1. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Lenda e ligjit
Neni 1
(1) Me këtë ligj rregullohen vendosja e mundësive të barabarta dhe trajtimit të barabartë të femrave dhe meshkujve, masat themelore dhe të posaçme për vendosjen e mundësive të barabarta të femrave dhe meshkujve, të drejtat dhe obligimet e subjekteve për sigurimin e mundësive të barabarta të femrave dhe meshkujve, procedura për vërtetimin e trajtimit të pabarabartë të femrave dhe meshkujve si dhe të drejtat dhe detyrat e përfaqësuesit juridik për mundësi të barabarta të femrave dhe meshkujve (në tekstin e mëtejmë: përfaqësuesi) si person i caktuar për realizimin e procedurës për përcaktimin e trajtimit të pabarabartë të femrave dhe meshkujve.
(2) Vendosja e mundësive të barabarta të femrave dhe meshkujve rregullohet me këtë ligj dhe me ligj tjetër me të cilin rregullohen çështjet me interes të mundësive të barabarta të femrave dhe meshkujve nga sfera e mbrojtjes shëndetësore dhe sigurimit shëndetësor, mbrojtjes sociale, qasjes në të mira dhe shërbime, ekonomisë, marrëdhënieve të punës dhe punësimit, arsimit dhe ngritjes profesionale, marrëdhënieve ekonomike dhe pronësore, shfrytëzimit të prodhimeve publike dhe shërbimeve (të drejtat e konsumimit), kulturës dhe sportit, teknologjisë informatike të komunikimit, mbrojtjes dhe sigurisë, jurisprudencës dhe administratës, banimit, informimit publik dhe mediave, administratës shtetërore dhe publike dhe në sfera tjera të jetës shoqërore.
Qëllimi i ligjit
Neni 2
(1) Qëllim i këtij ligji është vendosja e mundësive të barabarta të femrave dhe meshkujve në sferën politike, ekonomike, sociale, të arsimit, kulturës, shëndetësisë, qytetare dhe në cilëndo sferë të jetës shoqërore.
(2) Vendosja e mundësive të barabarta është kujdes i tërë shoqërisë, përkatësisht të gjitha subjekteve në sektorin publik dhe privat dhe paraqet largim të pengesave dhe krijim të kushteve për realizimin e barazisë së plotë mes femrave dhe meshkujve.
Zbatimi i ligji
Neni 3
(1) Ky ligj zbatohet në sektorin publik dhe privat në sferat e cekura në nenin 1 paragrafi (2) i këtij ligji.
(2) Subjektet që i vendosin mundësitë e barabarta dhe trajtimin e barabartë të femrave dhe meshkujve janë: organet e pushtetit legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor, njësitë e vetadminstrimit lokal dhe organe dhe organizata tjera në sektorin publik dhe privat, ndërmarrjet publike, partitë politike, mjetet për informim publik dhe sektori qytetar dhe të gjithë personat që sigurojnë mallra dhe shërbime që janë të arritshme për publikun dhe të cilat ofrohen jashtë sferës së jetës private dhe familjare dhe transaksionet që kryhen në këtë kontekst pa dallim nëse personi përkatës i takon sektorit publik ose privat.
(3) Ndalohet diskriminimi, shqetësimi dhe shqetësimi seksual në bazë të gjinisë në sektorin publik dhe privat në sferën e punësimit dhe punës, arsim, shkencë dhe sport, sigurim social, duke e përfshirë edhe sferën e mbrojtjes sociale, sigurimin pensional dhe invalidor, sigurimin shëndetësor dhe mbrojtjen shëndetësore, jurisprudencën dhe administratën, banimin, informimin publik dhe mediat, teknologjinë informatike-komunikuese, mbrojtjen dhe sigurinë, anëtarësimin dhe veprimin në organizatat sindikale, parti politike, shoqëri dhe fondacione, organizata tjera të bazuara në anëtarësim, kulturën dhe sfera tjera të përcaktuara me këtë ose me ndonjë ligj tjetër.
(4) Ndalohet diskriminimi në bazë të gjinisë në qasjen e të mirave dhe shërbimeve në sektorin publik dhe privat, duke përfshirë edhe diskriminimin në premi nga skemat e sigurimit.
(5) Çdo qytetar e ka të drejtën e qasjes në punësim pa ndonjë kufizim, në pajtim me parimin e trajtimit të barabartë.
(6) Në pajtim me parimin e trajtimit të barabartë në qasjen e punësimit, diskriminimi është i ndaluar edhe në bazë të statusit martesor, statusit familjar, ngjyrës së lëkurës, gjuhës, bindjes politike ose bindjeve tjera, aktiviteteve në sindikata, përkatësisë nacionale ose statusit social, invaliditetit, moshës, pronësisë, statusit shoqëror ose statusi tjetër.
(7) Trajtimi i ndryshim që i promovon mundësitë e barabarta të femrave dhe meshkujve në pajtim me qëllimet e këtij ligji dhe ligji tjetër, nuk konsiderohet për diskriminim.
Definicione
Neni 4
Shprehje të caktuara të përdorura në këtë ligj e kanë këtë domethënie:
1. Mundësi të barabarta të femrave dhe meshkujve është promovimi i parimit për vendosjen e barabartë të pjesëmarrjes së femrave dhe meshkujve në të gjitha sferat e sektorit publik dhe privat, statusi dhe trajtimi i barabartë në realizimin e të gjitha të drejtave dhe në zhvillimin e potencialeve të tyre individuale përmes të cilave kontribuojnë në zhvillimin shoqëror, si dhe përfitime të barabarta nga rezultatet që dalin nga ai zhvillim;
2. Trajtim i barabartë është mungesë e diskriminimit të drejtpërdrejtë ose të tërthortë në bazë të gjinisë në pajtim me këtë ligj ligj ose ligj tjetër;
3. Diskriminim në bazë të gjinisë është çdo dallim, përjashtim ose kufizim në bazë të gjinisë, që ka si pasoje ose për qëllim ta rrezikojë ose pamundësojë njohjen, realizimin ose praktikimin e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore në bazë të barazisë së femrave dhe meshkujve në sferen e politikës, ekonomisë, shoqërisë, kulturës dhe sferën qytetare ose tjetër, pa dallim të racës së tyre, ngjyrës së lëkurës, gjinisë, përkatësisë së grupit të margjinalizuar, përkatësisë etnike, gjuhës, shtetësisë, prejardhjes sociale, religjionit ose besimit fetar, arsimit, përkatësisë politike, statusit personal ose shoqëror, pengesave trupore ose mentale, moshës, gjendjes familjare ose martesore, statusit pronësor, gjendjes shëndetësore ose cilësdo bazë tjetër;
4. Diskriminim i drejtpërdrejtë në bazë të gjinisë është kur një person është trajtuar, trajtohet ose do të trajtohet më keq në bazë të gjinisë sesa një person tjetër në situate të njëjtë;
5. Diskriminimi i tërthortë në bazë të gjinisë është kur kinse dispozitë neutrale, kriter ose e drejtë zakonore i vendos personat e një gjinie në gjendje veçanërisht të pavolitshme në krahasim me personat e gjinisë tjetër, përpos nëse ajo dispozitë, kriter ose e drejtë zakonore është objektivisht e arsyeshme me qëllim legjitim, ndërsa mjetet për arritjen e atij qëllimi janë përkatëse dhe të domosdoshme;
6. Shqetësimi në bazë të gjinisë është sjellje e padëshirueshme lidhur me gjininë e një personi, qëllimi ose pasoja të së cilës është cenimi i dinjitetit të një personi ose krijimi i atmosferës së frikshme, armiqësore, degraduese, nënçmuese ose poshtëruese;
7. Shqetësim seksual në bazë të gjinisë është cilado formë e sjelljes së padëshirueshme verbale, joverbale ose sjellje fizike e karakterit seksual, qëllimi ose pasoja të së cilës është cenimi i dinjitetit të një personi, në veçanti kur krijohet atmosferë e frikshme, armiqësore, degraduese, nënçmuese ose poshtëruese;
8. Barazi e plotë e femrave dhe meshkujve janë të drejta, mundësi dhe trajtim i barabartë në të gjitha sferat e jetës publike dhe private dhe mungesa e kushteve kulturore, sociale, ekonomike dhe politike të cilat prodhojnë marrëdhënie të pabarabarta të forcës dhe shpërndarje të pabarabartë të të mirave shoqërore mes femrave dhe meshkujve;
9. Përfaqësim i barabartë është çdo përfaqësim procentual i gjinisë së caktuar që nuk është më e vogël se perqindja e përfaqësimit të asaj gjinie në popullatën e përgjithshme dhe
10. Përfshirje e perspektivave gjinore në zhvillimet kryesore është integrimi i perspektivave gjinore në çdo fazë të procesit të ndërtimit, miratimit, zbatimit, përcjelljes dhe evaulimit të politikave - në ç'rast, duke i pasur parasysh promovimin dhe avancimin e mundësive të barabarta mes femrave dhe meshkujve.
2. LLOJET E MASAVE PËR VENDOSJEN E MUNDËSIVE TË BARABARTA TË FEMRAVE DHE MESHKUJVE
Masa themelore
Neni 5
(1) Masa themelore për realizimin e parimit të mundësive të barabarta të femrave dhe meshkujve janë masa normative nga sfera e mbrojtjes shëndetësore dhe sigurimit shëndetësor, mbrojtjes sociale, qasjes në të mira dhe shërbime, ekonomisë, marrëdhënieve të punës dhe punësimit, arsimit dhe ngritjes profesionale, marrëdhënieve ekonomike dhe pronësore, shfrytëzimit të prodhimeve dhe shërbimeve publike (të drejtat e konsumit), kulturës dhe sportit, teknologjisë informatike komunikuese, mbrojtjes dhe sigurisë, jurisprudencës dhe administratës, banimit, informimit publik dhe mediave, administratës shtetërore dhe publike dhe sfera tjera të përcaktuara me këtë ligj ose me ligj tjetër me të cilin ndalohet diskriminimi në bazë gjinore.
(2) Masa themelore për realizimin e mundësive të barabarta janë edhe masat për realizimin e barazisë së plotë mes femrave dhe meshkujve, të përcaktuara në politikat dhe programet për promovim sistematik të parimit të mundësive të barabarta të femrave dhe meshkujve dhe respektimin e dallimeve, për ndryshimin e traditave shoqërore dhe kulturore në aspektin e sjelljes së femrave dhe meshkujve për largimin e paragjykimeve si dhe çdo praktikë tjetër e bazuar në inferioritet ose superioritet të njërës ose gjinisë tjetër ose në rolin tradicional shoqëror të meshkujve ose femrave.
(3) Masa themelore janë edhe masat me të cilat vendoset përfshirja e sistemit të mundësive të barabarta të femrave dhe meshkujve në procesin e krijimit, realizimit dhe përcjelljes së politikave dhe buxhetit në sferat e posaçme shoqërore, duke e përfshirë edhe realizimin e funksioneve dhe kompetencave të subjekteve të sektorit publik dhe privat.
Neni 6
(1) Masa themelore në sigurimin e mundësive të barabarta të femrave dhe meshkujve janë edhe masat në sferën e arsimit dhe ngritjes profesionale.
(2) Edukimi për vendosjen e mundësive të barabarta paraqet pjesë integrale të sistemit të arsimit dhe trajnimit profesional, që siguron përgatitjen e femrave dhe meshkujve për pjesëmarrje aktive dhe të barabartë në të gjitha sferat e jetës shoqërore.
(3) Gjatë përgatitjes, miratimit dhe realizimit të programit për arsim ose trajnim profesional, përgatitjes së librave dhe mjeteve ndihmëse shkollore dhe gjatë vendosjes së risive organizuese të metodave pedagogjike dhe andragogjike, janë të nevojshme sigurimi i mekanizmave për largimin e paragjykimeve dhe stereotipeve lidhur me vendosjen e mundësive të barabarta.
(4) Organet e administratës shtetërore kompetente për kryerjen e punëve nga sfera e arsimit dhe punës, institucionet që e kryejnë edukimin dhe trajnimin profesional, janë të obliguara të kryejnë analizë të rregullt të përmbajtjeve të planeve arsimore, programeve dhe librave nga aspekti i avancimit të mundësive të barabarta të femrave dhe meshkujve.
Masa të posaçme
Neni 7
(1) Masa të posaçme janë masat e përkohshme të cilat merren me qëllim që të tejkalohet gjendja ekzistuese e pavolitshme shoqërore e femrave dhe meshkujve, që është rezultat i diskriminimit sistematik ose strukturës gjinore të pabarabartë që del nga rrethanat historike dhe socio-kulturore.
(2) Masat e posaçme janë të drejtuara në largimin e pengesave ose dhënin e kontributit të posaçëm dhe nxitje për realizimin e pozicioneve të barabarta fillestare të femrave dhe meshkujve, trajtimit të barabartë, pjesëmarrjes të balancuar ose statusit të barabartë shoqëror, zhvillimin e potencialeve të tyre individuale përmes të cilave ata kontribuojnë në zhvillimin shoqëror dhe shfrytëzimin e barabartë të përfitimeve nga ky zhvillim.
(3) Masat e posaçme nga paragrafit (1) i këtij neni përfshijnë masa pozitive, masa inkurajuese dhe masa programore:
- masa pozitive janë masat me të cilat në kushte të barabarta i jepet prioritet personave të gjinisë më pak të përfaqësuar, derisa nuk arrihet përfaqësim i barabartë ose nuk arrihet qëllimi për të cilin janë ndërmarrë. Masat pozitive në veçanti do të zbatohen në të gjitha organet dhe në të gjitha nivelet në sferën e legjislacionit, pushtetit ekzekutiv dhe gjyqësor dhe në organe dhe organizata tjera, në pushtetin lokal, si dhe në të gjitha institucionet dhe shërbime tjera publike, në partitë politike gjatë kryerjes së funksioneve publike, komisioneve dhe këshillave, duke përfshirë edhe pjesemarrjen e trupave që e prezantojnë shtetin në nivelin ndërkombëtar, derisa nuk arrihet barazi e plotë,
- masa inkurajuese janë masa të cilat sigurojnë nxitje të posaçme ose vendosin kushte të posaçme të volitshme me qëllim që të eliminohen rrethanat të cilat sjellin në pjesëmarrje të pabarabartë të femrave dhe meshkujve ose status të pabarabartë të njërës përballë tjetrës gjini ose shpërndarje të pabarabartë të të mirave dhe resurseve dhe
- masa programore janë masa të cilat janë të drejtuara në ngritjen e vetëdijes, organizimit të aktiviteteve, përpunimit dhe realizimit të planeve aksionare për nxitjen dhe avancimin e mundësive të barabarta.
3. MIRATIMI DHE NDJEKJA E MASAVE TË POSAÇME PËR VENDOSJEN E MUNDËSIVE TË BARABARTA TË FEMRAVE DHE MESHKUJVE
Miratimi i masave të posaçme
Neni 8
(1) Masat e posaçme miratohen nga organet e pushtetit ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor, njësitë e vetadministrimit lokal dhe organe tjera, organe dhe organizata në sektorin publik dhe privat, ndërmarrje publike, parti politike, mjete për informim publik dhe sektori qytetar në të gjitha sferat e cekura në nenin 1 paragrafi (2) i këtij ligji.
(2) Masat e posaçme miratohen në bazë të analizave dhe përshkrimit të situatës në të cilën jetojnë femrat dhe meshkujt si dhe faktorëve dhe rrethanave që kontribuojnë për pabarazinë, në të cilën përmbahet arsyeja për zbatimin e masave të tilla, duke përfshirë edhe ndikimin që këto masa do ta arrijnë në jetën dhe mundësitë e tyre.
(3) Subjektet nga paragrafi (1) i këtij neni, që miratojnë masa të posaçme, miratojnë plan për implementimin e masave të posaçme pas mendim të marrë paraprakisht nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale.
(4) Subjektet nga paragrafi (1) i këtij neni që miratojnë masa të posaçme, dorëzojnë raport vjetor në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale për rezultatet nga zbatimi i masave të tilla, më së voni deri më 31 mars në vitin rrjedhës për vitin paraprak.
4. SUBJEKTE PËRGJEGJËSE PËR MIRATIMIN DHE REALIZIMIN E MASAVE PËR VENDOSJE TË MUNDËSIVE TË BARABARTA TË FEMRAVE DHE MESHKUJVE DHE OBLIGIMET E TYRE
Kuvendi I Republikës së Maqedonisë
Neni 9
(1) Kuvendi i Republikës së Maqedonisë (në tekstin e mëtejshëm: Kuvendi) në kuadër të kompetencave të tij kujdeset për eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit në bazë të gjinisë dhe përmirësimit të statusit shoqëror të femrave; e integron parimin e mundësive të barabarta të femrave dhe meshkujve në iniciativat ligjore, politike dhe programore; organizon debate publike dhe debate për çështje nga sfera e mundësive të barabarta të femrave; analizon dhe jep mendime për ndikimin e dispozitave ligjore mbi statusin e femrave dhe meshkujve, kërkon raporte dhe dokumente nga institucione kompetente lidhur me sferën e punës dhe përgatit dhe shpall raporte për punën e vet.
(2) Kuvendi gjatë zgjedhjes së përbërjes së trupave punues dhe gjatë përcaktimit të përbërjes së delegacioneve të tij për bashkëpunim me organizatat ndërkombëtare dhe gjatë bashkëpunimit me kuvendet e shteteve tjera, e respekton parimin e pjesëmarrjes së barabartë të femrave dhe meshkujve.
(3) Kuvendi miraton Strategji për barazi gjinore dhe e përcjell realizimin e saj në politikat dhe programet e sektorit dhe bashkëpunon me partnerët socialë, organizata joqeveritare dhe institucione tjera publike në sferën përkatëse.
(4) Kuvendi e formon dhe përcakton përbërjen e kompetencave të Komisionit për Mundësi të Barabarta të Femrave dhe Meshkujve si trup i përhershëm punues.
(5) Komisioni për Mundësi të Barabarta të Femrave dhe Meshkujve i ndërmerr këto aktivitete:
- shqyrtimin e propozimeve të ligjit dhe dispozitave tjera që i miraton Kuvendi nga sfera e nenit 1 paragrafi (2) i këtij Ligji, Buxhetit të Republikës së Maqedonisë si dhe propozimeve të ligjeve dhe dispozitave tjera nga aspekti i përfshirjes së konceptit gjinor në to,
- shqyrtimin e Propozim-Strategjisë për barazi gjinore,
- përcjelljen e miratimit dhe zbatimit të masave themelore dhe të posaçme për vendosjen e mundësive të barabarta të femrave dhe meshkujve në të gjitha sferat e sektorit publik dhe privat,
- përcjelljen e sistemit të masave për largimin e trajtimit të pabarabartë të femrave dhe meshkujve,
- miratimin dhe ndryshimin e ligjeve dhe dispozitave tjera nga sfera e mundësive të barabarta të femrave dhe meshkujve,
- kujdeset për zbatim konsekuent të dispozitave të këtij ligji dhe ligjeve tjera nga sfera e mundësive të barabarta të femrave dhe meshkujve dhe mosdiskriminimi,
- nxit bashkëpunimin mes organeve kompetente për çështje të cilat kanë të bëjnë me mundësi të barabarta të femrave dhe meshkujve,
- ngrit iniciativa dhe aktivitete kundër zbatimit të stereotipeve dhe paragjykimeve gjinore në jetën publike,
- informim të rregullt të Kuvendit për të gjitha çështjet e ndërlidhura me mundësitë e barabarta të femrave dhe meshkujve,
- bashkëpunon me komisionet për mundësive të barabarta të femrave dhe meshkujve në njësitë e vetadministrimit lokal,
- bashkëpunon me shoqatat e punëdhënësve, sindikatave, organizatave joqeveritare dhe shaqatat aktive në sferën e mundësive të barabarta,
- bashkëpunim me komisione përkatëse të vendeve tjera dhe
- shqyrton edhe çështje tjera që kanë të bëjnë me mundësi të barabarta të femrave dhe meshkujve.
Qeveria e Republikës së Maqedonisë
Neni 10
(1) Qeveria e Republikës së Maqedonisë (në tekstin në vijim: Qeveria) në suazat e kompetencave të veta kujdeset për avancimin e vendosjes së mundësive të barabarta dhe arritjen e qëllimeve të këtij ligji përmes zbatimit të masave themelore dhe të veçanta të përcaktuara me këtë ligj.
(2) Qeveria propozon Strategji për barazi gjinore dhe ia dërgon Kuvendit të Republikës së Maqedonisë.
(3) Qeveria emëron koordinator dhe zëvendëskoordinator për mundësi të barabarta dhe e përcjell zbatimin e parimit të mundësive të barabarta të femrave dhe meshkujve në planet strategjike në ministritë e resorit dhe buxhetet, të cilat bashkëpunojnë me Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale.
(4) Qeveria publikon të dhëna statistikore lidhur me përfaqësimin e femrave dhe meshkujve në funksionet e emëruara dhe trupat për vendimmarrje, administrim dhe udhëheqje.
(5) Qeveria është e obliguar që të parashikojë pjesëmarrje të barabartë të femrave dhe meshkujve gjatë përbërjes së trupave të saj dhe delegacioneve, trupave konsultuese dhe koordinuese dhe gjatë emërimit të përfaqësuesve në këshillat drejtues të ndërmarrjeve dhe institucioneve publike.
(6) Qeveria formon grup ndër-resor, konsultues dhe këshillëdhënës për mundësi të barabarta të femrave dhe meshkujve, e përbërë nga funksionarë/ udhëheqës nëpunës shtetërorë, përfaqësues të organizatave qytetare, shoqata të punëdhënësve, ekspertë, përfaqësues të pushtetit lokal, sindikata dhe subjekte tjera.
(7) Qeveria e përcakton numrin e anëtarëve dhe përbërjen e grupit përkatës konsultues ndër-resor. Mënyra e punës së grupit përkatës konsultues ndër-resor, rregullohet me rregullore për punën e së njëjtës.
(8) Grupi përkatës konsultues ndër-resor, është i obliguar që ta promovojë konceptin e vendosjes së aspektit gjinor në politikat e përgjithshme në të gjitha institucionet publike, ta kontrollojë integrimin e konceptit në sektorët e politikave gjatë bashkëpunimit me partnerë socialë dhe institucione të sferave individuale, ta kontrollojë progresin e harmonizimit të legjislacionit nacional me legjislacionin e Bashkimit Evropian dhe standardet evropiane në sferën e çështjeve gjinore, të marrë pjesë gjatë hartimit dhe të japë udhëzime në procesin e përgatitjes së Strategjisë për mundësi gjinore, dhe t'i përcjellë raportet periodike të institucioneve.
(9) Punën e grupit ndër-resor e koordinon Ministria e Punës dhe Politikës Sociale.
Organet e administratës shtetërore
Neni 11
(1) Organet e administratës shtetërore janë të obliguara që në suazat e kompetencave të tyre t'i promovojnë dhe avancojnë mundësitë e barabarta përmes marrjes së masave të përgjithshme dhe të veçanta, nga nenet 5, 6 dhe 7 të këtij ligji.
(2) Organet e administratës shtetërore janë të obliguara që të bashkëpunojnë me shoqatat e punëdhënësve, sindikatën dhe shoqatat aktive në fushën e mundësive të barabarta, me qëllim që të sigurojnë propozime dhe masa për arritjen e qëllimit të ligjit.
(3) Organet e administratës shtetërore janë të obliguara që në suazat e planeve të tyre strategjike dhe buxheteve, ta inkorporojnë parimin e mundësive të barabarta të femrave dhe meshkujve; të përcjellin efektet dhe ndikimet e programeve të tyre ndaj femrave dhe meshkujve dhe t'i njoftojnë në suazat e raporteve të tyre vjetore.
(4) Organet e administratës shtetërore janë të obliguara që të përcaktojnë person zyrtar - koordinator dhe zëvendëskoordinator, të cilët do t'i koordinojnë punët me kompetencë të organit shtetëror, për vendosjen e mundësive të barabarta.
(5) Organet e administratës shtetërore pas percaktimit të personit zyrtar - koordinatorit dhe zëvendëskoordinatorit janë të obliguara që me shkrim ta informojnë Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale.
(6) Koordinatori dhe zëvendëskoordinatori nga paragrafi (5) i këtij neni janë përgjegjës për zbatimin e detyrave dhe kompetencave të organit shtetëror për vendosjen e mundësive të barabarta në kuptimin e këtij ligji, jep mendime dhe propozime për promovimin dhe avancimin e mundësive të barabarta në suazat e kompetencave të organit shtetëror dhe për plotësimin e detyrave të veta koordinohet me Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale.
(7) Kompetencat dhe detyrat e Koordinatorit dhe zëvendëskoordinatorit më konkretisht përcaktohen në aktin për sistematizim të vendeve të punës të organit shtetëror.
(8) Koordinatori dhe zëvendëskoordinatorit nga paragrafi (5) i këtij neni është i obliguar që një herë në vit, më së voni deri më 31 mars të vitit rrjedhës për vitin paraprak të paraqesë raport të punës në Ministrinë e Punës dhe Politikes Sociale.
(9) Raportin nga paragrafi (8) i këtij neni, koordinatori dhe zëvendëskoordinatori janë të obliguar ta publikojnë në ueb faqen e organit të administratës shtetërore. Ministria e Punës dhe Politikës Sociale.
Neni 12
Ministria e Punës dhe Politikës Sociale (në tekstin në vijim: ministria) lidhur me mundësitë e barabarta të femrave dhe meshkujve, i kryen detyrat si vijojnë:
- kujdeset për avancimin e mundësive të barabarta të femrave dhe meshkujve në të gjitha sferat e jetës shoqërore,
- kujdeset ta vendosë parimin e mundësive të barabarta në rrjedhat kryesore të riorganizimit, avancimit, zhvillimit dhe vlerësimit të proceseve politike në të gjitha fazat e nivelit nacional dhe lokal,
- jep mendim lidhur me propozimet e miratimit të masave themelore dhe të veçanta për vendosjen e mundësive të barabarta të femrave dhe meshkujve dhe e përcjell zbatimin e tyre,
- bashkëpunon me Komisionin për Mundësi të Barabarta të Femrave dhe Meshkujve në Kuvendin e Republikës së maqedonisë gjatë përpilimit të ligjeve, dokumenteve strategjike dhe raporteve,
- Qeverisë ose ministrive kompetente u paraqet propozime për miratimin e ndryshimeve ose plotësimeve të ligjeve dhe dispozitave tjera, me rëndësi për vendosjen e mundësive të barabarta, si dhe për miratimin e masave të përgjithshme dhe të veçanta,
- harton Propozim- Strategji për barazi gjinore dhe plane për zbatimin e saj, e përcjell zbatimin dhe publikon raporte vjetore lidhur me aktivitetet dhe rezultatet e zbatimit të saj,
- e koordinon dhe mbështet punën e grupit ndër-resor për avancimin e mundësive të barabarta të femrave dhe meshkujve në politikat dhe programet në të gjitha sferat e jetës shoqërore,
- në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme, e përcjell zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, të cilat kanë të bëjnë me mundësitë e barabarta dhe avancimin e statusit të femrave,
- harton raporte nacionale për zbatimin e obligimeve ndërkombëtare nga ana e Republikës së Maqedonisë në sferën e mundësive të barabarta,
- harton analiza, raporte dhe dokumente tjera lidhur me mundësitë e barabarta dhe të njëjtat i publikon në ueb faqen e ministrisë,
- bashkëpunon me shoqatat e punëdhënësve, sindikatave, dhe shoqatat aktive në sferën e mundësive të barabarta,
- bashkëpunon me koordinatorë në organet e administratës shtetërore, si dhe me koordinatorët dhe komisionet për mundësi të barabartë, të formuara në njësitë e vetadministrimit lokal, e siguron koordinimin e tyre të ndërsjellë dhe harton udhëzime dhe propozime për plotësimin e obligimeve të tyre për arritjen e qëllimit të këtij ligji,
- bashkëpunon me subjektet kompetente për zbatimin e këtij ligji nga neni 3 paragrafi (2) të këtij ligji,
- paraqet raport vjetor për aktivitetet e ndërmarra dhe progresin e arritur për vendosjen e mundësive të barabarta të femrave dhe meshkujve në Qeveri, më së voni deri në fund të muajit qershor për vitin paraprak,
- kryen mbikëqyrje mbi zbatimin e masave pozitive në sferat në të cilat janë vendosur të njëjtat,
- jep mendime për subjektet nga neni 8 paragrafi (1) të këtij ligji për miratimin e masave pozitive në sferat e jetës shoqërore në të cilat ekziston pjesëmarrje e pabarabartë e femrave dhe meshkujve ose status i pabarabartë i personave të njërës gjini.
Avokati i Popullit
Neni 13
Avokati i Popullit kujdeset në suazat e kompetencës së tij të përcaktuar me ligj për realizimin e mundësive të barabarta përmes mbrojtjes juridike të mundësive të barabarta të femrave dhe meshkujve, kur të drejtat e dikujt janë cenuar ose kufizuar nga organi i administratës shtetërore ose organi tjetër ose persona juridikë ose fizikë të cilëve u janë ngarkuar autorizime publike.
Njësitë e vetadministrimit lokal
Neni 14
(1) Njësitë e vetadministrimit lokal për arritjen e qëllimeve të këtij ligji, në suazat e kompetencave të tyre janë të obliguara që ta respektojnë parimin e mundësive të barabarta dhe promovojnë dhe avancojnë mundësitë e barabarta të femrave dhe meshkujve, përmes marrjes së masave të përgjithshme dhe të veçanta nga nenet 5, 6 dhe 7 të këtij ligji dhe të hartojnë plan vjetor, në të cilin do të përcaktojnë masa themelore dhe të veçanta.
(2) Njësitë e vetadministrimit lokal janë të obliguara që në suazat e planeve të tyre strategjike dhe buxheteve, ta inkorporojnë parimin e mundësive të barabarta të femrave dhe meshkujve; ta përcjellin efektin dhe ndikimin e programeve të tyre ndaj femrave dhe meshkujve dhe të njoftojnë në suazat e raporteve të tyre vjetore dhe të marrin pjesë në hartimin e Strategjisë për barazi gjinore në pjesën që ka të bëjë me njësitë e vetadministrimit lokal.
(3) Organet e njësive të vetadministrimit lokal gjatë miratimit të planeve zhvillimore dhe akteve dhe vendimeve tjera, janë të obliguara që t'i shqyrtojnë dhe t'i marrin parasysh masat dhe aktivitetet e propozuara nga ana e Komisionit për Mundësi të Barabarta të Meshkujve dhe Femrave dhe koordinatorit për mundësi të barabarta të meshkujve dhe femrave.
(4) Organet e njësive të vetadministrimit lokal janë të obliguara që të bashkëpunojnë me shoqatat e punëdhënësve, sindikatën dhe shoqatat aktive në fushën e mundësive të barabarta, me qëllim që të sigurojnë propozime dhe masa për arritjen e qëllimit të Ligjit.
(5) Njësite e vetadministrimit lokal janë të obliguara që të formojnë Komision për Mundësi të Barabarta të Femrave dhe Meshkujve, si trup i përhershëm me vendim të këshillit të njësive të vetadministrimit lokal, ndërkaq përbërja, kompetencat, detyrat dhe obligimet e tij, përcaktohen me statutin e njësive të vetadministrimit lokal.
(6) Komisioni për Mundësi të Barabarta të Femrave dhe Meshkujve nga parafgrafi (5) i këtij neni:
- jep mendim lidhur me materialet dhe propozimet për mbledhjet e këshillit të njësive të vetadministrimit lokal,
- merr pjesë gjatë hartimit dhe miratimit të dokumenteve strategjike, veçanërisht gjatë hartimit dhe miratimit të strategjisë për zhvillim të njësive të vetadministrimit lokal, miratimit të buxhetit të njësive të vetadministrimit lokal, statutit, programit për punën e këshillit të njësive të vetadministrimit lokal etj.,
- identifikon dhe jep propozime për mënyrat e inkorporimit dhe formalizimit të parimit për mundësi të barabarta dhe jodiskriminimit gjatë punës së organeve të njësive të vetadministrimit lokal dhe administratës komunale,
- kujdeset për zbatimin konsekuent të dispozitave të këtij ligji dhe ligjeve tjera nga sfera e mundësive të barabarta dhe jodiskriminimi, duke i propozuar këshillit të njësive të vetadministrimit lokal masa dhe aktivitete në drejtim të avancimit të mundësive të barabarta dhe jodiskriminimit, në bazë të analizës së gjendjeve të konstatuara, në sferat me kompetencë të njësive të vetadministrimit lokal.
(7) Njësitë e vetadministrimit lokal janë të obliguara që të përcaktojnë koordinator për mundësi të barabarta të femrave dhe meshkujve nga radhët e nëpunësve shtetërorë në njësinë e vet administrimit lokal.
(8) Koordinatori nga paragrafi (7) i këtij neni kujdeset për: avancimin e mundësive të barabarta dhe jodiskriminimit në suazat e kompetencave të njësive të vetadministrimit lokal; jep propozime dhe mendime lidhur me mundësitë e barabarta te këshilli i njësive të vetadministrimit lokal dhe institucionet dhe organizatat në nivel lokal, harton raporte për gjendjen me mundësitë e barabarta dhe jodiskriminimin në suazat e vetadministrimit lokal; bashkëpunon me Komisionin për Mundësi të Barabarta të Femrave dhe Meshkujve në suazat e këshillit në njësitë e vetadministrimit lokal dhe ngrit iniciativa të përbashkëta me qëllim avancimin e mundësive të barabarta dhe jodiskriminimit; bashkëpunon me organizata joqeveritare dhe institucione tjera në nivel lokal lidhur me çështjet e mundësive të barabarta dhe jodiskriminimit, e përcjell gjendjen me mundësitë e barabarta në nivel lokal dhe propozon iniciativa për marrjen e masave për përmirësimin e gjendjes me mundësitë e barabarta dhe jodiskriminimit dhe në plotësimin e detyrave të veta koordinohet dhe bashkëpunon me ministrinë.
(9) Fushëveprimi i punës dhe detyrave të koordinatorit nga paragrafi (7) i këtij neni, përcaktohet në aktin për sistematizim të vendeve të punës të njësive të vetadministrimit lokal.
Neni 15
Koordinatori për mundësi të barabarta të femrave dhe meshkujve nga neni 14 paragrafi (7) i këtij ligji është i obliguar që së paku një herë në vit, më së voni deri më 31 mars të vitit rrjedhës për vitin paraprak të paraqesë raport në ministri dhe të njëjtin ta publikojë në ueb faqen e njësisë së vetadministrimit lokal.
Partitë politike
Neni 16
Partitë politike me aktet e tyre i rregullojnë mënyrën dhe masat për avancimin e pjesëmarrjes së barabartë të femrave dhe meshkujve në organet dhe trupat e partive.
Mjetet e informimit publik
Neni 17
(1) Mjetet e informimit publik përmes koncepteve të tyre programore kontribuojnë për zhvillimin dhe rritjen e vetëdijes për mundësi të barabarta, si dhe pjesëmarrjen e barabartë të femrave dhe meshkujve në hartimin e koncepteve dhe përmbajtjeve programore.
(2) Prezantimi publik dhe paraqitja e personit në mjetet e informimit publik duhet të jetë pa ofendime, nënvlerësime ose në mënyrë jonënçmuese, në bazë gjinore.
(3) Këshilli për Radiodifuzion i Republikës së Maqedonisë në suazat e kompetencave të veta e përcjell mënyrën e prezantimit dhe raportimit të femrave dhe meshkujve në konceptet dhe përmbajtjet programore dhe një herë në vit paraqet raport në Kuvend.
(4) Këshilli për Radiodifuzion i Republikës së Maqedonisë në suazat e kompetencave dhe autorizimeve ligjore, një herë në vit harton analizë për çështjet gjinore në konceptet programore dhe përmbajtjet e mjeteve për informim publik për të cilat është kompetente të kryejë kontroll dhe mbikëqyrje për përmbajtjet programore, ta dërgojë në Kuvend për shqyrtim dhe miratim dhe ta publikojë në ueb faqen e vet.
Paraqitja e të dhënave statistikore
Neni 18
Kuvendi, Qeveria, organet e administratës shtetërore, organet gjyqësore dhe organet tjera shtetërore, organet e vetadministrimit lokal, personat juridikë të cilëve me ligj u është ngarkuar ushtrimi i veprimtarisë me interes publik, shoqatat, fondacionet, ndërmarrjet publike, institucionet arsimore, institucionet nga sfera e mbrojtjes sociale, institucionet shëndetësore, partitë politike, mjetet e informimit publik, shoqëritë tregtare dhe subjekte tjera të cilat me ligj janë të obliguara që të grumbullojnë, evidentojnë dhe përpunojnë të dhëna statistikore, janë të obliguara që këto të dhëna t'i paraqesin në bazë të përkatësisë gjinore dhe t'i dorëzojnë në Entin Shtetëror të Statistikës.
5. STRATEGJIA PËR BARAZI GJINORE 1
Neni 19
Strategjia për barazi gjinore (në tekstin në vijim: Strategjia) hartohet për periudhë prej tetë vitesh dhe përmban:
- analizë të gjendjes,
- udhëzime dhe masa për arritjen e qëllimeve në sfera të caktuara të jetës shoqërore, para së gjithash, në sferën e punësimit, sigurisë sociale dhe mbrojtjes shëndetësore, arsimit, marrëdhënieve familjare dhe përfaqësimit të femrave dhe meshkujve në jetën shoqërore,
- përgjegjësi për zbatimin e masave për arritjen e qëllimeve,
- përmbajtjen, organet kompetente dhe personat përgjegjës për hartimin dhe zbatimin e planit nacional për aksion për barazi gjinore, për periudhë prej katër vitesh dhe plane operative vjetore që janë në funksion të zbatimit të Strategjisë,
- të dhëna të cilat grumbullohen dhe përpunohen dhe janë të lidhura, ruajtura, analizuara dhe prezantuara në baze të strukturës gjinore në suazat e aktiviteteve të Entit Shtetëror të Statistikës,
- metoda të mbikëqyrjes dhe njoftimit për zbatimin e strategjisë dhe
- mjete të nevojshme për zbatimin e masave të strategjisë, burime dhe mënyra për sigurimin e këtyre mjeteve.
6. MBROJTJA JURIDIKE E TË DREJTËS SË TRAJTIMIT TË BARABARTË TË FEMRAVE DHE MESHKUJVE
Subjekte kompetente për mbrojtjen e të drejtës për trajtim të barabartë
Neni 20
Mbrojtja e të drejtës së trajtimit të barabartë në baze gjinore realizohet me paraqitjen e parashtresës para:
- përfaqësuesit juridik në pajtim me këtë ligj ose
- Avokatit të Popullit ose
- Komisionit për Mbrojtje nga Diskriminimi ose
- gjykatës kompetente.
Përfaqësuesi juridik
Neni 21
(1) Personi të cilit i është shkelur e drejta e trajtimit të barabartë në bazë gjinore mund të paraqesë parashtresë në ministri.
(2) Procedurën në ministri e mban përfaqësuesi.
(3) Përfaqësuesi është nëpunës i punësuar shtetëror në ministri, i angazhuar që të mbajë procedurë për konstatimin e trajtimit të pabarabartë të femrave dhe meshkujve.
Paraqitja e parashtresës
Neni 22
(1) Parashtresë mund të paraqesë çdo person fizik ose juridik, personalisht ose përmes personit të autorizuar, me shkrim, gojarisht me procesverbal ose në formë tjetër, telefaks ose me postë elektronike.
(2) Parashtresa e paraqitur përmes telefonit duhet të paraqitet edhe me shkrim në afat prej tetë ditësh pune.
(3) Për parashtresë të paraqitur gojarisht përpilohet shënim zyrtar.
(4) Parashtresa përmban të dhëna personale për paraqitësin, të dhëna për subjektin (juridik ose fizik) për të cilin ka të bëjë parashtresa, rrethana dhe fakte mbi të cilat bazohet parashtresa, të dhëna për mjetet juridike të cilat parashtruesi paraprakisht i ka deponuar (nëse ka) dhe nënshkrim të paraqitësit.
(5) Parashtesat anonime nuk do të shqyrtohen.
(6) Parashtruesi i parashtresës lirohet nga pagesa e taksave administrative dhe kompensimi tjetër.
Neni 23
(1) Parashtresa paraqitet në afat prej gjashtë muajsh nga dita e njoftimit me aktin e diskriminimit ose më së voni një vit nga dita kur është kryer cenimi.
(2) Nëse parashtresa është e pakuptueshme dhe nuk i përfshin faktet e nevojshme nga të cilat mund të konstatohet akti ose veprimi i diskriminimit, Përfaqësuesi juridik nga parashtruesi i parashtresës do të kërkojë të njëjtën ta bëjë më të qartë dhe plotësojë në afat prej 15 ditësh nga dita e plotësimit të kërkuar.
Mosngritja e procedurës
Neni 24
(1) Përfaqësuesi juridik nuk ngrit procedurë lidhur me parashtresën e paraqitur nëse është evidente se nuk ka shkelje të së drejtës, së cilës i referohet paraqitësi, respektivisht diskriminim në bazë gjinore, nëse për të njëjtën çështje tanimë ka vepruar, ndërkaq nuk janë ofruar prova dhe fakte të reja, nëse afati për paraqitjen e parashtresës ka skaduar, nëse parashtresa është anonime, nëse për të njëjtin rast tanimë është ngritur procedurë para gjykatës kompetente, ose është marrë vendim i plotfuqishëm gjyqësor.
(2) Kur Përfaqësuesi juridik nuk do të ngritë procedurë lidhur me parashtesën në pajtim me paragrafin (1) të këtij neni, është i obliguar që ta njoftojë paraqitësin e parashtesës në afat prej 15 ditësh nga dita e paraqitjes së parashtresës dhe t'ia sqarojë shkaqet për mosprocedim.
Ngritja e procedurës
Neni 25
(1) Përfaqësuesi mund të ngritë procedurë edhe me iniciativë të vet.
(2) Dispozitat për mbrojtjen e të dhënave personale zbatohen gjatë mbajtjes së kësaj procedure.
Konstatim i gjendjes faktike
Neni 26
(1) Pas pranimit të parashtresës përfaqësuesi e konstaton gjendjen faktike, me këqyrje të dokumentacionit të paraqitur, marrjen e deklaratave me shkrim ose gojore nga paraqitësi i parashtesës, nga personi kundër të cilit është ngritur procedura, si dhe nga persona tjerë për të cilët konsiderohet se disponojnë me të dhëna për ngjarjen konkrete.
(2) Parashtresa e paraqitur i dërgohet personit kundër të cilit është paraqitur në afat prej pesë ditësh pune nga dita e ngritjes së procedurës, që të prononcohet lidhur me provat në afat prej 15 ditësh pune nga pranimi i së njëjtës.
Neni 27
Personat juridikë dhe fizikë janë të obliguar që me kërkesë të Përfaqësuesit juridik të dorëzojnë të dhëna me të cilat disponojnë për raste konkrete të diskriminimit, si dhe të lejojnë të kryhet këqyrje e drejtpërdrejtë në dokumentacion në afat prej 30 ditësh nga dita e paraqitjes së kërkesës.
Kohëzgjatja e procedurës
Neni 28
Përfaqësuesi juridik zbaton procedurë dhe harton mendim me shkrim në afat prej 90 ditësh nga dita e pranimit të parashtresës.
Mendim dhe rekomandim
Neni 29
(1) Mendimi përmban arsyetim për trajtimin e pabarabartë të konstatuar në bazë gjinore dhe rekomandim për mënyrën e mënjanimit të shkeljes së të drejtës.
(2) Mendimi i përpiluar i dërgohet ministrit të Punës dhe Politikës Sociale.
(3) Mendimi i dërgohet paraqitësit të parashtresës, personit kundër të cilit është paraqitur parashtresa dhe personave tjerë juridikë dhe fizikë që janë përfshirë në procedurë, në afat prej tetë ditësh nga dita e përpilimit.
(4) Personi për të cilin ka të bëjë rekomandimi, është i obliguar që të veprojë lidhur me të njëjtin dhe ta mënjanojë shkeljen e së drejtës në afat prej 30 ditësh nga dita e pranimit të mendimit dhe për këtë ta njoftojë Përfaqësuesin juridik.
Mosveprimi në pajtim me rekomandimin
Neni 30
Nëse personi për të cilin ka të bëjë rekomandimi nuk vepron në pajtim me rekomandimin, respektivisht nuk e mënjanon shkeljen e së drejtës, përfaqësuesi mund të ngritë procedurë para organit kompetent për përcaktimin e përgjegjësisë së tij.
Bashkëpunimi me organe tjera
Neni 31
Përfaqësuesi gjatë kryerjes së punës bashkëpunon me Avokatin e Popullit dhe me Komisionin për Mbrojtje nga Diskriminimi për raste konkrete të diskriminimit për të cilat këto trupa kanë kompetencë që të veprojnë.
Raporti vjetor
Neni 32
(1) Përfaqësuesi më së voni deri më 31 mars harton raport për vitin paraprak lidhur me mendimet e marra, procedurat e zbatuara dhe efektet e zbatimit të tyre.
(2) Raporti publikohet në ueb faqen e ministrisë dhe i njëjti i dërgohet me shkrim institucioneve kompetente.
Mbrojtja gjyqësore
Neni 33
(1) Personi që konsideron se i është shkelur e drejta e trajtimit të barabartë në bazë gjinore, mund të paraqesë parashtesë te gjykata kompetente.
(2) Gjatë procedurës në mënyrë përkatëse zbatohen dispozitat e Ligjit për procedurë kontestimore, nëse me këtë ligj nuk është rregulluar ndryshe.
(3) Procedura është urgjente.
Kompetenca rajonale
Neni 34
Gjatë procedurës për mbrojtjen e të drejtës për trajtim të barabartë në bazë gjinore, me kompetencë vendore, përpos gjykatës me kompetencë të përgjithshme vendore, është edhe gjykata në rajonin e së cilës është vendbanimi i paditësit.
Padia
Neni 35
Me padi mund të kërkohet:
1) të konstatohet se i padituri e ka shkelur të drejtën e paditësit për trajtim të barabartë në bazë gjinore, respektivisht veprimi që e ka marrë ose lëshuar, në mënyrë të drejtpërdrejtë mund të rezultojë me shkeljen e të drejtave për barazi gjatë veprimit;
2) të ndalohet marrja e veprimeve me të cilat shkelet ose mund të shkelet e drejta e paditësit për trajtim të barabartë, respektivisht të kryhen veprime me të cilat do të mënjanohen trajtimi i pabarabartë ose pasojat nga i njëjti;
3) të kompensohet dëmi material ose jomaterial i shkaktuar me shkeljen e të drejtës së trajtimit të barabartë, në pajtim me Ligjin për marrëdhënie obliguese dhe
4) të publikohet në mjetet e informimit publik aktgjykimi me të cilin është konstatuar shkelja e të drejtës së trajtimit të barabartë me shpenzim të të paditurit.
Ngarkesa e dëshmisë
Neni 36
(1) Kur personi i cili për vete mendon se është viktime e diskriminimit do të nxjerrë fakte prej të cilave mund të supozojë se ka pasur diskriminim, atëherë ai i cili ngarkohet se ka kryer diskriminim është i obliguar të dëshmojë se nuk e ka shkelur parimin e trajtimit të barabartë.
(2) Rregulla nga paragrafi (1) i këtij neni zbatohet në procedura penale.
7. MBIKËQYRJE MBI ZBATIMIN E LIGJIT
Neni 37
(1) Mbikëqyrje mbi zbatimin e dispozitave të këtij ligji dhe dispozitave të miratuara në bazë të këtij ligji kryen ministri.
(2) Mbikëqyrje inspektuese mbi zbatimin e dispozitave të këtij ligji dhe dispozitave të miratuara në bazë të këtij ligji, kryen Inspektorati Shtetëror i Punës në pajtim me këtë ligj.
(3) Për kundërvajtje nga nenet 38, 39, 40, 41, 42, 43 dhe 44 të këtij ligji, procedurë kundërvajtëse mban dhe sanksione kundërvajtës kumton gjykata kompetente.
(4) Nëse inspektori i punës konstaton se është kryer kundërvajtje nga nenet 38, 39, 40, 41, 42, 43 dhe 44 të këtij ligji, është i obliguar që kryerësit të kundërvajtjes t'i propozojë procedurë për barazim, në pajtim me Ligjin për kundërvajtje.
8. DISPOZITA KUNDËRVAJTËSE
Neni 38
(1) Gjobë në shumë prej 400 deri në 600 euro në kundërvlerë me denarë do t'i kumtohet për kundërvajtje personit i cili ka kryer diskriminim në bazë gjinore në sektorin publik ose privat, në sfera për kundërvajtje nga neni 3 paragrafi (3) të këtij ligji (neni 3).
(2) Gjobë në shumë prej 600 deri në 800 euro në kundërvlerë me denarë do t'i kumtohet për kundërvajtje personit përgjegjës ose personit tjetër në personin juridik, organit me autorizime publike ose individit i cili në formë të profesionit të regjistruar kryen veprimtari të caktuar, i cili në bazë gjinore do ta shkelë dinjitetin e personit të caktuar ose krijon mjedis, qasje ose praktikë kërcënuese, armiqësore, ofenduese ose shqetësuese (neni 4 paragrafi (1) pikat 6 dhe 7).
(3) Gjobë në shumë prej 800 deri më 1 000 euro në kundërvlerë me denarë do t'i kumtohet personit juridik për kundërvajtje nga paragrafi (2) i këtij neni (neni 4 paragrafi (1) pikat 6 dhe 7).
Neni 39
(1) Gjobë në shumë prej 400 deri në 600 euro në kundërvlerë me denarë do t'i kumtohet për kundërvajtje subjektit i cili nuk do ta paraqesë planin para miratimit të tij, për mendim në ministri (neni 8 paragrafi (3)).
(2) Gjobë në shumë prej 800 deri në 1.000 euro në kundërvlerë me denarë do të kumtohet për kundërvajtje nëse subjekti i cili ka miratuar masa të veçanta nuk ka paraqitur raport vjetor në ministri (neni 8 paragrafi (4)).
Neni 40
(1) Gjobë në shumë prej 400 deri në 600 euro në kundërvlerë me denarë do t'i kumtohet për kundërvajtje personit përgjegjës në organet e administratës shtetërore që nuk do të emërojnë koordinator dhe zëvendëskoordinator për mundësi të barabarta të femrave dhe meshkujve (neni 11 paragrafi (5)).
(2) Gjobë në shumë prej 400 deri në 600 euro në kundërvlerë me denarë do t'i kumtohet për kundërvajtje personit përgjegjës në organet e administratës shtetërore, nese koordinatori ose zëvendëskoordinatori nuk paraqesin raport të punës, në ministri në afatin e përcaktuar (neni 11 paragrafi (8)).
(3) Gjobë në shumë prej 400 deri në 600 euro në kundërvlerë me denarë do t'i kumtohet për kundërvajtje personit përgjegjës në njësitë e vetadministrimit lokal që nuk do të formojnë komision për mundësi të barabarta të femrave dhe meshkujve (neni 14 paragrafi (5)).
(4) Gjobë në shumë prej 800 deri në 1.000 euro në kundërvlerë me denarë do t'i kumtohet për kundërvajtje personit përgjegjës në njësitë e vetadministrimit lokal që nuk do të emërojnë koordinator për mundësi të barabarta të femrave dhe meshkujve (neni 14 paragrafi (7)).
(5) Gjobë në shumë prej 400 deri në 600 euro në kundërvlerë me denarë do t'i kumtohet për kundërvajtje personit përgjegjës në njësinë e vetadministrimit lokal, nëse koordinatori për mundësi të barabarta të femrave dhe meshkujve në njësinë e vetadministrimit lokal nuk paraqet raport të punës në ministri, në afatin e përcaktuar (neni 15).
Neni 41
(1) Gjobë në shumë prej 600 deri në 800 euro në kundërvlerë me denarë do t'i kumtohet për kundërvajtje Keshillit të Radiodifuzionit të Republikës së Maqedonisë, nëse nuk përpilon analizë lidhur me çështjet gjinore në konceptet dhe përmbajtjet programore të mjeteve për informim publik, nuk e paraqet në Kuvend për shqyrtim dhe miratim dhe nuk e paraqet publikisht (neni 17 paragrafi (4)).
(2) Gjobë në shumë prej 400 deri në 600 euro në kundërvlerë me denarë do t'i kumtohet për kundërvajtje personit përgjegjës në Këshillin e Radiodifuzionit të Republikës së Maqedonisë, nëse Këshilli për Radiodifuzion i Republikës së Maqedonisë nuk përpilon analizë lidhur me çështjet gjinore në konceptet dhe përmbajtjet programore të mjeteve për informim publik, nuk e paraqet në Kuvend për shqyrtim dhe miratim ose nuk e shpall (neni 17 paragrafi (4)).
Neni 42
Gjobë në shumë prej 400 deri në 600 euro në kundërvlerë me denarë do t'i kumtohet për kundërvajtje personit përgjegjës në subjektet nga neni 18 i këtij ligji nëse nuk grumbullojnë, evidentojnë dhe përpunojnë të dhëna statistikore të ndara në bazë gjinore dhe nuk i dorëzojnë në Entin Shtetëror të Statistikës (neni 18).
Neni 43
Gjobë në shumë prej 400 deri në 600 euro në kundërvlerë me denarë do t'u kumtohet për kundërvajtje subjekteve nga neni 3 paragrafi (2) të këtij ligji, që me kërkesë të përfaqësuesit në afat prej 30 ditësh pune nuk dorëzojnë të dhëna ose nuk lejojnë shikim në dokumente (neni 27).
Neni 44
(1) Gjobë në shumë prej 400 deri në 600 euro në kundërvlerë me denarë do t'i kumtohet për kundërvajtje personit fizik, i cili nuk do të veprojë lidhur me rekomandimin e dhënë nga përfaqësuesi (neni 29 paragrafi (4)).
(2) Gjobë në shumë prej 600 deri në 800 euro në kundërvlerë me denarë do t'i kumtohet për kundërvajtje personit përgjegjës në subjektet nga neni 3 paragrafi 2 të këtij ligji, që nuk do të veprojë lidhur me rekomandimin e dhënë nga Përfaqësuesi juridik (neni 29 paragrafi (4)).
9. DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT
Neni 45
(1) Strategjia për barazi gjinore nga neni 9 paragrafi (3) i këtij ligji do të miratohet deri më 31 dhjetor 2012.
(2) Qeveria do të përcaktojë koordinator dhe zëvendëskoordinator nga neni 10 paragrafi (3) të këtij ligji, në afat prej tre muajsh nga dita e hyrjes në fuqi të këtij ligji.
(3) Akti nga neni 10 paragrafi (8) të këtij ligji lidhur me përbërjen dhe mënyrën e punës së grupit nënresor do të miratohet në afat prej tre muajsh nga dita e hyrjes në fuqi të këtij ligji.
(4) Organet e administratës shtetërore do të përcaktojnë koordinator dhe zëvendëskoordinator nga neni 11 paragrafi (4) i këtij ligji, në afat prej tre muajsh nga dita e hyrjes në fuqi të këtij ligji.
(5) Njësitë e vetadministrimit lokal do të formojnë komision për mundësi të barabarta nga neni 14 paragrafi (5) i këtij ligji dhe do të përcaktojnë koordinator për mundësi të barabarta nga neni 14 paragrafi (7) i këtij ligji, në afat prej tre muajsh nga dita e hyrjes në fuqi të këtij ligji.
Neni 46
Me ditën e hyrjes në fuqi të këtij ligji shfuqizohet Ligji për mundësi të barabarta të femrave dhe meshkujve ("Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë" numër 66/2006 dhe 117/2008).
Neni 47
Ky ligj hyn në fuqi ditën e tetë nga dita e botimit në „Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë".