të deklarojë se një ekspert ose një person tjetër që asiston Komitetin nuk mund të pranohet të marrë pjesë në vizitën e një vendi që i përket juridiksionit të tij.
Kreu IV
Neni 15
Çdo Palë i bën të ditur Komitetit emrin dhe adresën e autoritetit kompetent që merr njoftimet e drejtuara qeverisë së tij dhe ato të çdo funksionari ndërmjetës që ajo mund të ketë emëruar.
Neni 16
Komiteti, anëtarët e tij dhe ekspertët e cituar në nenin 7, paragrafi 2, gëzojnë privilegje dhe imunitete të parashikuara në aneksin e kësaj Konvente.
Neni 17
1. Kjo Konventë nuk cënon dispozitat e së drejtës së brendshme ose të marrëveshjetve ndërkombëtare të cilat sigurojnë një mbrojtje më të madhe të personave të privuar nga liria.
2. Asnjë dispozitë e kësaj Konvente nuk mund të interpretohet si një kufizim ose derogim i kompetencave të organeve të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut ose i detyrimeve që merren përsipër nga Palët në bazë të kësaj Konvente.
3. Komiteti nuk do t'i vizitojë vendet që përfaqësuesit ose të deleguarit e fuqive mbrojtëse ose të Komitetit të Kryqit të Kuq vizitojnë efektivisht dhe rregullisht në bazë të Konventave të Gjenevës të 12 gushtit 1949 dhe të Protokolleve të tyre shtesë të 8 qershorit 1977.
Kreu V
Neni 18
1. Kjo Konventë është e hapur për nënshkrim nga Shtetet anëtare të Këshillit të Europës. Ajo do t'i nënshtrohet ratifikimit, pranimit ose miratimit. Instrumentat e ratifikimit, të pranimit ose të miratimit do të dedpozitohen pranë Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Europës.
2. Komiteti i Ministrave të Këshillit të Europës mund të ftojë çdo Shtet jo anëtar të Këshillit të Europës të aderojë në Konventë.
Neni 19
1. Kjo Konventë do të hyjë në fuqi ditën e parë të muajit që vijon mbarimin e afatit prej tre muajsh pas datës në të cilën shtatë Shtete anëtare të Këshillit të Europës do të kenë shprehur pëlqimin e tyre për t'u lidhur nga Konventa në përputhje me dispozitat e nenit 18.
2. Për çdo Shtet tjetër i cili do të shprehë më vonë pëlqimin e tij për t'u lidhur nga Konventa, kjo do të hyjë në fuqi ditën e parë të muajit që vijon mbarimin e një periudhe prej tre muajsh pas datës së depozitimit të instrumentit të ratifikimit, të pranimit, të miratimit ose të aderimit.
Neni 20
1. Çdo Shtet, në momentin e nënshkrimit ose të depozitimit të instrumentit të tij të ratifikimit, pranimit, miratimit, ose aderimit, mund të caktojë territorin ose territoret e tij në të cilët zbatohet kjo Konventë.
2. Çdo Shtet, në çdo moment tjetër të mëvonshëm, me një deklaratë drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Europës, mund ta shtrijë zbatimin e Konventës në çdo territor tjetër të cituar në deklaratë. Konventa do të hyjë në fuqi në këtë territor ditën e parë të muajit që vijon mbarimin e një periudhe prej tre muajsh pas datës së marrjes së deklaratës nga Sekretari i Përgjithshëm.
3. Çdo deklaratë e bërë në bazë të dy paragrafëve të mësipërm mund të tërhiqet, përsa i përket çdo territori të caktuar në këtë deklaratë, me anë të një njoftimi drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm. Tërheqja hyn në fuqi ditën e parë të muajit që vijon mbarimin e një periudhe prej tre muajsh pas datës së marrjes së njoftimit nga Sekretari i Përgjithshëm.
Neni 21
Asnjë rezervë nuk pranohet në lidhje me dispozitat e kësaj Konvente.
Neni 22
1. Çdo palë mund të denoncojë këtë Konventë, në çdo moment, duke i drejtuar një njoftim Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Europës.
2. Denoncimi do të hyjë në fuqi ditën e parë të muajit që vijon mbarimin e një periudhe prej dymbëdhjetë muajsh pas datës së marrjes së njoftimit nga Sekretari i Përgjithshëm.
Article 23 (Tekst i rishikuar në përputhje me dispozitat e Protokollit nr. 1 (STE nr. 151).)
Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Europës do t'u njoftojë Shtetet anëtare si dhe çdo Shteti jo anëtar të Këshillit të Europës palë në këtë Konventë:
a) çdo nënshkrim;
b) depozitimin e çdo instrumenti ratifikimi, pranimi, miratimi, ose aderimi;
c) çdo datë të hyrjes në fuqi të kësaj Konvente në përputhje me nenet 19 dhe 20 të saj;
d) çdo akt tjetër, njoftim ose komunimim që ka të bëjë me këtë Konventë, me përjashtim të masave të parashikuara në nenet 8 dhe 10.
Duke u bazuar në sa më sipër, të poshtëtëshuarit, rregullisht të autorizuar kanë nënshkruar këtë Konventë.
Bërë në Strasburg, më 26 nëntor 1987, në frëngjisht dhe anglisht, duke qënë të dy tekstet të barazvlefshëm, në një kopje të vetme që do të depozitohet në arkivat e Këshillit të Europës. Sekretari i Përgjithshëm do t'u komunikojë një kopje të vërtetuar, konform origjinalit, secilit prej Shteteve anëtare të Këshillit të Europës.
Aneks
Privilegje dhe imunitete
(neni 16)
1. Për qëllimet e këtij aneksi, referencat ndaj anëtarëve të Komitetit përfshijnë ekspertët e cituar në nenin 7, paragrafi 2.
2. Anëtarët e Komitetit gëzojnë, gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre si dhe gjatë udhëtimeve të bëra gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre, privilegjet dhe imunitetet vijuese:
a) imunitetet nga arrestimi ose ndalimi dhe sekuestrimi i bagazheve të tyre personale dhe, lidhur me veprimtaritë e kryera prej tyre nën cilësinë e tyre zyrtare, përfshirë këtu dhe fjalët, shkrimet e tyre, imunitetet ndaj çdo juridiksioni;
b) përjashtim ndaj çdo mase kufizuese lidhur me lirinë e tyre të lëvizjes: dalje dhe hyrje në vendin e tyre të banimit dhe hyrje dhe dalje në vendin ku ata ushtrojnë funksionet e tyre, si dhe ndaj çdo formaliteti regjistrimi për të huajt, në vendet e vizituara ose të përshkuara prej tyre gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre.
3. Gjatë udhëtimeve të bëra gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre, anëtarët e Komitetit gëzojnë, në fushën doganore dhe të kontrollit të këmbimeve:
a) nga qeveria e tyre, të njëjtat lehtësi si ato që u njihen funksionarëve të lartë që dalin jashtë shtetit me mision zyrtar të përkohshëm;
b) nga qeveritë e Palëve të tjera, të njëjtat lehtësi të cilat u njihen përfaqësuesve të qeverive të huaja me mision zyrtar të përkohshëm.
4. Dokumentat dhe letrat e Komitetit janë të paprekshme, për aq sa kanë të bëjnë me veprimtarinë e Komitetit.
Korrespondenca zyrtare dhe komunikimet zyrtare të Komitetit nuk mund të pengohen ose çensurohen.
5. Më qëllim për t'u siguruar anëtarëve të Komitetit një liri të plotë të shprehjes dhe një pavarësi të plotë në kryerjen e funksioneve të tyre, imuniteti i juridiksionit përsa i përket fjalëve, shkrimeve ose akteve të tyre në kryerje të funksioneve do të vazhdojë t'u njihet edhe kur të ketë marrë fund mandati i këtyre personave.
6. Privilegjet dhe imunitetet u njihen anëtarëve të Komitetit, jo për përfitimin e tyre personal, por me qëllimin për të siguruar pavarësinë e ushtrimit të funksioneve të tyre. Vetëm Komiteti ka aftësinë për të hequr imunitetet; ai ka jo vetëm të drejtën, por dhe detyrën për të hequr imunitetin e njërit prej anëtarëve të tij në çdo rast kur, sipas mendimit të tij, imuniteti do të pengonte që drejtësia të vihej në vend dhe kur imuniteti mund të hiqet pa dëmtuar qëllimin për të cilin ai është dhënë.
RAPORTI SHPJEGUES
I. Hyrje
1. Më 28 shtator 1983, Asambleja Këshillimore e Këshillit të Europës ka miratuar Rekomandimin 971 (1983) lidhur me mbrojtjen e personave të privuar nga liria kundër torturës dhe trajtimeve ose dënimeve mizore, çnjerëzore ose poshtëruese. Në këtë tekst, Asambleja i rekomandonte Komitetit të Ministrave në veçanti miratimin e projektit të konventës europiane mbi mbrojtjen e personave të privuara nga liria kundër torturës dhe trajtimeve ose dënimeve mizore, çnjerëzore ose poshtëruese, bashkangjitur këtij rekomandimi.
Në vijim mund të përmbledhim historikun e kësaj nisme.
2. Në janar 1981, Asambleja adoptoi Rekomandimin 909 (1981) lidhur me Konventën ndërkombëtare kundër torturës me anë të së cilës, duke iu referuar punimeve të ndërmarra në kuadrin e Kombeve të Bashkuara, ajo i rekomandonte Komitetit të ministrave të ftonte qeveritë e Shteteve anëtare të nxitonin për miratimin dhe fuqizimin e projektit të konventës kundër torturës të përpunuar nga Komisioni i të drejtave të njeriut të Kombeve të Bashkuara. Ajo ftonte gjithashtu qeveritë e Shteteve anëtare të përfaqësuara në këtë komision të bënin ç'ishte e mundur që ky i fundit të shqyrtonte me një vëmendje të veçantë projektin e protokollit fakultativ të konventës (paraqitur nga Kosta Rika), sapo që projekti i konventës t'i ishte paraqitur Këshillit ekonomik dhe shoqëror të Kombeve të Bashkuara.
3. Në mars 1981, dy propozime rezolutash lidhur me torturën në Shtetet anëtare të Këshillit të Europës u paraqitën përpara Asamblesë, njëri nga Z. Lidbom (dok. 4718) dhe tjetri nga Z. Jager (dok. 4730). Këto propozime i janë transmetuar komisionit të çështjeve juridike i cili vendosi t'i shqyrtojë bashkarisht.
4. Qëndrimet e komisionit të çështjeve juridike përfunduan me një raport (dok. 5099) të redaktuar në emër të komisionit nga Z. Berrier dhe të miratuar më 30 qershor 1983. Ky raport, me kërkesë të raportuesit, përmbante një projekt të konventës euopiane të përpunuar nga Komisioni ndërkombëtar i juristëve dhe Komiteti zviceran kundër torturës.
Në shtator 1983, Z. Dejardin paraqiti mendimin e komisionit të çështjeve politike lidhur me këtë raport (dok. 5123).
5. Duhet vënë re se punime të ngjashme ishin ndërmarrë në kuadrin e Kombeve të Bashkuara dhe se teksti i Konventës kundër torturës dhe dënimeve ose trajtimeve mizore, çnjerëzore ose poshtëruese, i parashikuar nga Rekomandimi 909, u miratua nga Asambleja e përgjithshme e Kombeve të Bashkuara më 10 dhjetor 1984 dhe më pas u hap për nënshkrim. Përsa i përket projektit të protokollit fakultativ të paraqitur nga Kosta Rika, ai pati si qëllim vendosjen një mekanizëm parandalues me të njëjtën natyrë si ai i parashikuar në projektin e konventës të bashkangjitur Rekomandimit 971 të Asamblesë.
6. Pas miratimit të Rekomandimit 971, Komiteti i Ministrave i besoi Komitetit drejtues për të drejtat e njeriut (KDDNJ) mandatin vijues gjatë mbledhjes së 366-të të Deleguarve të Ministrave, në janar 1984:
"Shqyrtimin e Rekomandimit 971 të Asamblesë me qëllim për t'i paraqitur Komitetit të Ministrave, pas konsultimit të Komitetit europian për problemet penale (KEPP), tekstin e një projekt-konvente ose të një instrumenti tjetër juridik lidhur me mbrojtjen e personave të privuar nga liria kundër torturës dhe trajtimeve mizore, çnjerëzore ose poshtëruese."
7. Komiteti i ekspertëve për zgjerimin e të drejtave të parashikuara nga Konventa europiane e të Drejtave të Njeriut (DH-EX), organ i varur nga KDDNJ, u ngarkua nga ky i fundit (mbledhja e 15, mars 1984), për të zbatuar këtë veprimtari nën autoritetin e KDDNJ-së.
8. Komiteti DH-EX ka shqyrtuar projektin e Konventës së bashkangjitur Rekomandimit 971 të mbledhjeve të 19-të dhe të 25-të të saj (maj 1984 deri në qershor 1986). Ai ka pasur parasysh kryesisht faktin që:
- në Rezolutën Nr. 2, miratuar nga Konferenca ministrore mbi të drejtat e njeriut (Vjenë, 19-20 mars 1985), ministrat "i kërkojnë me ngulm Komitetit të Ministrave të sigurojë që punimet lidhur me projektin e një instrumenti juridik mbi torturën të përfundohen sa më shpejt të jetë e mundur me qëllim miratimin e tij";
- në njoftimin e fundit të sesionit të 76 të Komitetit të Ministrave (25 prill 1985), thuhet se ministrat "e kanë mbështetur këtë kërkesë të Konferencës";
- tre pyetje i janë drejtuar Presidentit të Komitetit të Ministrave në gjirin e Asamblesë në lidhje me projektin e konventës. Njëra nga Z. Berrier, në janar 1985, të tjerat në prill dhe shtator 1985, nga Z. Arbeloa;
- në Njoftimin përfundimtar të Sesionit të 77-të (20 nëntor 1985), Komiteti i Ministrave ka rikujtuar interesin e madh që ai tregon për përfundimin e shpejtë të projektit të konventës.
9. Gjatë punimeve të tij, Komiteti DH-EX ka patur rastin të këshillohet me Komisionin dhe Gjykatën europiane të të Drejtave të Njeriut. Gjithashtu ai ka organizuar një seancë me përfaqsuesit e Komisionit Ndërkombëtar të Juristëve, të Komitetit sviceran kundër torturës dhe të Komitetit ndërkombëtar të Kryqit të Kuq. Nga ana tjetër ai ka dëgjuar dy ekspertë në psikiatri. Së fundi, përpara se t'i përcillte në qershor 1986, projektin e Konventës KDDNJ-së, Komiteti DH-EX mundi të njihej me mendimet e Komitetit europian të bashkëpunimit juridik (KEBJ) dhe të Komitetit europian për problemet penale (KEPP) me të cilat KDDNJ-ja ishte këshilluar.
10. Përveç se me KEBJ dhe KEPP, KDDNJ-ja ishte këshilluar dhe me Komisionin dhe Gjykatën europiane të të Drejtave të Njeriut. Versioni përfundimtar i projektit të Konventës europiane për parandalimin e torturës dhe të dënimeve ose trajtimeve çnjerëzore ose poshtëruese u ripunua gjatë mbledhjes së 21-të të KDDNJ-së në nëntor 1986, dhe më pas iu përcoll Komitetit të Ministrave.
11. Pasi u këshillua me Asamblenë (shih Mendimin Nr. 133 të 27 marsit 1987), Komiteti i Ministrave miratoi tekstin e Konventës më 26 qershor 1987. Kjo u hap për nënshkrim nga Shtetet anëtare të Këshillit të Europës më 26 nëntor 1987.
Shënim [nga Sekretariati I KPT-së në 2002]:
Më 4 nëntor 1993, du Protokolle që ndryshojnë Konventën u hapën për nënshkrim. Protokolli Nr. 1 e hap Konventën duke i lejuar Komitetit të Ministrave të Këshilit të Europës të ftojë çdo Shtet jo anëtar të aderojë. Protokolli Nr. 2 parashikon ndryshime me karakter teknik. Ky ndryshim lejon, me sa ka të bëjë me zgjedhjet, të ndajë anëtarët e KPT-së në dy grupe për të siguruar që gjysma e Komitetit të rizgjidhet çdo dy vjet. Protokolli parashikon gjithashtu që anëtarët e KPT-së mund të rizgjidhen dy here në vend të një here ashtu si ndodh aktualisht. Këto protokolle hynë në fuqi më 1 mars 2002.
II. Arsyet e përpunimit të një Konvente të re
12. Tortura dhe dënimet ose trajtimet çnjerëzore ose poshtëruese dënohen nga legjislacionet kombëtare dhe nga disa instrumenta ndërkombëtarë. Megjithatë, eksperienca tregon nevojën e masave ndërkombëtare më të gjera dhe më efikase, sidomos për forcimin e sigurisë së personave të privuar nga liria.
13. Në gjirin e Këshillit të Europës, sistemi i garantimit i parashikuar nga Konventa e mbrojtjes të të Drejtave të Njeriut dhe të Lirive Themelore, e 4 nëntorit 1950, arriti rezultate të rëndësishme. Duket se ky sistem, i cili bazohet mbi ankesa të bëra nga individë ose Shtete duke iu referuar shkeljeve të të drejtave të njeriut, mund të plotësohet në mënyrë të dobishme me një mekanizëm jo gjyqësor me karakter parandalues i cili do të kishte për detyrë të shqyrtonte trajtimin e personave të privuar nga liria me qëllim forcimin, nëse nevojitet, mbrojtjen e tyre kundër torturës dhe dënimeve ose trajtimeve çnjerëzore ose poshtëruese.
14. Për këto arsye kjo Konventë krijon një komitet të aftë për të vizituar çdo vend që i përket juridiksionit të Palëve ku personat janë të privuara nga liria nga ana e një autoriteti publik.
III. Karakteristikat kryesore të sistemit të ri
15. Siç u tha më lart, në paragrafet 13 dhe 14, komiteti ka si funksion të kryejë vizita dhe, nëse nevojitet, të sugjerojë përmirësime për të mbrojtur më mirë personat e privuar nga liria kundër torturës dhe dënimeve ose trajtimeve çnjerëzore ose poshtëruese.
16. Anëtarët e komitetit marrin pjesë me titull individual dhe zgjidhen midis personaliteteve me moral të lartë, të njohur për aftësinë e tyre në fushën e të drejtave të njeriut ose për eksperiencën profesionale në fushat që trajtohen nga Konventa. Në qoftë se e gjykon të nevojshme, komiteti mund të ndihmohet nga ekspertë që kanë kualifikimet e duhura.
17. Nuk i përket komitetit të marrë përsipër funksione gjyqësore; ai nuk ka pra për detyrë të shprehet mbi shkeljet e mundshme të instrumentave ndërkombëtarë të zbatueshëm. Si rrjedhim, ai nuk duhet të shprehë mendimin e tij lidhur me interpretimin e këtyre instrumentave, qoftë në mënyrë abstrakte, qoftë në lidhje me rastet konkrete.
18. Në momentin e marrjes së vendimit për hartimin e rekomandimeve, sigurisht që komiteti duhet të vlerësojë faktet e konstatuara gjatë vizitave të tij. Duke mos qënë kompetent për dëgjimin e dëshmitarëve në përputhje me parimet e përgjithshme të procedurës gjyqësore, ai nuk ka bazë të mjaftueshme për të hartuar rekomandime në rast se faktet nuk janë të qarta dhe kur nevojitet një hetim i mëtejshëm. Në këtë rast, ai mund të njoftojë Shtetin e interesuar, t'i sugjerojë një hetim të mëtejshëm në nivel shtetëror dhe t'i kërkojë informim për rezultatet.
19. Gjithashtu, komiteti mund të organizojë vizita të reja të vendeve të vizituara më parë.
20. Për zbatimin e Konventës, komiteti dhe Shteti i interesuar janë të detyruar të bashkëpunojnë. Komiteti nuk ka aftësi të dënojë Shtetet por, në një frymë bashkëpunimi dhe me anë të këshillave, mund të përmirësojë, në rast se është e nevojshme, mbrojtjen e personave të privuar nga liria.
IV. Komente mbi dispozitat e Konventës
Preambula
21. Preambula parashtron arsyet që çuan Shtetet anëtare të Këshillit të Europës për të miratuar këtë Konventë dhe përcakton objektivin e synuar (shih më sipër krerët I deri në III).
22. Referenca në nenin 3 të Konventës europiane e të Drejtave të Njeriut përbën për Komitetin një pikë referimi për shqyrtimin e situatave që mund të çojnë në torturë ose në dënime ose trajtime çnjerëzore ose poshtëruese (shih infra §§ 26-27).
Neni 1
23. Ky nen ka të bëjë me krijimin e organit të ngarkuar me kryerjen e vizitave dhe përcakton objektin e këtyre të fundit. Ai gjithashtu përshkruan funksionet kryesore të Komitetit europian për parandalimin e torturës dhe të dënimeve ose trajtimeve çnjerëzore ose poshtëruese.
24. Nocioni i "privimit nga liria", për qëllimet e Konventës, kuptohet sipas nenit 5 të Konventës europiane të të Drejtave të Njeriut, ashtu siç është përpunuar nga jurisprudenca e Gjykatës dhe e Komisionit europian të të Drejtave të Njeriut. Megjithatë, dallimi midis privimit "të rregullt" dhe "të parregullt" nga liria që lind nga neni 5 nuk ka të bëjë me kompetencën e Komitetit.
25. Ashtu siç është nënvizuar në paragrafin 17 të mësipërm, komiteti nuk do të përmbushë funksione gjyqësore: anëtarët e tij nuk duhet të jenë domosdoshmërisht juristë, rekomandimet e tij nuk do të jenë të detyrueshme për Shtetet e interesuara dhe ai nuk duhet të shprehë ndonjë mendim mbi interpretimin e termave juridikë. Detyra e tij është plotësisht parandaluese, duke pasur të bëjë me kryerjen e misioneve të hetimit dhe, mbi bazën e informacioneve të marra në këtë kuadër, të bëjë, nëse është nevoja, rekomandime me qëllim forcimin e mbrojtjes së personave të privuar nga liria kundër torturës dhe dënimeve ose trajtimeve çnjerëzore ose poshtëruese.
26. Ndalimi i torturës dhe i dënimeve ose trajtimeve çnjerëzore ose poshtëruese është një normë ndërkombëtare e përgjithshme e cila, edhe pse e formuluar ndryshe, haset në instrumenta të ndryshëm ndërkombëtarë, siç është neni 3 i Konventës europiane të të Drejtave të Njeriut.
27. Jurisprudenca e Gjykatës dhe e Komisionit europian i të Drejtave të Njeriut në lidhje me nenin 3 ofron një guidë për komitetin. Megjithatë, aktivitetet e këtij orientohen nga parandalimi dhe jo nga zbatimi i kërkesave juridike në situata konkrete. Komiteti nuk duhet të kërkojë të ndërhyjë në interpretimin dhe zbatimin e nenit 3.
Neni 2
28. Me këtë dispozitë, Palët në konventë pranojnë të autorizojnë vizitat në çdo vend që ndodhet nën juridiksionin e tyre ku një ose disa persona janë të privuar nga liria nga ana e një autoriteti publik. Fakti që privimi nga liria rrjedh ose jo nga një vendim formal është, në këtë kontekst, pa pasoja.
29. Vizitat mund të bëhen në çdo rrethanë. Konventa zbatohet jo vetëm në kohë paqeje por dhe në kohë lufte ose në rast të çdo rreziku tjetër publik. Megjithatë Kompetenca e Komitetit është e kufizuar, ndaj vendeve që ai mund të vizitojë, nga dispozitat e nenit 17, paragrafi 3 (shih infra, § 93).
30. Vizitat mund të organizohen në çdo lloj vendi ku gjenden, për çdo lloj motivi, persona të privuar nga liria. Konventa zbatohet pra, për shembull, në vendet ku personat mbahen në paraburgim të përkohshëm, të burgosur pasi të jenë gjetur fajtorë për shkelje, të mbajtur në ndalim administrativ ose të internuar për arsye mjekësore, ose në vendet ku të miturit mbahen nga një autoritet publik. Ajo zbatohet dhe në arrestimin nga autoritete ushtarake.
31. Vizita e vendeve ku personat janë të privuar nga liria për arsye të gjendjes së tyre mendore duhet të përgatitet dhe drejtohet me kujdes, sidomos në lidhje me, për shembull, cilësimet dhe eksperiencën e personave të zgjedhur për vizitën si dhe kushtet në të cilat ajo zhvillohet. Për më tepër, duke proçeduar me vizitat e tij, komiteti do të dojë me siguri të marrë parasysh rekomandimet përkatëse të miratuara nga Komiteti i Ministrave.
32. Vizitat mund të zhvillohen si në ente private ashtu dhe publike, me kusht që privimi i lirisë të ketë ardhur si pasojë e një veprimi të autoritetitit publik. Si rrjedhim, komiteti mund të vizitojë vetëm personat e privuar nga liria nga një autoritet publik dhe jo të sëmurëve të internuar vullnetarisht. Megjthatë, në rastin e fundit, ai duhet të jetë në gjendje të sigurohet për vullnetin e lirë të të sëmurit në fjalë.
Neni 3
33. Ashtu siç është bërë e ditur në konsideratat e përgjithshme (shih krerët II dhe III më sipër), kjo Konventë vendos një sistem jo gjyqësor me karakter parandalues. Nuk i takon komitetit të dënojë Shtetet për shkelje, por të bashkëpunojë me ta me qëllim që të forcojë mbrojtjen e personave të privuara nga liria. Me qëllimin për të përcaktuar frymën që duhet të udhëheqë marrëdhëniet midis komitetit dhe Palëve, neni 3 përmban një dispozitë të përgjithshme lidhur me bashkëpunimin.
34. Parimi i bashkëpunimit gjen zbatim në të gjitha fazat e veprimtarisë së komitetit. Kështu ai zbatohet në mënyrë të drejtpërdrejtë për disa dispozita të Konventës, si neni 2, 8, 9 dhe 10.
Komiteti duhet të përfitojë nga elementët e informacionit që vihet në dispozicion të tij nga Palët për ta ndihmuar në detyrën e tij, sidomos gjatë vizitave (shih gjithashtu infra^ paragrafët 64 dhe 65).
Neni 4
Paragrafi 1
35. Komiteti përbëhet nga një numër anëtarësh të njëjtë me atë të Palëve. Kjo dispozitë frymëzohet nga pjesa e parë e nenit 20 të Konventës europiane të të Drejtave të Njeriut.
Paragrafi 2
36. Përsa i përket cilësisë së anëtarëve të komitetit, në paragrafin 2 thuhet se ata zgjidhen ndërmjet personaliteteve me moral të lartë, të njohur për aftësitë e tyre në fushën e të drejtave të njeriut ose nga eksperienca e tyre profesionale në fushat që trajtohen nga Konventa. Nuk ka qënë nevoja të caktoheshin në detaje fushat profesionale nga të cilat mund të zgjidhen ata. Është e qartë se ata nuk duhet të jenë detyrimisht juristë. Do të ishte e dëshirueshme që komiteti të përbëhet nga anëtarë me eksperiencë në çështjet si ato të administratës së burgut dhe të fushave mjekësore të përshtatshme për trajtimin e personave të privuar nga liria. Kjo do të bënte të mundur një dialog më efikas midis komitetit dhe Shteteve dhe do të lehtësonte prezantimin e sugjerimeve konkrete nga komiteti.
Paragrafi 3
37. Kjo dispozitë korrespondon me pjesën e fundit të nenit 20 të Konventës europiane të të Drejtave të Njeriut.
Paragrafi 4
38. Sipas këtij paragrafi anëtarët e komitetit marrin pjesë me titull individual, janë të pavarur dhe të paanshëm dhe janë të gatshëm për të përmbushur funksionet e tyre në mënyrë efikase. Si rrjedhim, është e dëshirueshme që të mos propozohen ose zgjidhen kandidatë që mund të përballen me konflikte interesash ose për të cilët mund të mendohet se mund të hasin vështirësi në plotësimin e kërkesave të pavarësisë, të paanshmërisë dhe të gatishmërisë. Gjithashtu është e dëshirueshme që një anëtar komiteti, i cili do të haste të tilla vështirësi në kontekstin e një situate të veçantë, nuk merr pjesë në asnjë aktivitet të komitetit kur ka të bëjë me këtë situatë.
Neni 5
Paragrafi 1
39. Proçedura e ndjekur për zgjedhjen e anëtarëve të komitetit është krejtësisht e njëjtë me atë të parashikuar në nenin 21 të Konventës europiane të të Drejtave të Njeriut për zgjedhjen e anëtarëve të Komisionit.
Paragrafi 2
40. U duk e përshtatshme që të ndiqej e njëjta procedurë për të plotësuar vendet bosh (vdekje ose dorëheqje).
Paragrafi 3
41. Kohëzgjatja e mandatit u caktua katër vjet, duke i bërë anëtarët të rizgjidhen vetëm një herë.(Shënim [nga Sekretariati I KPT-së në 2002]: Pas hyrjes në fuqi të Protokollit Nr. 2, anëtarët e KPT-së mund të rizgjidhen dy herë.)
42. Parashkohet një rinovim i pjesshëm i komitetit pas periudhës fillestare prej dy vitesh. Procedura e caktuar frymëzohet nga dispozitat korresponduese të neneve 22 dhe 40 të Konventës europiane të të Drejtave të Njeriut.
Neni 6
Paragrafi 1
43. Pasur parasysh karakteristikat e veçanta të funksioneve të komitetit ashtu siç parashikohen nga kjo Konventë, saktësohet se komiteti mblidhet me dyer të mbyllura. Kjo dispozitë plotëson parimin e paraqitur në nenin 11 sipas të cilit informacionet e mbledhura nga komiteti në rastin e një vizite, raporti dhe këshillimet e tij me Shtetin e interesuar janë konfidenciale.
44. Nën rezervën e kërkesave të paragrafit 2 të nenit 10, vendimet e komitetit merren me shumicën e anëtarëve pjesëmarrës. Quorumi u caktua me shumicën e anëtarëve të komitetit.
Paragrafi 2
45. Ky paragraf, në përputhje me praktikën ndërkombëtare në këtë fushë, parashikon se komiteti do të miratojë rregulloren e tij të brendshme. Kjo e fundit do të trajtojë çështje lidhur me organizimin që gjenden zakonisht në të tilla rregullore, përfshirë këtu dhe zgjedhjen e presidentit.
Paragrafi 3
46. Kjo dispozitë, që saktëson se sekretariati i komitetit sigurohet nga Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Europës, frymëzohet nga praktika e kësaj Organizate në këtë fushë.
Neni 7
Paragrafi 1
47. Sipas këtij paragrafi, i takon komitetit të organizojë vizitat e vendeve të kuptuara në nenin 2 të Konventës. Ai tregon gjithashtu se komiteti mund të organizojë vizita periodike dhe vizita ad hoc.
48. Përsa i përket vizitave periodike dhe në rast se do të veprojë me efikasitet, komiteti duhet të marrë parasysh domosdoshmërisht numrin e vendeve për të vizituar në Shetet e interesuara. Gjithashtu ai duhet të kujdeset, në rast se është e mundur, të vizitojë Shtetet e ndryshme në mënyrë të drejtë. Për më tepër, programi i tij i vizitave periodike nuk duhet, për arsye praktike, të kërkojë vizitën sistematike të të gjitha vendeve ku personat janë të privuar nga liria. Komiteti duhet t'i japë një lloj prioriteti vizitave ad hoc që do t'i duken të nevojshme nga rrethanat.
49. Përsa i përket vizitave ad hoc, komiteti gëzon një pushtet diskrecionar për të vlerësuar momentin kur i duket e nevojshme kryerja e vizitave si dhe elementët mbi të cilët bazohet vendimi. Edhe pse ai nuk ka për të ndjekur kërkesa individuale(në lidhje me të cilat dispozitat ekzistojnë, për shembull në Konventën europiane të të Drejtave të Njeriut), ai duhet të jetë i lirë për të vlerësuar njoftimet që vijnë nga individë ose grupe individësh dhe të vendosë ushtrimin e funksioneve të tij ndaj këtyre njoftimeve. Ai duhet të gëzojë një liri të njëjtë në rastet kur një Palë shpreh dëshirën që ai të ndërmarrë një vizitë të vendeve që ndodhen nën juridiksionin e saj për hetimin e disa pretendimeve dhe qartësimin e situatës.
Paragrafi 2
50. Vizitat nuk duhet të kryen detyrimisht nga i gjithë komiteti; në fakt, mundet që vizitat të kryhen nga i gjithë komiteti vetëm në situata të jashtëzakonshme. Kështu në paragrafin 2 parashikohet se vizitat do të kryhen si rregull i përgjithshëm, nga të paktën dy anëtarë të komitetit të cilt veprojnë në emër të tij. Megjithatë, përjashtimisht, Komiteti mund të përfaqësohet nga njëri prej anëtarëve të tij, për shembul për një vizitë ad hoc që paraqet një urgjencë të madhe atëherë kur vetëm një anëtar është i gatshëm.
51. Kur komiteti e sheh të nevojshme, ai mund të ndihmohet nga ekspertë dhe përkthyes. Ideja bazë është plotësimi i eksperiencës së komitetit në sajë të ndihmës, për shembull, të personave që kanë një formim të veçantë ose një eksperiencë në misionet humanitare, ose që kanë një formin mjeksor ose kanë një kompetencë të veçantë në fushën e trajtimit të të burgosurve ose të regjimeve të burgut dhe, kur lind nevoja përsa i përket të miturve.
52. Kur ai organizon një vizitë, komiteti mban parasysh nevojën e njohjes së mjaftueshme të Shtetit të interesuar dhe të gjuhës së tij.
53. Anëtari ose anëtarët e komitetit të zgjedhur për të kryer një vizitë do të gëzojnë një autoritet të nevojshëm në marrëdhënie me përfaqësuesit shtetërorë. Ata janë të ngarkuar me ecurinë e përgjithshme të vizitës dhe me përgjegjësinë e përfundimeve që i paraqiten komitetit pas vizitës.
Neni 8
54. Me përjashtim të paragrafit 1, ku ajo i referohet komitetit plenar, referenca e "Komitetit" në këtë nen - si dhe në nenet 3, 9, 14, paragrafi 3, dhe neni 17, paragrafi 3 përcakton gjithashtu delegacionin që kryen vizitën në emër të komitetit.
Paragrafi 1
55. Duke ratifikuar Konventën, Shtetet detyrohen të autorizojnë vizitat e çfarëdo vendi që ndodhet nën juridiksionin e tyre. Kjo dispozitë saktëson procedurën e ndjekur që një vizitë të kryhet: komiteti duhet më parë të njoftojë qeverinë e Palës së interesuar qëllimin e tij për ta kryer (shih nenin 15); pas këtij njoftimi, ai ka të drejtë të vizitojë në çdo moment, çdo vend të përcaktuar në nenin 2 të Konventës.
Është thelbësore që komiteti dhe çdo Palë të arrijnë në një marrëveshje të kënaqshme lidhur me kompetencat dhe mjetet e identifikimit të secilit nga personat që bëjnë pjesë në një ekip në mision.
56. Ky paragraf nuk saktëson afatin që duhet të kalojë (për shembull njëzetekatër ose dyzetetetë orë) midis njoftimit dhe momentit kur vizita bëhet efektive. Në fakt, mund të ketë situata të jashtëzakonshme në të cilat vizita ndodh menjëherë pas njoftimit. Megjithatë, në përgjithësi dhe pasur parasysh parimin e bashkëpunimit të shprehur në nenin 3, komiteti duhet t'i lërë Shtetit në fjalë kohën për të marrë masat e duhura për ta bërë vizitën sa më efikase që të jetë e mundur. Nga ana tjetër, komiteti duhet të kryejë vizitën në një afat të arsyeshëm pas njoftimit.
57. Me të njëjtën frymë bashkëpunimi, kur komiteti bën të ditur qëllimin e tij për të kryer një vizitë në një Shtet pa përcaktuar datën dhe vendin e mbërritjes, pritet që ai të bëjë saktësimet e duhura më vonë, para se vizita të kryhet.
58. Duhet që njoftimi jo vetëm të lajmërojë për vizitën por dhe të tregojë emrat e anëtarëve të komitetit, të japë të dhëna që lejojnë identifikimin e ekspertëve që marrin pjesë në vizitë, si dhe përkthyesit apo shoqëruesit e tjerë, dhe të përcaktojë vendet që komiteti ka si qëllim të vizitojë. Megjithatë, fakti që entet e veçanta janë cituar në njoftim nuk duhet të pengojë komitetin që ai të bëjë të ditur se dëshiron të vizitojë vende të tjera gjatë misionit të tij.
59. Së fundi, komiteti duhet të ketë parasysh faktin se vizita e vendeve të burgut me siguri të lartë mund të kërkojë një përgatitje të kujdesshme.
Paragrafi 2
60. Duke patur parasysh karakterin e veçantë të vizitave që duhet të bëjë komiteti, është rënë dakort që ky paragraf të gjejë zbatim përpara, gjatë dhe pas vizitave. Ai ofron në mënyrë të plotë lehtësitë që komitetit duhet t'i ofrohen nga Pala por kuptohet që kjo e fundit duhet t'i ofrojë komitetit edhe çdo ndihmë tjetër të nevojshme për të lehtësuar punën e tij.
61. Sipas kuptimit të pikës (a), e cila duhet të lexohet në lidhje me nenet 2 dhe 16, anëtarëve të ekipit në mision (nën rezervën e nenit 14, paragrafi 3, lidhur me ekspertët dhe personat e tjerë që asistojnë komitetin) nuk mund t'i vihen kushte të parashikuara nga Palët në fushën e imigracionit (për shembull vizat). Kuptohet se e drejta për të lëvizur pa kufizime nuk i jep komitetit ose ekspertëve të tij një liri të përgjithshme për të qarkulluar në zonat ku hyrja është e kufizuar për arsye të mbrojtjes kombëtare (shih nenin 9).
62. Sipas pikës (b), çdo Palë në Konventë duhet t'i japë komitetit, kur ky bën kërkesë, listën e vendeve që janë nën juridiksionin e saj ku ndodhen personat e privuar nga liria, duke saktësuar natyrën e institucionit (burg, rajon policie, spital, etj.). Kuptohet që, duke dhënë një listë të tillë, Shteti i interesuar mund të ofrojë një udhëzim të përgjithshëm të vendeve ku personat mund të ndalohen herë pas here - për shembull rajonet e policisë ose kazermat ushtarake, si dhe një listë të veçantë të vendeve ku ndodhen për periudha të gjata personat e privuar nga liria, si burgjet ose institucionet psikiatrike. Është parashikuar se komiteti mund të kërkojë një listë të detajuar të vendeve që ndodhen nën juridiksionin e Shtetit, në një rreth të caktuar të tij që ai synon të vizitojë. Nga ana tjetër, nuk është e nevojshme që Shteti të përgatisë një listë me të gjithë personat e burgosur. Në qoftë se për arsye të veçana, komiteti dëshiron të marrë të dhëna të tjera për një person të caktuar (përfshirë këtu dhe vendin e burgimit), ai mund t'i kërkojë mbi bazën të pikës d) të paragrafit 2.
63. Pika c) nënvizon lirinë e qarkullimit të anëtarëve të komitetit, veçanërisht brenda vendeve të caktuara në nenin 2. Megjithatë nuk ndalohet shoqërimi i komitetit nga një funksionar i Shtetit gjatë vizitës, me qëllim për ta lehtësuar këtë (shih nenin 15). Shteti mund të kërkojë në veçanti që një funksionar i lartë të shoqërojë komitetin në vendet që janë sekret për arsye të sigurisë kombëtare (shih nenin 9). Megjithatë, asnjë shoqërues nuk mund të jetë i pranishëm gjatë takimeve pa dëshmitar të parashikuara në paragrafin 3 të këtij neni.
64. Pika d) i detyron Palët t'i japin komitetit informacionet që ato kanë në dispozicion dhe që atij i duken të nevojshme për përfundimin e detyrës së tij. Mundësia për të marrë informacion natyrisht që përbën një moment me rëndësi të madhe për komitetin. Dihet, në të njëjtën kohë, se rregulla të veçanta lidhur me shpërndarjen e informacionit mund të zbatohen në Shtetet anëtare. Si rrjedhim, komiteti nga ana e tij, është i detyruar, kur ai kërkon informacione pranë njërës Palë, të marrë parasysh rregullat juridike dhe deontologjike (sidomos dispozitat lidhur me mbrojtjen e të dhënave dhe rregullat e sekretit mjekësor), që janë në fuqi në nivel shtetëror. Vështirësitë që mund të lindin në lidhje me këtë duhet të zgjidhen në një frymë mirëkuptimi reciprok dhe bashkëpunimi e cila përshkon Konventën.
65. Kuptohet se i takon Palëve të vendosin se në cilën formë do t'i njoftojnë informacionet e kërkuara nga komiteti (për shembull dokumentat origjinale ose kopjet).
Paragrafi 3
66. Sipas këtij paragrafi, komiteti mund të procedojë me takime pa dëshmitarë. Për të tilla takime, ai mund të zgjedhë përkthyesit e tij dhe nuk duhet të ketë asnjë kufizim në kohë.
Kur bëhet fjalë për të sëmurë mendorë, komiteti duhet të marrë masat e duhura lidhur me numrin, cilësimet dhe kompetencat gjuhësore të personit ose të personave që zhvillojnë takimin (shih paragrafin 31 më poshtë).
67. Kuptohet që një person i privuar nga liria nuk është i detyruar të pranojë të hyjë në kontakt me komitetin. Megjithatë, ky i fundit duhet të ketë mundësi të vlerësojë se ky është vullneti i këtij personi.
Paragrafi 4
68. Përsa i përket personave me të cilët komiteti mund të ketë kontakte, autorët e Konventës kanë menduar kryesisht për familjet, avokatët, mjekët dhe infermierët e personave të privuar nga liria. Megjithatë, asnjë individ nuk mund të detyrohet të komunikojë me komitetin.
69. Kjo e drejtë që i njihet komitetit nuk e autorizon atë të organizojë seanca formale, sipas kuptimit juridik të termit, me të gjitha kushtet procedurale që kjo do të kërkonte; për shembull, asnjë nuk mund të detyrohet të dëshmojë nën betim.
Paragrafi 5
70. Sipas këtij paragrafi, komiteti mund të hartojë disa mendime edhe gjatë vizitës. Kjo mundësi, që duhet të përdoret vetëm në raste të veçanta (për shembull kur ka një nevojë urgjente për të përmirësuar trajtimin e personave të privuar nga liria), nuk e përjashton komitetin nga detyrimi për të bërë më pas një raport që parashikohet nga neni 10.
Neni 9
71. Ky nen parashikon se pavarësisht nga detyrimi i një Pale për të lejuar vizitat e komitetit, disa rrethana të veçanta mund të justifikonin një shtyrje të vizitës ose një lloj kufizimi i të drejtës së komitetit për të hyrë në një vend të caktuar. Paragrafi 1 i saktëson këto rrethana të veçanta, duke kufizuar motivet për të cilat ky nen mund të përdoret në një moment të caktuar:
- për ruajtjen e mbrojtjes kombëtare;
- për ruajtjen e sigurisë publike që do të përfshinte nevojën urgjente dhe të ngutshme për të parandaluar një vepër të rëndë penale;
- për shqetësime të rënda në një burg ose në vende të tjera ku gjenden personat e privuar nga liria;
- në rastet kur, pasur parasysh gjendjen mjekësore (përfshirë këtu dhe mendore) të një personi që ai parashikon të vizitojë, një vizitë në një moment të caktuar do të ishte e dëmshme për shëndetin e tij;
- me shqetësimin për të mos cënuar marrjen në pyetje në mënyrë urgjente, në një hetim e sipër në lidhje me një vepër të rëndë penale.
72. Një Palë që dëshiron të përdorë dispozitat e nenit 9 duhet t'i bëjë të ditur komitetit rrethanat në fjalë. Komiteti dhe Pala janë më pas të detyruar, në sajë të paragrafit 2, të këshillohen për të qartësuar rrethanat e përmendura nga Pala dhe rëndësinë e tyre në lidhje me propozimet e bëra nga komiteti në përputhje me nenin 8. Komiteti dhe Pala janë gjithashtu të detyruar (dhe ky është një shembull i veçantë i bashkëpunimit që kërkohet në bazë të nenit 3) të kërkojnë një marrëveshje mbi dispozitat që lejojnë komitetin të ushtrojë fonksionet e tij sa më shpejt dhe më saktë të jetë e mundur. Një nga këto dispozita,që përmendet në këtë nen kur, për shembull, për vizitën e një vendi të caktuar janë bërë kundërshtime për arsye të mbrojtjes kombëtare, është ajo që parashikon që çdo person i privuar nga liria e tij në këtë vend të transferohet në një vend tjetër ku mund të bëhet vizita nga komiteti. Ky paragraf parashikon gjithashtu që kur vizita e një vendi shtyhet, Pala duhet të sigurohet që komiteti është plotësisht i informuar mbi personat e privuar nga liria e tyre në këtë vend.
Neni 10
Paragrafi 1
73. Ky paragraf ka të bëjë me raportin që komiteti duhet të bëjë pas çdo vizite. Ky raport bazohet mbi fakte të konstatuara gjatë vizitës dhe merr parasysh çdo vëzhgim që Shteti i interesuar dëshiron të bëjë. Ai përmban gjithashtu rekomandimet që komiteti i vlerëson të nevojshme, pasur parasysh se qëllimi i kërkuar është forcimi i mbrojtjes së personave të privuar nga liria. Kuptohet që raporti që i transmetohet Shtetit të interesuar nuk do të përmbajë domosdoshmërisht të gjitha informacionet e mbledhura nga komiteti gjatë misionit të tij (për shembull përmbledhjet e disa takimeve).
Paragrafi 2
74. Në disa raste të parashikuara në këtë paragraf, pasi Shteti i interesuar të ketë pasur mundësi për t'u shpjeguar, komiteti mund të vendosë të bëjë një deklaratë publike. Ai mund ta përdorë këtë kompetencë të veçantë kur Shteti nuk bashkëpunon ose refuzon të përmirësojë situatën nën dritën e rekomandimeve të tij. Pasur parasysh rëndësinë e një vendimi të tillë, ai mund të merret vetëm me një shumicë të cilësuar. Para se ta përdorë këtë mjet në rastin kur Shteti refuzon të përmirësojë situatën, komiteti duhet të mbajë plotësisht parasysh vështirësitë që Shteti mund të hasë në këtë rast.
75. Komiteti ka një liri të madhe në zgjedhjen e informacioneve që ai mund të bëjë publike; megjithatë ai duhet të mbajë parasysh nevojën për të mos përhapur informacionet e marra në mënyrë konfidenciale. Ai duhet të marrë në konsidratë dhe shqetësimin për të mos përhapur informacionet lidhur me hetimet në zhvillim e sipër.
Neni 11
Paragrafi 1
76. Kjo dispozitë përcakton parimin e konfidencialitetit të aktivitetit të komitetit. "Informacionet e mbledhura nga komiteti" mund të jenë faktet që ky ka konstatuar, informacionet që ai ka marrë nga burimet e jashtme apo ato që ai ka mbledhur vetë.
Paragrafi 2
77. Ky paragraf parashikon që komiteti është i detyruar ta bëjë publik raportin e tij si dhe çdo koment të Shtetit të interesuar kur ky e kërkon. Në qoftë se Shteti e publikon vetë raportin, ai duhet ta publikojë tërësisht.
Paragrafi 3
78. Ky paragraf parashikon që asnjë e dhënë me karakter personal nuk duhet të bëhet publike pa miratimin e shprehur të personit të interesuar. Por, kjo nuk përjashton domosdoshmërisht publikimin e këtyre të dhënave në qoftë se identiteti i personit në fjalë nuk tregohet ose nuk mund të përcaktohet në sajë të kontekstit.
Neni 12
79. Çdo vit, komiteti duhet t'i dorëzojë Komitetit të Ministrave një raport të përgjithshëm mbi veprimtaritë e tij. Ky raport, që do t'i përcillet Asamblesë dhe do të botohet, duhet të mbajë informacione, nga njëra anë, lidhur me veprimtaritë dhe veçanërisht përmendjen e Shteteve të vizituara. Duke hartuar raportin e tij, komiteti natyrisht duhet të respektojë dispozitat e nenit 11 lidhur me karakterin konfidencial të disa lloj informacionesh dhe të dhënash.
Neni 13
80. Ky nen i cakton anëtarëve të komitetit, ekspertëve dhe personave të tjerë që e ndihmojnë atë, edhe pas mbarimit të mandatit të tyre, një detyrim konfidencialiteti. Ky detyrim ka të bëjë me të gjitha faktet dhe të gjitha informacionet për të cilat ata kanë qënë në dijeni gjatë kryerjes së funksioneve të tyre, gjatë vizitave ose në çdo kohë tjetër.
Neni 14
Paragrafi 1
81. Sipas këtij paragrafi, emrat e personave që ndihmojnë komitetin tregohen në njoftimin e bërë në bazë të nenit 8, paragrafi 1.
Paragrafi 2
82. Ekspertët janë të lidhur nga të njëjtat detyrime pavarësie, paanshmërie dhe disponueshmërie ashtu si anëtarët e komitetit (shih nenin 4, paragrafi 4). Ata i nënshtrohen instruksioneve të komitetit nën përgjegjësinë e të cilit ata veprojnë.
Paragrafi 3
83. Ky paragraf parashikon kushtet në të cilat një Shtet mund t'i mohojë një personi që ndihmon komitetin mundësinë për të marrë pjesë në vizita, ose në një vizitë të caktuar, të një vendi që ndodhet nën juridiksionin e saj.
84. Kjo e drejtë mund të ushtrohet vetëm përjashtimisht dhe në afatet më të shkurtra. Kështu, që nga momenti ku ai ka marrë informacionet e përshtatshme, një Shtet nuk duhet ta refuzojë një person të tillë përveçse kur, sipas mendimit të tij, ai nuk mbush kushtet e caktuara në paragrafin 2 të këtij neni ose në nenin 13. Ky mund të ishte rasti në qoftë se i interesuari ka mbajtur një qëndrim të anshëm kundrejt këtij Shteti ose në raste të tjera, ai ka shkelur rregullën e konfidencialitetit.
85. Në rast se një Shtet deklaron se një person nuk mund të pranohet të marrë pjesë në një vizitë, komiteti mund të dëshirojë të kërkojë arsyet, pasur parasysh që kërkesa dhe çdo përgjigje do të jenë konfidenciale. Një procedurë e tillë mund ta ndihmonë komitetin të caktojë persona të tjerë për ta ndihmuar.
86. Në qoftë se, gjatë vizitës, një person që ndihmon komitetin sillet në një mënyrë që Shteti i interesuar e konsideron jo korrekte (për shembull në rast se ai bën deklarata politike ose të tjera me natyrë të ngjashme, në publik), ky Shtet mund t'i kërkojë komitetit të marrë të gjitha masat që ai do t'i gjykojë të nevojshme.
Neni 15
87. Me qëllim që të lehtësojë njoftimet e caktuara në nenin 8, paragrafi 1, të Konventës, kjo dispozitë i detyron Palët t'i bëjnë të ditur komitetit autoritetin të cilit iu duhen drejtuar këto njoftime. Një Palë duhet gjithashtu t'i bëjë të ditur komitetit emrin e funksionarit ndërlidhës që ajo mund të caktojë për ta ndihmuar në kryerjen e detyrës së komitetit gjatë zhvillimit të vizitave.
Neni 16
88. Ky nen ka të bëjë me privilegjet dhe imunitetet e komitetit, të anëtarëve të tij dhe të ekspertëve. Ai frymëzohet nga neni 59 i Konventës europiane e të Drejtave të Njeriut si dhe nga Protokolli i dytë dhe i katërt shtesë i Marrëveshjes së përgjithshme mbi privilegjet dhe imunitetet e Këshillit të Europës.
Neni 17
Paragrafi 1
89. Sipas këtij paragrafi, kjo Konventë nuk mund të përdoret për të justifikuar një kufizim të mbrojtjes që sigurohet nga instrumenta të tjerë ndërkombëtarë ose nga legjislacioni i brendshëm. Në fakt, ajo është vetëm njëra nga masat që synon parandalimin e torturës dhe forcimin e mbrojtjes së personave të privuar nga liria.
90. Fakti që autoritetet shtetërore mund të jenë të afta për të proceduar me hetime në vendet e caktuara nga kjo Konventë nuk mjafton për të penguar komitetin të vendosë për të kryer një vizitë. Por, me frymën e bashkëpunimit që duhet të udhëheqë zbatimin e kësaj Konvente, komiteti mund të dëshirojë të hyjë në kontakt me autoritetet shtetërore para se të marrë një vendim të tillë (shih paragrafët 33-34 më lart).
Paragrafi 2
91. Ky paragraf ka të bëjë me marrëdhëniet e veçanta midis Konventës së re dhe Konventës europiane e të Drejtave të Njeriut, në të cilën të gjitha Shtetet anëtare të Këshillit të Europës janë Palë lidhjet me të cilën janë njohur në preambulë. Detyrimet e marra nga Palët në sajë të Konventës europiane e të Drejtave të Njeriut mbeten të pandryshueshme, ashtu si dhe kompetencat që i jepen nga kjo Konventë Gjykatës dhe Komisionit europian të të Drejtave të Njeriut si dhe Komitetit të Ministrave. Si rijedhim, duke respektuar kompetencat e këtyre organeve, komiteti i krijuar nga kjo Konventë nuk do të merret me çështjet e ngritura në procedurat përpara tyre dhe nuk do të bëjë interpretime të dispozitave të Konventës europiane të të Drejtave të Njeriut.
92. Duhet të nënvizojmë, veçanërisht, se rëndësia thelbësore e së drejtës për kërkesë individuale e parashikuar nga neni 34 i Konventës europiane e të Drejtave të Njeriut mbetet e plotë. Kështu nuk parashikohet një personi, situata e të cilit është shqyrtuar nga komiteti, të pengohet nga dispozitat e nenit 27, paragrafi 1 (b) të Konventës europiane e të Drejtave të Njeriut, në rast se në vijim ai i bën një kërkesë Gjykatës europiane të të Drejtave të Njeriut duke pretenduar se ka qënë viktimë e dhunimit të kësaj Konvente të fundit.
Paragrafi 3
93. Nga neni 2 rrjedh se Konventa gjen zbatim si në kohë paqeje ashtu dhe në kohë lufte. Megjithatë, u duk e nevojshme të merrej parasysh ekzistenca e instrumentave të tjerë ndërkombëtarë dhe, veçanërisht, e Konventave të Gjenevës të 12 gushtit 1949 dhe Protokollet e tyre shtese të 8 qershorit 1977. Në rast konflikti të armatosur (ndërkombëtar ose jo ndërkombëtar), janë Konventat e Gjenevës që kanë prioritet, që do të thotë që vizitat do të bëhen nga të deleguarit ose përfaqsuesit e Komitetit ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKK) '(1). Megjithatë, komiteti i ri mund të bëjë vizita në disa vende kur - sidomos në rast konflikti të armatosur jo ndërkombëtar - KNKK-ja nuk i viziton as "efektivisht" as "rregullisht". Por, vizitat e të arrestuarve që KNKK-ja bën në kohë paqeje në një vend të caktuar në sajë të marrëveshjeve dypalëshe (jashtë kuadrit të Konventave të Gjenevës) nuk mbulohen nga kjo dispozitë. Në këtë rast, komiteti duhet të përcaktojë qëndrimin e tij duke marrë parasysh situatën dhe statusin e personave që vizitohen.
94. Autorët e Konventës e kanë çmuar të nevojshëm dallimin e rastit të Konventave të Gjenevës jo vetëm për shkak të kompetencave specifike dhe të eksperiencës së fituar nga KNKK-ja por dhe sepse ky i fundit ushtron funksione dhe punon me mënyra tepër të afërta me ato të komitetit të ri. U duk pra edhe më i nevojshëm përcaktimi i kompetencave respektive të këtyre dy organeve.
Neni 18 deri në 23
95. Këto nene, që përmbajnë klauzolat përfundimtare të Konventës, i korrespondojnë modelit të miratuar nga Komiteti i Ministrave të Këshillit të Europës.
Përsa i përket nenit 21, duhet vënë në dukje se sipas variantit të pranuar asnjë rezervë nuk lejohet.
Shih veçanërisht nenin 126 të Konventës së tretë dhe nenin 143 të Konventës së katërt të Gjenevës.
Për më tepër informacione:
Secrëtariat du CPT Conseil de l'Europe F-67075 Strasbourg Cedex France
Tel.: +33 (0)3 88 41 20 00 Fax: +33 (0)3 88 41 27 72 E-mail: Questo indirizzo email è protetto dagli spambots. E' necessario abilitare JavaScript per vederlo. Internet: www.cpt.coe.int
Anglisht dhe frëngjisht: Versionet zyrtare. Gjuhë të tjera: Përkthim.
Strasburg, 26.XI.1987.
Foto e kopertinës: © Këshilli i Europës