Pushime verore. Pikërisht tani, kur thyhet viti, kur institucionet, sektori civil dhe faktorët tjerë publik punojnë me intensitet të ulur, është kohë e shkëlqyeshme jo vetëm për të pushuar, për t’u mbushur frymë, për të marrë shpirt, për të mbledhur fuqi që të vazhdohet lufta me sfidat e kësaj kohe të rëndë, por edhe për të menduar ca, për të bërë rikapitullimin e asaj që është bërë, si dhe planet për veprimet e mëtejshme të të gjithë atyre që duan të kontribuojnë në përparimin e shoqërisë sonë.
Si e kaluam pjesën e parë të 2012-tës dhe cila ishte përgjigjja e sektorit civil? Vërtet kishim një fillim të bujshëm e të rëndë të vitit. Ndodhitë e ndryshme negative, incidentet dhe rrahjet, vrasjet e të rinjve i goditën fort marrëdhëniet delikate ndëretnike dhe ndërreligjioze. Ambienti mediatik dhe gjendja ekonomike patën një përkeqësim shtesë, diskursi politik është i ngarkuar me zënka të përditshme jokonstruktive midis politikanëve, pushteti shumë më tepër preokupohet me krijimin e pamjes rozë për vetveten dhe me harxhime joproduktive, ndërkohë që gjithnjë e më vështirë arrin t’i zgjidhë nevojat e vërteta e urgjente të qytetarëve.
Megjithatë, edhe krahas gjithë këtyre trandjeve negative, shumica e qytetarëve tanë, krahas qëndrueshmërisë dhe durimit tradicional, treguan paanësi, urti dhe qetësi të jashtëzakonshme dhe nuk hynë në skenarë të errët të destabilizimit të vendit dhe të manipulimit me ndjenjat e tyre politike, fetare ose etnike. A mund të flasim, përfundimisht, për një vetëdije të ngritur të qytetarëve, apo, thjesht, fjala është për një nevojë për ndryshim, shkaktuar nga ngirja me përditshmërinë e përsëritshme, me lajmet dhe temat në media që po ashtu përsëriten, me krizën që po zgjat me dekada dhe kurrsesi të mbarojë?
Përgjigjja nuk është e thjeshtë. Lëvizjet qytetare, sikurse lëvizja kundër brutalitetit policor, ose lëvizja Bashkë për Paqe, tregojnë se te qytetarët e Maqedonisë po lind një lloj i ri vetëdijesimi dhe artikulimi i kërkesave të tyre. Rezultatet janë të dukshme dhe të pakontestueshme: njëra lëvizje kontribuoi që të mos fshihej vrasja e një të riu dhe kaosi e arbitrariteti i strukturave dhe udhëheqësve të caktuar në MPB, tjetra, ndërkaq, kontribuoi shumë në uljen e tensioneve në muajt më të rëndë për Maqedoninë në këtë vit, e ndoshta edhe në dekadën e fundit.
Që të dy shembujt tregojnë që puna e gjertanishme e organizatave civile gjatë viteve të kaluara, edhe pse e përjetuar si mjaft elitistike, e jo si diçka që rrjedh prej vetë qytetarëve, megjithatë dha fryte. Të rinjtë që dilnin nëpër rrugë janë pikërisht ata që për këtë lloj aktivizmi mësonin prej OJQ-ve vendore, që tani ta përdorin diturinë e tyre dhe të këmbëngulin në mbrojtje të interesit publik dhe të drejtave civile. Ata janë dëshmia se ky investim shumëvjeçar i sektorit civil në sferën e aktivizimit, sidomos te të rinjtë, nuk është punë dhe kohë e harxhuar kot.
Këto dhe shembujt tjerë të aktivizmit autentik duhet të jenë nxitje edhe për organizatat, që t’i shtojnë aktivitetet në terren, të jenë sa më të pranishme në mesin e qytetarëve dhe të vazhdojnë t’i përgatisin për qytetari aktive, që mund të japë rezultate të shkëlqyeshme dhe t’i sfidojë e t’i nxisë edhe institucionet dhe aktorët tjerë publik që të punojnë në adresimin e nevojave të qytetarëve.
Ata, ndërkaq, përmes këtyre shembujve, qartë duhet ta kuptojnë që problemet nuk mund të zgjidhen nga shtëpia, duke ndenjur me rezignatë para kompjuterit ose televizorit si vëzhgues memec i ngjarjeve që ndikojnë, edhe atë si e si, në jetën e tyre. Qytetarët duhet t’i japin kurajë vetes, t’i thonë fund heshtjes, të paraqiten të organizuar në artikulimin e të gjitha kërkesave dhe problemeve të tyre dhe të demonstrojnë se janë bartës të vërtetë të sovranitetit të vendit. Vetëm kështu punët do të fillojnë të ndryshojnë për më mirë.